Artan Tafani është emri i bujshëm i arrestuar nga policia e Lushnjes një ditë më parë. I riu ishte shpallur në kërkim si autor i grabitjes së një exchange në zonën e Astirit në Tiranë.

Hetimet më të thelluara zbuluan se Tafani është pjesë e grupit të Laert Haxhiut në Lushnje.

Por ajo që nuk pritej ishte bashkëpunimi i Tafanit me policinë duke zbardhur 6 vrasje të bujshme në vend, ku ndër të tjera përmend edhe emrin e vetë Haxhiut.

Duket se vendimi i Tafanit për t’u bërë bashkëpunëtor i drejtësisë ka nxjerrë në dritë vrasje të bëra ndër vite. Kanë mjaftuar fjalët e Tafanit, që policia dhe FNSH të ndërmarrin një aksion të shpejtë në disa qytete të vendit për të shoqëruar personat të lidhur me këto ngjarje kriminale që Tafani i solli në vëmendje.

Sipas Tafanit vrasjet janë kryer në llogari të Laert Haxhiut dhe janë ekzekutuar në disa vende si në Greqi, Elbasan, Korçë, Lushnje dhe Tepelenë.

6 VRASJET E ZBARDHURA

Lulzim Qorri, 12 Dhjetor 2018, Athinë

44-vjeçari Lulzim Qorri u ekzekutua në një atentat tipik mafioz teksa pinte kafe në një lokal pranë sheshit Omonia në Athinë.

Në orën 23:00, dy persona me motoçikletë ndalojnë para lokalit të tejmbushur me njerëz pasi luhej një ndeshje futbolli.

3 plumba në kokë nga ekzekutori në distancë të afërt i marrin jetën Qorrit.

Fridmand Xhaferraj, 13 Maj 2021, Korçë

Në rezervuarin e Gjançit gjendet trupi i pajetë i 25-vjeçarit Fridman Xhaferraj.

Ai dyshohet se u vra në qytetin e Korçës e më pas trupi u hodh në rezervuar. Pista e dyshimit: larje hesapesh.

Çajup Selimi, 1 Qershor 2021, Tepelenë

Në prag të derës së shtëpisë në lagjen “15 Shtatori” ekzekutohet para shtëpisë Çajup Selimi. Dikush e thirri 52-vjeçarin të dilte dhe ekzekutua në shkallët e katit të dytë të pallatit ku jetonte.

Sipas policisë në atë kohë, autorët e vrasjes dyshohet të ishin dy persona. Pista e dyshimit mendohet konkurrenca, për shkak të një biznesi që Selimi kishte në hyrje të qytetit.

Dikens Halili, 3 Tetor 2021, Athinë

39-vjeçari u ekzekutua në lokalin në pronësi të tij në lagjen “Agios Panteleimon”.

Shqiptari ka qenë në lokalin e tij pasditen e 3 Tetorit 2021 duke folur në telefon kur një person i paidentifikuar iu afrua dhe qëlloi në drejtim të tij 8 herë me armë.

Tepelenasit me precedentë të mëparshëm penalë në vitin 2010, iu bë atentat me tritol në makinë, por Halili mundi të shpëtonte.

Halili ishte pjesë e një bande që kërcënonin pronarët e “shtëpive të kuqe” në Athinë për t’u zhvatur para. Nëse pronarët nuk shantazhoheshin, ai u vendoste zjarrin bordellove.

Alban Semaku, 17 Tetor 2021, Peqin

38 vjeçari, u gjet i ekzekutuar me armë zjarri më 17 Tetor 2021 (Lexo më shumë).

Ai u vra me dy plumba në trup, një në shpinë dhe një në brinjë. Semaku deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali. Në Lushnje ai njihej me emrin “Elton Kinezi”.

Albi Bashaliu, 27 Dhjetor 2021, Elbasan

35-vjeçari u vra me armë në fshatin Gjoçaj të Peqinit. Viktima sapo kishte zbritur nga makina e tij për të shkuar në një kafe.

Pasi e ekzekutuan Bashaliut i dogjën edhe makinën. Ai kishte precedentë penalë pasi 4 vite më parë kishte qëlluar me armë në drejtim të 2 personave në Peqin. Ngjarja u dyshua për hakmarrje pasi po në Qershor të atij viti, vëllai i viktimës, Leonard Bashaliu vrau Ylber Xhahysën.

Bashaliu u konfliktua për motive banale me Ylber Xhahysën për gërvishtjen e makinës 5 vite më parë dhe ky konflikt çoi në atë ngjarje të rëndë kriminale.