Duket se mandati i fituar, një dhe i vetëm, nga koalicioni “Nisma- Shqipëria Bëhet” u kthye në “mollë sherri” për palët.
Vendimi i kandidatit Zeqir Kordhoni ditën e djeshme për t`i nisur një tjetër letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku shprehej këmbëngulës për të marrë mandatin e deputetit, nuk i ka pëlqyer aleatëve. Ai është renditur i 9-ti në listën e Tiranës dhe sipas CV-së së tij, ai është një punëtor ndërtimi dhe invalid që trajtohet me KEMP.
Në letër, Kordhoni shprehet se do e pranonte mandatin nëse rezulton fitues, duke i hequr kështu mundësinë për të hyrë në Kuvend kreut të “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapajt.

Koalicioni i Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit i mbushi listat e mbyllura me emra fiktivë dhe familjarë, duke u shprehur se të gjithë këta kandidatë do tërhiqeshin për ta kaluar mandatin tek kandidatët e listës së hapur.
Reagimi i Adriatik Lapajt
Pas këtij vendimi kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapajt, shprehu hapur revoltën ndaj kreut të “Nismës Thurje”, Endri Shabani, me të cilin krijoi koalicion për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Pasi daja i Shabanit, Zeqir Kordhoni ndërroi mendje dhe i kërkoi KQZ-së që të marrë mandatin e deputetit nëse shpallet fitues, Lapaj reagoi me ashpërsi.
Ai thotë se aleatit të tij, që tani po i kthehet në kundërshtar, i zgjati dorën. Ai shton se Shabani është i zhgënjyer, madje e bën pjesë “të kënetës”, kur thotë se “është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend”. Sipas tij, ndaj Shqipëria Bëhet” po bëhet pa drejtësi.
Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem.
Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament.
Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë. Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon! Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta “të rinjtë”, deri dhe te ky që e futa në gji…nga të gjithë.
Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI!
Populli do gjykojë”.
Përgjigja nga Endri Shabani
Nuk ka vonuar përgjigjja nga Shabani, i cili ka zgjedhur që thumbimet t’i bëjë përmes vargjeve të Kico Spirit:
“Mora pushkën dola malit,
Të luftoja për atdhe,
Ku ta dija unë i varfri,
Se armiku ishim ne.
Mora pushkën dola malit
Të luftoja në furtunë;
Ku ta dija unë i ngrati
Se armiku isha unë”.
Pas poezisë Shabani i është përgjigjur sërish Adriatik Lapajt, i cili pretendon se aleati i tij është pjesë e “komplotit” bashkë me dajën e tij, Zeqir Kordhoni, për të mbajtur mandatin e deputetit që “Nisma- Shqipëria Bëhet” fitoi më 11 maj në Tiranë.
Shabani e nis përgjigjen e tij duke shprehur keqardhje për “reagimin e nxituar” të Lapajt, që sipas tij, e ka shpallur “armikun e klasës”. Më tej ai thekson se mandati i ftuar nuk ka qenë kurrë i Lapajt dhe thotë se ai duhet ta falenderojë pasi pa koalicionin, nuk do ishte fituar ai mandat.
Keqardhje për Tikun!
Ndjej keqardhje nga deklarata e nxituar e Tikut ku më shpall mua armikun e klasës. Duhet ta kisha menduar se pas Arlindit dhe Agronit, kisha mbetur vetëm unë nga fronti i të rinjve.
Gjithsesi për interes publik, dua të sqaroj tre gjëra. E para, mandati i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet nuk ka qenë kurrë i Adriatikut. Tiku mund të jetë mësuar të përvetësojë punën e të tjerëve, por pa votat e Nismës Thurje, apo pa votat e mia, ai nuk do të ishte bërë kurrë deputet!!!
Në këto zgjedhje për të marrë një mandat në Tiranë duheshin 13500 vota. Adriatiku ka marrë 6436 vota. Kështu që, ato 7000 votat e tjera janë marrë nga kandidatë të tjerë.
Pra nëse nuk do ishim në koalicion, Shqipëria Bëhet do ishte jashtë Parlamentit. Kështuqë në vend që të më sulmojë Tiku duhet të më falenderojë!
