Gjykata Kushtetuese me një vendim të marrë i ka dhënë të drejtë Emiljano Shullazit duke e cilësuar si jo të drejtë izolimin në regjimin 41 bis në burg, i marrë herën e parë nga ministria e Drejtësisë.

Vendimi i Kushtetueses është marrë më 22 shkurt, por se vetëm sot ai është shpallur në mënyrë përfundimtare.

“Gjykata vendosi: 1.Konstatimin e cenimit të së drejtës për proces të rregullt ligjor gjatë gjykimit të ankimit ndaj urdhrit nr. 253, datë 28.07.2020 të ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë për të paraburgosurin Emiljano Shullazi”, si pasojë e mosrespektimit të parimit të kontradiktoritetit.  Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, kështu thuhet në vendimin e GJK-së të siguruar nga Gazeta Shqip, i cili mësohet se është marrë njëzëri nga ana e anëtarëve të këtij institucioni.

Shullazi kishte kontestuar vendimin për tu futur në izolim në qelitë e burgut dhe se ankimimi më i fundit ishte ai në Gjykatën e Lartë. Pikërisht kjo Gjykatë do t’ia rrëzonte kërkesën, e më pas ai iu drejtua Gjykatës Kushtetuese.

Që nga 1 gushti anëtarët të bandës së Emiljano Shullazit, por edhe të dënuar të tjerë si: Arbjon Aliko, Arbër Çekaj dhe Genci Balla janë disa prej të dënuarve që janë izoluar në regjimin ‘41-bis’.

Shullazi u dënua me vendim të formës së prerë pas 83 seancash gjyqësore që u zhvilluan në harkun kohor të më shumë se 2 viteve në GJKKO (Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar). Ai u dënua me 14 vite burg, ndërsa me 12 vite burg u dënua Gilmando Danin, Endrit Qyqja me 10 vite, Indrit Zela me 10 vite dhe Blerim Shullazi me 9 vite burg.

Shullazi akuzohet edhe për vrasjet e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, në vitin 2005. Shullazi është në vitin e dytë të qëndrimit në këtë regjim dënimi. Vendimi për izolimin e tij në ’41 biss’ u miratua nga Ministria e Drejtësisë.

Argumentet e Shullazit

Një ndër pretendimet e paraqitura nga ankimuesi, është se Shullazi duke qenë në izolim nuk është njohur me dosjet që rëndojnë mbi të dhe që përbëjnë një sekret hetimor.  “Urdhri nr. 474/2021 i ministrit të Drejtësisë, që ka zgjatur masën e regjimit të posaçëm ndaj kërkuesit edhe për një vit, është bazuar sërish në 4 shkresa  të klasifikuara “sekret”, me përmbajtjen e të cilave ai nuk është njohur. Ndërhyrja që ligji nr. 81/2020, si ligj i zakonshëm, ka bërë në KPP është e sforcuar, pasi vendimi i ministrit të Drejtësisë përbën një akt administrativ dhe jo vendim gjyqësor. Si i tillë, kundërshtimi i tij duhet të bëhet sipas dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative, duke thirrur si subjekt të interesuar në këtë gjykim ministrin e Drejtësisë. Kërkesat e kërkuesit për thirrjen në gjykim të këtij ministri, gjatë procedurave të kundërshtimit të urdhrit nr. 474/2021, nuk u morën parasysh as nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe as nga Gjykata e Posaçme e Apelit”, thuhet në vendimin e GJK-së si pretendim për palët.

Gjykata e cilëson si antikushtetuese

Gjykata në vendimin e saj shprehet se Shullazit i janë shkelur të drejtat kushtetuese për një proces të rregullt ligjor. “Neni 42, pika 1, i Kushtetutës parashikon se liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor. Kjo dispozitë sanksionon të drejtën për gjykim, ku e drejta e aksesit, që është e drejta për të vënë në lëvizje gjykatën, përbën një aspekt të saj. E drejta e aksesit u garanton subjekteve të cenuara të drejtën t’i drejtohen një gjykate, e cila do t’i dëgjojë pretendimet e tyre dhe do të shpallë një vendim pas një gjykimi të drejtë dhe publik. Kjo e drejtë e individit nuk përfshin vetëm të drejtën për të vënë në lëvizje gjykatën, por edhe të drejtën për të pasur prej saj një zgjidhje përfundimtare për mosmarrëveshjen objekt gjykimi, pasi aksesi në gjykatë duhet të jetë substancial dhe jo thjesht formal. Në rast se mohohet kjo e drejtë procesi konsiderohet i parregullt, sepse aksesi në gjykatë është, para së gjithash, një kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e të drejtave të tjera të individit (shih vendimet nr. 22, datë 29.04.2021; nr. 3, datë 23.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese)”, thuhet në argumentin e GJK.

