Tiranë- Presidenti serb Aleksandar Vuçiç do të jetë në Tiranë në datat 20 dhe 21 dhjetor për një takim të nismës rajonale të Ballkanit të Hapur.

Mediat serbe shkruajnë se në takimin e organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Për vizitën e Vuçiç në kryeqytet foli pak ditë më parë edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Madje nga Kuvendi i thirrur më 11 Dhjetor, lideri historik i demokratëve e paralajmëroi presidentin serb që të mos vijë në Tiranë.

Berisha deklaroi se Vuçiç do t’i ketë rrugët dhe sheshet plot me qytetarë shqiptarë.

Ballkani i Hapur është Ballkani i Hegjemonisë serbe, i zonës së influencës direke ruse. Është Ballkani i interesave antikombëtare, anti-europiane, projekti që kërkon që të zëvendësojë shqiptarëve me kombe të tjera, procesin e Berlinit me procesin e Putinit. Ne zotohemi që t’i japim fund këtij procesi. Paralajmërojmë Sllobodanin e ri të Milloshevic mos mendo që të vish në Tiranë. Sheshet dhe rrugët do t’i kesh plot në Tiranë.”, tha Berisha pesë ditë më parë.

Si u propozua Open Ballkan dhe çfarë synon kjo nismë:

Nisma për krjimin e Open Balkan ose njohur ndryshe si Mini-Schengen është propozuar për herë të parë nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano në fillim të viteve 1990.

Ideja e Nanos ishte për krijimin e një zone të përbashkët ekonomike në gadishullin ballkanik. Por, kjo ide nuk u elaborua për shkak të nisjes së luftërave në ish-Jugosllavi.

Një iniciativë të tillë e ka rikthyer në tryezën e diskutimit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë takimeve të mbajtura në kuadër të Procesit të Berlinit. Në vitin 2018, Rama propozoi një ide të tillë për përmirësimin e marrëdhënieve politike mes vendeve të rajonit.

Planet për krijimin e Open Balkan u deklaruan për herë të parë në takimin e mbajtur më 10 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë.

Më pas pati dy takime të tjera të liderve të tre vendeve më 11 nëntor 2019 në Ohër dhe më 12 dhjetor 2019 në Tiranë.

Më 29 korrik 2021 në Ohër, Vuçiç, Rama dhe Zaev nënshkruan marrëveshjen për liberalizimin e qarkullimit të mallrave, unifikimin e tregut të punës dhe bashkëpunimin kundër katastrofave.

Serbët dhe shqiptarët përbëjnë dy etnitë dominuese në Open Balkan duke pasur një shtrirje të popullsisë në të paktën tre shtete. Të tre vendet së bashku kanë një GDP prej 88 miliardë dollarë.

Deri tani pjesë e kësaj iniciative janë bërë vetëm këto tre vende ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina kanë hezituar t’i bashkohen.

Kosova nuk ka marrë pjesë në takimet për këtë iniciativë edhe pse Marrëveshja e Uashingtonit parashikonte se Beogradi dhe Prishtina do t’i bashkoheshin “mini-schengen”.

Kurse Bosnje-Hercegoniva dhe Mali i Zi pavarësisht ftesave janë deklaruar se do të mbeten spektatore./Gazeta Shqip