E dyta, Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të bëhet burrë. Në këto zgjedhje ka patur vetëm një njeri që ka shpallur publikisht një angazhim përballë aktivistëve dhe votuesve, dhe ai është lideri i koalicionit.
Me zë dhe me figurë, në disa media, Adriatik Lapaj është zotuar publikisht, se nëse fitonim vetëm një mandat, ai mandat nuk do t’i takonte atij. Kjo deklaratë shërbente për të motivuar aktivistët që të punonin për interesin e përbashkët, dhe jo për të bërë Tikun deputet. Pas zgjedhjeve Adriatiku e drodhi, dhe kjo nuk u pëlqye nga shumë prej nesh, përfshi këtu edhe Zeqirin.
Duke besuar që “burri mbahet nga fjala” Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të mbajë fjalën dhe t’ia kalojë mandatin dikujt tjetër nga partia e tij.
E treta, nëse Tiku nuk mban përgjegjësi për vjerrin e tij, përse duhet të mbaj unë përgjegjësi për dajën tim? Prej kohësh kemi pranuar që përgjegjësia është individuale.
Dhe në fakt, si njeriu që firmosi listat, dhe që i vonoi dëri në 12 të natës, Tiku ka përgjegjësinë totale që gabimisht e futi Zeqirin në listë të mbyllur, duke e zëvendësuar me Majlina Zikon. Tani më kërkon mua përgjegjësi për një çorbë që e gatoi vetë!
Zeqiri është 60 vjeç burrë, dhe nuk mund të përdoret as nga unë, por as nga Adriatiku. Ai ka dinjitetin e tij, dhe kur pa që Adriatiku po luante lojra, reagoi. Ndërkohë që unë përpiqesha të qetësoja situatën, Tiku zgjodhi rrugën e presionit. Dhe kur Zeqiri, kur u përball me kërcenime ndaj fëmijëve të tij, ai vendosi të mos kthehej mbrapsht.
Të jem i sinqertë, unë nuk kam qënë dakord me sjelljen e Zeqirit, por kur shoh se si akoma pa pushtet këta janë të gatshëm të të kërcënojnë fëmijët nuk di çfarë të them.
Në fund të ditës, ne nuk po luftojmë që të zëvendësojmë ujqërit e vjetër me këlyshë të rinj që të vrasin për pushtet. Po luftojmë që politika të ketë një tjetër fytyrë: të ndershmërisë dhe fjalës së mbajtur. Dhe kjo betejë nuk do të ndalet nga ata që duan të kapin karrige, por do të fitohet nga ata që mbajnë fjalën edhe kur karrigia u kalon pranë.
Reagimet e tjera
Deputeti Dashnor Sula, ka ironizuar situatën e krijuar në Koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”, ku dy bashkëdrejtuesit, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani po përplasen me njëri-tjetrin për mandatin e vetëm që fituan në 11 maj.
“Kur do t’i bësh gropën tjetrit dhe bie vetë”, e nis reagimin e tij Sula, që tregon prapaskenat se përse tërheqi emrin nga lista e “Nisma Shqipëria Bëhet” para zgjedhjeve parlamentare.
Sula ishte kandidat në listën e Partisë Demokratike për qarkun Elbasan, por pasi Berisha e la në listë të hapur, demokrati i pakënaqur, hoqi dorë. Më pas, pranoi ftesën e Lapajt, por për shkak se nuk u arrit një akord për mënyrën se si do të funksiononte bashkëpunimi në qarkun e Elbasanit, u tërhoq.
“‘Kur do t’i bësh gropën tjetrit dhe bie vetë‘, kjo është ajo që po ndodh me Adriatik Lapajn, të cilin e paralajmërova për një skemë të tillë, kur më tha se kandidatët në listë të mbyllur në Elbasan do të jepnin dorëheqjen nëse unë do të kandidoja në këtë qark për subjektin që ai përfaqëson.
Në atë kohë i kërkova zotit Lapaj që në listë të mbyllur të vendosja një familjarin tim dhe ai/ajo të jepte dorëheqjen pasi të fitoja në listë të hapur. Zoti Lapaj kërkonte që unë të besoja te ajo që sot po e lë atë jashtë parlamentit të Shqipërisë. Kjo tregon se partitë e reja kanë mendësitë e partive të vjetra…”, shkruan Sula.
