
Partitë politike në Shqipëri kanë ndezur motorët për zgjedhjet parlamentare të 2021. Pas ndryshimit të strategjisë së Lulzim Bashës, që iu rikthye sërish institucioneve, kryedemokrati me mbështetjen edhe të ndërkombëtarëve u investua në arritjen e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.
Pas “tymit të bardhë” për “Zgjedhorën” në Këshillin Politik, palët nuk kanë humbur kohë dhe kanë riaktivizuar strukturat politike.
Duket se vera do jetë e nxehtë politikisht. Në mënyrë të veçantë më e ndezur do jetë beteja mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, që janë edhe pretendentët kryesorë për kryeministër.
Kryeministri ka shpalosur synimin e tij për 800 mijë vota, çka do i jepte mandatin e tretë, ndërsa Lulzim Basha beson so do të futet për herë të parë në kryeministri me “kostumin” e shefit të qeverisë.
“Prandaj detyra jonë e parë është që në zgjedhjet e ardhshme jo vetëm të jemi partia e parë, se kjo është e padiskutueshme, por të kemi mbështetjen më të madhe që kemi pasur më parë. 800 mijë vota për mandatin e tretë, e lehtë të thuhet, e vështirë të bëhet.”, deklaroi kryeministri pak ditë më parë gjatë një takimi me kryebashkiakët.
Kryedemokrati që është në aleancë edhe me Monika Kryemadhin synon të fitojë besimin e shqiptarëve në një moment të vështirë për vendin, si pasojë e pandemisë së koronavirusit. PD ka fituar betejën me disa kryebashkiakë të Ramës me probleme me ligjin, të cilët pas denoncimeve me fakte u larguan nga detyra.
Po kush do jetë kryeministri i Shqipërisë? A do arrijë Rama të thyejë traditën, duke mbajtur tre mandate radhazi PS-në në pushtet? Gara është e hapur, ndërsa Basha është shfaqur i paduruar pasi në disa raste ka folur si kryeministër lidhur me vendimet që do marrë në të ardhmen.
Ju mund të votoni në sondazhin e Shqip duke klikuar në linkun e mëposhtëm.
*Shënim
Gazeta Shqip ka vendosur ndërprejen e këtij sondazhi, pasi militantët e partive politike kanë ndërhyrë për të deformuar rezultatin. Deri ditën e sotme (e dielë), në orën 11:00, sondazhi vijonte normalisht, konstant. Pas kësaj ore, u pa një rritje me 300% të votuesve, çka dukej hapur se militantë të dy partive të mëdha, po tentonin të votonin masivisht.
Për këtë arsye, Gazeta Shqip, e ka ndërprerë sondazhin, në respekt të lexuesve të saj.
Faleminderit për mirëkuptimin!