Top Channel ka siguruar pamjet nga momentet e operacionit të forcave speciale RENEA, të cilat rrethojnë automjetin ku ndodhej 35-vjeçari Refit Buzi, pas pengmarrjes së 24-vjeçares Rozalinda Plaku.

Në video shihen efektivët e RENEA-s dhe negociatorët e Policisë së Shtetit, të cilët për disa orë me radhë përpiqen ta bindin autorin të dorëzohet dhe të lirojë të renë, ndërsa në terren ndodheshin edhe drejtues të Policisë së Fierit dhe prokurorë të Prokurorisë së Fierit që ndoqën nga afër të gjithë operacionin.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të negociatorëve për t’i dhënë fund situatës pa pasoja të tjera, Refit Buzi refuzoi të dorëzohej. Pas një operacioni të gjatë dhe delikat, 24-vjeçarja Rozalinda Plaku u lirua e padëmtuar dhe u dërgua në një zonë të sigurt. Negociatat e punonjësve të policisë me 35-vjeçarin vijuan edhe për disa orë me radhë, derisa ky i fundit i dha fund jetës brenda makinës.

Ngjarja e rëndë nisi që në orët e para të mëngjesit të së premtes, në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku Refit Buzi shkoi në banesën e ish-të fejuarës së tij dhe qëlloi me armë zjarri ndaj prindërve të saj. Si pasojë e të shtënave humbën jetën dy prindërit e 24-vjeçares, ndërsa më pas autori e mori peng të renë dhe u largua me automjet.

Për disa orë, dhjetëra forca policie, efektivë të RENEA-s dhe negociatorë zhvilluan një operacion të gjerë për lokalizimin dhe izolimin e autorit, duke bërë çdo përpjekje për ta zgjidhur situatën pa rrezikuar jetën e pengut. Pas lirimit të Rozalinda Plakut, operacioni mori fund me gjetjen e pajetë të 35-vjeçarit brenda automjetit.

Ndërkohë, grupi hetimor vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe motivet që çuan në një nga krimet më të rënda të ndodhura së fundmi në qarkun e Fierit.