Po ashtu themeluesi dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i “Nisma Thurje”, Napolon Laska ka hedhur akuza të rënda ndaj kreut të kësaj nisme Endri Shabanit me anë të një postimi në rrjetet sociale. Laska shkruan se ndërkohë që të gjithë ishin përqendruar në fushatë Endri Shabani e kishte mendjen si të linte vetëm veten në parti, për të administruar fondet që do vinin nga KQZ. Ai ka shtuar se çdo akt i dorëzuar në gjykatë, para dhe pas zgjedhjeve të vitit 2021, për shkarkime apo zgjedhje apo zgjatje mandati në forumet drejtuese në parti është falsifikuar pasi asnjherë nuk është mbledhur kongresi dhe forume të tjera të partisë.
Laska thotë se pas zgjedhjeve Shabani u kujdes që të largoheshin dhe ata pak anëtarë që kishin ngelur, duke e kthyer Nisma Thurje nga shpresë për ndryshim në atë kohë, në Partinë njeriut të Vetëm. Sipas tij, të gjitha këto falsifikime dhe qëndrimi i tij në krye të partisë në kundërshtim me statutin janë bërë për të vjedhur 240 mijë Eurot e akorduara nga KZQ.
Si themelues dhe ish Sekretar i Përgjithshëm i Nisma Thurje duke marrë shkas nga zhvillimet e ditëve të fundit, nuk mund të rri i heshtur dhe pa thënë disa gjëra të cilat meritojnë vëmendjen e publikut. Kur është themeluar Nisma Thurje si parti, në fund të vitit 2020, statuti parashikonte që mos të kishte një kryetar të modelit të forcave të vjetra politike, por të kishte rotacion çdo 2 vite pa të drejtë rizgjedhjeje.
Gjithashtu, kryetari edhe pse i sanksionuar në statut si i tillë për shkak të kërkesave të ligjit, nuk kishte të drejtë vendimmarrje, por vendimmarrjen e kishte Çentrali, organ I partisë në të cilin vendimet merreshin në mënyrë demokratike. Me konsensus në atë kohë, edhe pse ishte përfshirë shumë vonë në Thurjen si organizatë, u vendos që Endri Shabani të ishte kryetar i parë I partisë, ndërkohë u vendos që unë të isha Sekretar i Përgjithshëm.
Ndërkohë që të gjithë ishim përqendruar në fushatë Endri Shabani e kishte mendjen si të linte vetëm veten në parti, për të administruar fondet që do vinin nga KQZ. Pas zgjedhjeve të vitit 2021 duke qenë se Nisma Thurje përfitiu rimbursim për çdo palë zgjedhje të shpenzimeve dhe një fond rreth 240 mijë Euro në 4 vite.
Çdo akt i dorëzuar në gjykatë, para dhe pas zgjedhjeve të vitit 2021, për shkarkime apo zgjedhje apo zgjatje mandati në forumet drejtuese në parti është falsifikuar pasi asnjherë nuk është mbledhur kongresi dhe forume të tjera të partisë. Sigurisht që pas zgjedhjeve u kujdes që të largoheshin dhe ata pak anëtarë që kishin ngelur, duke e kthyer Nisma Thurje nga shpresë për ndryshim në atë kohë, në Partinë njeriut të Vetëm. Të gjitha këto falsifikime dhe qëndrimi i tij në krye të partisë në kundërshtim me statutin sigurisht që janë bërë për të vjedhur 240 mijë Eurot e akorduara nga KZQ.
Ndaj sot, nuk jam i habitur që ky hajdut kronik tenton të vjedhë mandatin e Adriatik Lapajt dhe Lëvizjes Shqipëria Bëhet duke shkelur mbi mundin dhe djersën jo vetëm të Adriatikut por të qindra dhe mijëra aktivistëve e mbi të gjitha mbi besimin e mbi 70mijë votuesve. Hajdutët në politikê i kemi provuar, na dalin e teprojnë kêta që kemi. Si shokët edhe Shabani do vejë në burg ku e ka vendin si hajdut e mashtrues.