Sipas Gjykatës, parimi i barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit nënkupton se çdokush që është palë në proces duhet të ketë mundësi të barabarta që të paraqesë çështjen e tij dhe se asnjë palë nuk duhet të gëzojë avantazh të konsiderueshëm ndaj palës tjetër, por duhet të përcaktohet një ekuilibër i drejtë mes palëve. Nëse nuk do të ekzistonte barazia e armëve në gjykim, atëherë argumentet e njërës palë do të mbizotëronin mbi argumentet e palës tjetër, për rrjedhojë e drejta për të marrë pjesë në gjykim do të zhvishej nga funksioni i saj kushtetues për të garantuar një proces të rregullt ligjor. Bazuar në këto parime, gjykatës i dalin një sërë detyrash, mes të cilave rëndësi të veçantë merr krijimi i mundësive të barabarta për pjesëmarrjen e palëve ose përfaqësuesve të tyre në proces, si dhe mundësia e deklarimit të tyre për faktet, provat dhe vlerësimet ligjore që janë të lidhura ngushtë me çështjen që shqyrtohet në gjykatë (shih vendimet nr. 22, datë 29.04.2021; nr. 19, datë 01.04.2021 të Gjykatës Kushtetuese).

:Edhe pse në pretendimet e tij kërkuesi e ka cilësuar urdhrin nr. 253/2020 si një urdhër me natyrë administrativo-penale, Gjykata konstaton se ai përbën një akt administrativ dhe se kompetenca për nxjerrjen e tij i është njohur ministrit të Drejtësisë me ligj, e konkretisht me ligjin nr. 8328/1998. Në këtë kuptim, Gjykata do të analizojë procesin me objekt kundërshtimin e këtij urdhri në drejtim të cenimit të së drejtës së kërkuesit për njohjen me aktet mbi të cilat është bazuar vendosja e tij në këtë regjim me qëllim të garantimit të parimit të kontradiktoritetit në gjykim, i cili është i zbatueshëm edhe në rastin e shqyrtimit nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm të urdhrave të kësaj natyre”, thuhet më tej në vendim.

Çfarë është regjimi “41-bis”?
Për herë të parë të parë në Itali termi “41-biss” është prezantuar në vitin 1992, kohë kur humbën jetën Giovani Falcone dhe Paolo Borselino, si mburojë specifike për anëtarët e grupit mafioz Cosa Nostra dhe grupe të tjera të ngjashme me të. Me vdekjen në qeli të bosit të Cosa Nostrës, Toto Rina në nëntor të 2017-ës, “41-bis” u rikthye sërish në qendër të vëmendjes në Itali, për të ringritur edhe një herë sigurinë në burgje.

Thelbi i regjimit “41-bis” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë. Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale. Kështu, atyre u bllokohet mundësia që të japin urdhra për vrasje dhe krime ndërkohë që janë në burg. Limitimi i numrit të takimeve me familjarët, është një ndër rregullat strikte, ku saktësohet maksimumi 1 takim në muaj.

Po ashtu ndalohet kontakti fizik me familjarët, ndërsa çdo bisedë mes tyre është e regjistruar. Të burgosurit kanë mundësinë e një telefonate 10 minutëshe në muaj, edhe ajo e regjistruar. Çdo korrespondencë me jashtë do të jetë e kontrolluar. Të burgosurit i ndalohet çdo objekt personal në qeli, si stilolaps, blloqe apo lekë. Të burgosurit janë aq të vëzhguar sa është e pamundur të komunikojnë mes të dënuarve, të gatuajnë, të shkëmbejnë objekte dhe janë grupe sociale të ndryshme të dënuarish.

Në Itali kjo platformë ligjore aplikohet në 23 institucione të vuajtjes së dënimit në të gjithë territorin italian. Por burgjet shqiptare nuk kanë kushte për të plotësuar standardet e ‘41 biss’, dhe autoritetet janë përpjekur të përshtatin këtë lloj regjimi me atë që parashikon ligji shqiptar. Ky ligj u miratua me 76 vota në seancën parlamentare të 21 dhjetorit 2018.

Disa nga Argumentet e Gjykatës Kushtetuese

 

Gjykata vëren se ligji nr. 8457/1999 dhe vendimi nr. 188, datë 04.03.2015 i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit” parashikojnë  kushtet, kriteret, rregullat, si dhe subjektet që mund të kenë akses në informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”, ku përfshihen edhe institucionet shtetërore, të cilat gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, njihen, prodhojnë, ruajnë, administrojnë, transportojnë dhe transmetojnë informacion të klasifikuar.

