Ilir Meta mbetet në qendër të vëmendjes që pas arrestimit të tij pas akuzave për korrupsion pasiv. Ditën e sotme në emisionin “Breaking” në Top News ishin avokati Redi Ramaj dhe eksperti i sigurisë Faik Basha.
Ata kanë analizuar çështjen e akuzave të zotit Meta dhe kanë nxjerrë përfundimet se kush tjetër mund të jetë pergjegjës veç tij në këtë çështje.
Avokati Redi Ramaj deklaroi se SPAK ka ngritur zyrtarisht akuza të rënda ndaj Ilir Metës, për korrupsion pasiv të një zyrtari të lartë dhe lobim të paligjshëm. Sipas tij, Meta si kryetar i partisë në kohën kur ndodhën veprimet, mban përgjegjësinë kryesore dhe rrezikon dënim deri në 14 vite burg.
Eksperti i sigurisë Faik Basha tha se drejtësia duhet të sqarojë përgjegjësitë, ndërsa shtoi se nuk mund të gjykohet askush pa një akuzë konkrete. Ai theksoi se tradhtia brenda partisë duhet analizuar me fakte, dhe se përgjegjësit duhet të japin llogari para ligjit.
Redi Ramaj, avokat:
SPAK, në këtë moment, ka çuar përpara akuzat që kishte kërkuar më herët, dhe tashmë pritet zhvillimi i situatës, pasi zoti Meta do të përballet me akuzat e ngritura për korrupsion dhe për lobim. Në dijeninë time, të dyja akuzat janë bashkuar dhe do të gjykohen nga një gjyqtar i vetëm, kur të paraqitet aktakuza. Akuzat janë të rënda; dihet që kryesorja është ajo për “korrupsion pasiv të zyrtarit të lartë”, e cila parashikon një dënim të lartë, nga 12 deri në 14 vite burg.
Unë dëgjova avokatin e zotit Meta. Ai po ndjek një strategji mbrojtjeje, ishte korrekt pa përmendur emra, por duhet ndarë qartë se kush është përgjegjës për kontratën për të cilën po akuzohet zoti Meta. Akuza kryesore nga Prokuroria e Posaçme është kundër zotit Meta. Do të jetë e vështirë për mbrojtjen, por jo e pamundur. Nga këndvështrimi im, për interesin publik, është e rëndësishme që të arrihet drejtësia përfundimtare. Nuk ka rëndësi kush dënohet, por të kemi një vendim përfundimtar, qoftë me fajësi ose me pafajësi. Këtu qëndron interesi i qytetarëve jo kush dënohet, por që drejtësia të flasë.
Faik Basha, ekspert sigurie:
Unë nuk kam qenë pjesë e kësaj çështjeje, pasi bëhet fjalë për vite të hershme kur nuk kam qenë aktivisht i përfshirë. Siç e shpjegoi edhe avokati, duhet të dalë e vërteta. Nëse ka pasur faj, atëherë dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Të gjithë kanë folur pas shpine, por zoti Meta, avokati i tij dhe personat që kanë qenë drejtues, duhet të japin shpjegime në dyert e drejtësisë. Nëse veprimet kanë qenë të rregullta, nuk kemi pse të fajësojmë askënd.
Emrat janë përmendur bazuar në detyrat dhe hierarkinë që kanë pasur pra, kush e ka drejtuar dhe si është financuar partia. Askush nuk është fajtor pa u ngritur një akuzë konkrete nga gjykata. Duhet të presim aktakuzën zyrtare.
Është folur, dhe zoti Meta ka folur, për persona që kanë keqmenaxhuar drejtimin e partisë dhe kanë bashkëpunuar në mënyra që nuk i kanë shërbyer misionit të asaj partie. Duhet ta pranojmë që ka pasur persona që kanë keqpërdorur besimin e dhënë. Por kur flasim për emra konkretë, unë nuk mund të jap përfundime pa pasur fakte publike. Unë bëj analiza të thelluara për shkak të profesionit dhe vetëm pas kësaj mund të arrij në përfundime se kush e ka drejtuar partinë gabim. Nëse zoti Meta përmend emra, unë nuk mund të dal në përfundim pa një analizë të plotë.
Moderatorja: Tradhtarët janë akoma pjesë e partisë?
Faik Basha: Po, po, por nuk mund të them asgjë pa bërë analizën.
Redi Ramaj, avokat:
Në kohën kur kanë ndodhur këto ngjarje, çështja e lobimit në SHBA dhe çështjet e tjera ishin në periudhën kur zoti Meta ishte kryetar i partisë. Përfundimin për bashkëpunimet me të tretët e jep kryetari i partisë. Personi përgjegjës për bashkëpunimet me palë të treta është gjithmonë kryetari i partisë. Prandaj, akuzat e prokurorisë qëndrojnë mbi zotin Meta. Mbrojtja do ta ketë të vështirë ta kalojë përgjegjësinë te persona të tjerë, sepse kur ekziston një kryetar dhe veprimet janë të dokumentuara si të rregullta, përgjegjësia përfundimtare bie mbi kryetarin.
Faik Basha: Jam dakord por edhe kur administratori apo anëtarë që kanë keqmenaxhuar detyrat e tyre dhe ebsimin e dhënë, por përgjegjsia penale kalon drejtpërdrejtë te personat që e kanë ekzekutuar. Partia e Lirisë ka ardhur duke u tkurrur në masë, në një analizë del një humbje e thellë, si u administrua kjo gjë? Nuk ka largime, po them që partia prodhon lidership njerëz që menaxhojnë, kur vendos një administrator që keqinformon, keqmenaxhon…
Moderatorja: Zoti Basha vetëm emrin nuk keni thënë se kur ju thoni për anëtarët që administrojnë Partinë e Lirisë e keni fjalën për zoti Tedi Blushin, sese ne e dimë kush drejton pas zotit Meta?
Faik Basha: Nuk e kam vetëm për individin unë e kam për mënyrën si u menaxhua dhe nuk dua të përmend emra.