Ministria e Shëndetësisë është njohur zyrtarisht kërkesat e sindikatës së mjekëve, mes të cilave, sigurimi i jetës së bluzave të bardha të cilët janë në vijën e parë të luftës ndaj virusit Covid-19, duke përmirësuar kushtet e tyre të punës dhe  për një trajtim më të mirë financiar të personelit shëndetësor.


Mëngjesin e sotëm, rreth orës 09:30, siç ishte paralajmëruar një ditë më parë dhe nga gazeta “Shqip”, një përfaqësi prej 4 mjekësh, Gent Stroni kryetar i Sindikatës, i shoqëruar nga Arjan Mezini, Altin Kuqo dhe Fatos Olldashi zhvilluan një takim me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në ambientet e kryeministrisë.


Në një intervistë për gazetën “Shqip”, kreu i sindikatës së Mjekëve Gent Stroni jep detaje për takimin dyorësh, duke shtuar të pranishëm ishin dhe drejtori i QSUT Enkelejd Joti, drejtoresha e Platformës së Bashkëqeverisjes në kryeministri, Eridana Cano, si dhe përfaqësues nga ministria e Arsimit.


Stroni tha se fryma e takimit ishte pozitive dhe mesjavën e ardhshme zyrtarizohet në ministrinë e Shëndetësisë marrëveshja e bashkëpunimit me Sindikatën e Mjekëve.


Si përfundoi takimi me ministren Manastirliu, për çfarë pikash nga kërkesat tuaja ratë dakord?


Takimi në kryeministri shkoi mirë, ne u njohëm zyrtarisht nga ministria e Shëndetësisë dhe organet drejtuese të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Kërkesat tona mbeten të njëjta, nuk tërheqim asnjë prej tyre. Por ramë dakord që ne si Sindikatë e mjekëve, prej ditës së sotme të ngremë grupe pune për secilën nga kërkesat tona. Ndërkohë që javën e ardhshme, në mesjavë do të zyrtarizojmë marrëveshjen e bashkëpunimit me ministrinë e Shëndetësisë.


A u diskutua rritja e pagës në takim, çfarë sugjeruat ju?
Në takim u fol për të gjitha çështjet tona, të pasqyruara dhe në kërkesën me shkrim që ja kemi përcjellë ministrisë së Shëndetësisë prej kohësh. Ne nuk do të mbetemi me kaq. Fitorja jonë e parë u arrit.


Sindikata e Mjekëve tashmë njihet zyrtarisht dhe çdo kërkesë e jona do të ketë mirëkuptimin për tu diskutuar e negociuar. Afatet e zgjidhjes së tyre mbeten për t’u parë por ne që sot nisim punën për të pasur konkretisht për çdo kërkesë të dhënat përkatëse që na kërkohen prej ministrisë.


Kërkesat e mjekëve ndaj qeverisë


-Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm.


-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.


-Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.


-Personelit shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.



©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.