Eric Wendt, kandidati i propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump për postin e ambasadorit të SHBA në Shqipëri, do të dalë sot në orën 16:00 përpara Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan, në një seancë dëgjimore që është pjesë e procesit zyrtar të konfirmimit të tij.
Gjatë dëshmisë në Senat, pritet që Wendt të ndalet te marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Tiranës, bashkëpunimi strategjik në fushën e mbrojtjes, si edhe situata politike dhe e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
I nominuari për ambasador vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake në Shtetet e Bashkuara. Eric Wendt është ish-gjeneral me tre yje dhe ka shërbyer për më shumë se tre dekada në strukturat amerikane të sigurisë dhe mbrojtjes.
Ai ka qenë gjithashtu komandant i forcave speciale të NATO-s dhe ka mbajtur role kyçe në misione dhe operacione në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme, duke krijuar profilin e një eksperti me përvojë të gjerë në çështjet ushtarake dhe ndërkombëtare.
Seanca e sotme konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt emërimit të tij zyrtar si përfaqësues i SHBA në Tiranë.
