Pas një beteje 1 vjeçare në Gjykatën e Tiranës, Top Channel ka fituar gjyqin për shpifje me portalin Syri, për një artikull të botuar në 28 shkurt 2019.
Gjykata e Tiranës vendosi të pranojë në kërkesën e palëve paditëse në këtë rast televizionin Top Channel duke konstatuar shkaktimin e dëmit jopasuror ndaj shoqërisë paditëse Top Channel sh.a i njohur si një televizion mbarë kombëtar.
Gjykata detyroi palën e paditur “Qendra për Informim të Hapur”, pronare e domainit Syri.Net. të publikojë me shpenzimet e saj një deklaratë përgënjeshtruese të lajmit në faqen zyrtare web të Syri.Net, pasi vendimi i gjykatës të marrë formë të prerë.
Artikulli i botuar nga portali Syri, ishte i pabazuar në prova, madje tendencioz dhe shpifës. Në artikull thuhej se drejtuesit e Top Channel, i kanë vendosur gjobë, biznesit CFO Pharma duke i kërkuar një shumë prej 200 mijë eurosh. Dhe për ta bërë më të besueshëm, portali Syri publikoi një letër për t’i treguar publikut se gjoba ishte kërkuar me shkresë. Pikërisht këtu ishte stisja më absurde që mund të bënte një portal. Në letër ishte kërkesa për informacion, e dërguar ndaj disa kompanive, lidhur me një investigim të emisionit Top Story.
Top Story nuk mori asnjë përgjigje, megjithatë emisioni u transmetua duke mos shfaqur asnjë emër kompanie. Ky ishte modeli më i keq i gazetarisë, ku të akuzosh kolegët për gjobëvënie, pa pasur asnjë provë të vetme.
Vetë pronari i CFO Pharma ka dërguar një letër ku kërkon ndjesë publike për konfliktin me Top Channel. Ndërkohë portalet e tjera e riprodhuan shpifjen, duke e kopjuar nga portali Syri.
Megjithatë, sot fitoi e drejta! Portali Syri u dënua për shpifje dhe kjo është vetëm një nga dhjetra procese gjyqësore që ka Top Channel ndaj disa portaleve. Kohët e fundit, Top Channel dhe drejtuesit e saj janë sulmuar nga portale të paguara nga biznesi dhe qarqe të caktuara politike. Vetëm në harkun e 2 viteve, Syri dhe portalet e tjera kanë publikuar mbi 200 artikuj kundër Top Channel.
E sikur të mos mjaftonin këto, në rreshtin e shpifësve është edhe korrespondenti part-time i TV Klan, Sali Berisha. Ky i fundit lexon çdo shkrim kundër Top Channel dhe nga zyra e tij përballë “Ambasador 3”, i publikon në faqen personale të facebook.
Për të gjithë shpifësit ka nisur një proces gjyqësor! Ne këtu jemi dhe do të shohim sesi këto portale do të mbajnë në kurriz, nofkën si “shpifës mediatik”.