Një 33-vjeçar shqiptar, Olsien Muçobega, u kthye në simbol të solidaritetit dhe humanizmit në Greqi, pasi kamerat e fiksuan në momentin kur shpëtonte një dele nga zjarri shkatërrimtar në Patra. I riu nga Tepelena mbante kafshën në krah ndërsa lëvizte me motor, një imazh që preku zemrat e qytetarëve grekë dhe nxori në pah anën më të ndritur të një dite tragjike.

Por ky nuk ishte veprimi i tij i vetëm. Për mediat greke, Muçobega tregoi se të njëjtën ditë kishte shpëtuar edhe shumë kafshë të tjera, mes tyre qentë e lidhur që ishin braktisur nga të zotët. “A e dini sa kafshë shpëtuam? Qen, shumë qen të lidhur. Po çmendem me atë që shoh. Njerëzit ikin dhe i lënë të lidhur – kjo nuk është thjesht neglizhencë, është krim,” u shpreh ai i indinjuar.

Nga Tepelena në Patra

Olsieni mbërriti në Greqi vetëm 3-vjeç, së bashku me familjen. Babai punonte në ndërtim, ndërsa e ëma ishte shtëpiake. Që i vogël ai nisi punën për të ndihmuar familjen, duke provuar profesione të ndryshme: piktor, shpërndarës, punëtor në restorante. Sot është i martuar me Maria-Elenin, një grua greke, dhe kanë dy fëmijë, Georgianna dhe Jasona.

Megjithëse ka kaluar gjithë jetën në Greqi, ende përballet me vështirësi ligjore e burokratike. “Kam një problem me Rajonin, nuk më japin leje. Në fakt, duhet të kisha marrë pasaportën greke prej kohësh,” thotë ai me keqardhje.

Dashuria për kafshët

Në ditën e zjarrit, Olsieni ishte në terren së bashku me anëtarë të shoqatës AEK, duke ndihmuar zjarrfikësit. Ajo që e shtyu të rrezikonte ishte dashuria e tij e madhe për kafshët dhe dëshira për të shpëtuar gjithçka që mund të shpëtohej. “Jam i çmendur pas kafshëve,” thotë ai me buzëqeshje, duke theksuar se shumica e kafshëve që shpëtuan i përkisnin një fermeri të moshuar, i cili përpiqej të mbronte pronën e vet nga flakët.

Edhe pse publiku e sheh si hero, Olsien Muçobega e sheh veten ndryshe: një njeri që bëri atë që ishte e natyrshme — të mos braktiste të gjallat në mes të katastrofës.