Pas burgosjes së kryetarit aktual të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Partia Socialiste ka shpallur Ogerta Manastiliun si kandidate për drejtimin e kryeqytetit. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë punimeve të Asamblesë së PS-së.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se qytetarët e Tiranës nuk mund të presin më gjatë për të ditur drejtimin e bashkisë, duke vlerësuar përvojën dhe arritjet e Manastiliut në postet e mëparshme.

Ogerta Manastirliu është njeriu që i duhet sot Tiranës,” tha Rama, duke shtuar se kryeqyteti ka “punë të mëdha dhe të panumërta përditë e përnatë”. Ai falënderoi kryetaren e përkohshme për përkushtimin në këto shtatë muaj, por theksoi se është koha për një vendim politik që hap rrugën drejt zgjedhjeve të reja.

Rama u ndal edhe te çështja e Veliajt, duke e cilësuar “shkeljen më flagrante” faktin që atij i janë publikuar biseda me familjarët nga burgu:
“Sot kemi një kryetar bashkie të zgjedhur tre herë, i dënuar jo për detyrën si kryetar, por të ekspozuar në mënyrë të paprecedentë. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik.”

Kandidimi i Manastiliut vjen vetëm një ditë pasi SPAK dërgoi për gjykim dosjen ndaj Erion Veliajt.