Nga sa më lart, Gjykata konstaton se, pavarësisht se bazuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë mund të kishte akses në informacionin e klasifikuar mbi të cilin është bazuar urdhri nr. 253/2020 i ministrit të Drejtësisë për vendosjen e kërkuesit në regjimin e posaçëm të burgut të sigurisë së lartë, ajo ka vlerësuar të kthejë  materialet e dërguara nga Ministria e Drejtësisë, duke e vlerësuar urdhrin e ministrit vetëm nga ana formalo-procedurale dhe jo nga ajo substanciale.

Gjykata vëren se pavarësisht se në ankimin e tij drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkuesi kishte ngritur pretendime jo vetëm për procedurat e nxjerrjes së urdhrit nr. 253/2020, por edhe për thelbin, gjykata nuk ka vlerësuar nëse të dhënat e akteve, mbi të cilat është bazuar ky urdhër, janë marrë në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi, nëse kërkuesi duhej të ishte njohur me këto akte me qëllim të garantimit të së drejtës së tij për një proces të rregullt ligjor në drejtim të kontradiktoritetit, si dhe nëse në nxjerrjen e tyre organet shtetërore kanë vepruar në përputhje me ligjin dhe jo në mënyrë abuzive ose arbitrare.

Për pasojë, mungesa e shqyrtimit të elementeve substanciale të urdhrit nr. 253/2020 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë nuk u konstatua dhe nuk u rregullua nga Gjykata e Posaçme e Apelit ose Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të kërkuesit për vlerësimin nga gjykatat të urdhrit të ministrit të Drejtësisë, me qëllim që, të paktën ato, të njiheshin me përmbajtjen e këtyre akteve.

Gjykata evidenton se në çështjen konkrete, pretendimet e kërkuesit për procesin e rregullt duhen vlerësuar edhe të analizuara në kontekstin e statusit të kërkuesit, të cilit i është hequr liria sipas nenit 27, pika 2, shkronja “c”, të Kushtetutës, përgjatë procesit penal ku po gjykohet fajësia e tij për kryerjen e një vepre penale dhe, për më tepër, duke marrë shkas edhe nga fakti se ndaj tij është zbatuar një regjim i posaçëm, edhe më rigoroz në drejtim të kufizimit të lirisë dhe të të drejtave të tjera. Pa paragjykuar fajësinë për kryerjen e veprës penale ndaj tij, për shkak të së cilës kërkuesit i është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg” dhe vërtetësinë e të dhënave, për shkak të të cilave ndaj tij është caktuar masa e regjimit të posaçëm, Gjykata thekson se sipas nenit 15 të Kushtetutës, organet e pushtetit publik kanë detyrimin të respektojnë të drejtën për proces të rregullt ligjor edhe ndaj personave, të cilëve sipas ligjit iu është kufizuar liria, pasi, ashtu si të drejtat e tjera, edhe kjo e drejtë është e pandashme, e patjetërsueshme dhe e padhunueshme. 

Në këtë pikëpamje, duhet vënë re se në rastin e kësaj kategorie individësh, liria e të cilëve është kufizuar sipas ligjit, organet e pushtetit publik kanë detyrime shtesë për të dëshmuar se të drejtat kushtetuese të tyre respektohen dhe, pikërisht për këtë arsye, nenet 27 dhe 28 të Kushtetutës parashikojnë garanci specifike për këtë kategori individësh, ku ritheksohet në mënyrë të veçantë se çdo person, të cilit i është hequr liria, ka të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të tij.

Për sa më lart, Gjykata çmon se, në rastin konkret, kërkuesit i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor në drejtim të garantimit të parimit të kontradiktoritetit në gjykim.

Megjithatë, Gjykata vlerëson se pavarësisht konstatimit të shkeljes së të drejtave themelore në rastin e kërkuesit, dërgimi i çështjes për rishqyrtim në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm nuk do të sillte ndonjë rezultat konkret për të. Në këto kushte, duke pasur parasysh shuarjen e efekteve të urdhrit të kundërshtuar për shkak të mbarimit të afatit të tij, Gjykata vlerëson të shprehet vetëm për konstatimin e cenimit të së drejtës për proces të rregullt ligjor gjatë gjykimit të ankimit të kërkuesit ndaj urdhrit nr. 253/2020 të ministrit të Drejtësisë.

Si përfundim, Gjykata çmon se, kërkuesit i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor në drejtim të garantimit të parimit të kontradiktoritetit në gjykim.

PËR KËTO ARSYE,

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës, si dhe neneve 71 dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,

V E N D O S I :

1.   Konstatimin e cenimit të së drejtës për proces të rregullt ligjor gjatë gjykimit të ankimit ndaj urdhrit nr. 253, datë 28.07.2020 të ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë për të paraburgosurin Emiljano Shullazi”, si pasojë e mosrespektimit të parimit të kontradiktoritetit.

Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare./Gazeta Shqip