Sot, më 24 mars, përkujtohet përvjetori i 27-të i fillimit të fushatës ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi, një ndërhyrje që synonte ndalimin e dhunës së forcave serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Sulmet nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. Ato erdhën pas dështimit të përpjekjeve diplomatike të bashkësisë ndërkombëtare për ta bindur udhëheqësin e atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç, të pranonte një armëpushim.

Presidenti amerikan i kohës, Bill Clinton, deklaroi se nëse Millosheviçi nuk ishte i gatshëm për paqe, atëherë NATO do të ndërmerrte veprime për të kufizuar aftësinë e tij për të vazhduar luftën kundër kosovarëve.

Gjatë fushatës ajrore u goditën dhe u dëmtuan rëndë kazerma dhe baza ushtarake në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, si edhe sisteme të komandës, mbrojtjes ajrore, infrastrukturës energjetike dhe të komunikimit.

Në fund të operacionit, Clinton njoftoi se objektivat e vendosura nga komuniteti ndërkombëtar ishin arritur: tërheqja e forcave serbe nga Kosova, vendosja e një force sigurie të udhëhequr nga NATO dhe kthimi i refugjatëve në shtëpitë e tyre.

Bombardimet përfunduan një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e negociuar mes NATO-s dhe autoriteteve ushtarake jugosllave. Sipas saj, trupat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua një mision paqeruajtës ndërkombëtar nën udhëheqjen e NATO-s.

Beogradi kishte afat 11 ditë për të larguar rreth 40 mijë forca të sigurisë nga territori i Kosovës. Ndërkohë, KFOR-i filloi dislokimin më 12 qershor 1999, fillimisht me rreth 50 mijë trupa. Sot, ky mision përbëhet nga rreth 4 767 ushtarë nga 33 vende të botës.

Lufta la pas rreth 13 mijë viktima, mijëra persona të zhdukur — mbi 1 600 prej të cilëve ende nuk janë gjetur — qindra mijëra refugjatë që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, si dhe dëme të mëdha në prona dhe infrastrukturë