Zgjedhjet 11 majit 2025 ishin një tjetër mundësi për Partinë Demokratike për të reflektuar mbi Kuvendin e Kërpëratave që prodhoi strategjia e djegies së mandateve në 2019, një lëvizje për të provokuar zgjedhje të parakoshme, por që si çdo atavizëm tjetër gjatë këtyre viteve në opozitë, u kthye në bumerang. Pas ‘të korrave’ të këtij vendimi, ideatorët Berisha-Meta akuzuan Lulzim Bashën, i cili pasi u shpall armik i brendshëm, u kthye në hambar i shumë mëkateve, disa prej të cilave i dëgjonte për herë të parë.
Po a është distancuar Sali Berisha nga Kuvendi i Kërpëratave që i faturoi Lulzim Bashës? Përgjigja gjenden tek disa personazhe të grupit aktual parlamentar të PD-së, me tituj dhe grada si hotelet me shumë yje, të cilët kanë nisur të shpërfaqin vlerat e tyre që në krye të sesionit parlamentar.
Ditët e fundit vëmendjen e mori deputeti i PD-së, Xhelal Mziu, i cili në 22 korrik 2013 (5 muaj para se të arrestohej për afera me tendera) ka marrë gradën shkencore ‘Doktor’ nga Universiteti i Kamzës. Shpërthimi i një sasie tritoli pranë shtëpisë së tij, besohet për çështje shamikuqesh, nxori në pah vilën e tij luksoze me palma, të cilën e ka deklaruar 5.7 milionë lekë (rreth 60 mijë euro), me burim të pretenduar të ardhura nga puna si emigrat në Greqi, rrogat dhe një kredi.
Pas mesazhit me shpërthim, një ngjarje e rëndë kriminale, doktor Mziu tha se ishte menduar gjatë dhe se kishte dalë në përfundimin se nuk kishte asnjë armik tjetër përpos Edi Ramës, i cili pas dështimit për t’a blerë, ndoshta për t’a bërë ministër Bujqësie, Rama e ka përjetuar dramatikisht refuzimin e doktorit, ku për rrjedhojë është hakmarrë me tritol ndaj tij.
Gjuha shkon aty ku dhemb dhëmbi. Deputetit të PD-së, Gjin Gjoni, një tjetër doktor pa arsim të lartë, mendja duket se i rri vetëm tek paratë, një personazh që ishte me shapka kur kapi çekiçin e drejtësisë pas ‘specializimit’ te Ura Dajlanit’, ndërsa kur Vetingu ia hoqi çekiçin bashkë me mantelin, doli si sheik nga sistemi.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, pas senacën së tensionuar nga provokimi i Ramës me Diellën si një beze e kuqe në arenë, Gjin Gjoni propozoi që të paguanin 20 mijë vetë me nga 1 mijë euro për të bllokuar Parlamentin. Propozimi i doktor Gjonit, për të rrëzuar Edi Ramën me para, duket se vjen nga përvoja e tij si gjyqtar, ku një vendim që nuk blihet me para, blihet me shumë para!
Gjin Gjoni është arsimuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, dega Veterinari. Megjithatë, Gjin Gjoni mban sot gradën doktor, mbrojtur në Fakultetin e Drejtësisë Tiranë, Departamenti i të Drejtës Civile, me udhëheqëse shkencore Endirë Bushatin. Mbrotja e gradës doktor nënkupton se Gjin Gjoni duhet t’a ketë kryer arsimin e lartë për juridik.
Në CV-në zyrtare të Gjin Gjonit, administruar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, para se t’ia mbathte nga frika e Vetingut dhe një raporti sekret rë SHISH që e damkoste si të korruptuar, thuhet se Gjoni ka kryer një kurs të përshpejtuar universitar, Universiteti i Tiranës. Në fakt ka kryer kursin e ‘Plepave’. Kurse të përshpejtuar mund të bëhen për berber, murator, manikyr, kuzhinier etj. Kurs i përshpejtuar nuk eksziston në arsimin e lartë. Diploma për arsimin e lartë juridik përfshin 4 vite akademike (8 semestra).
Doktori tjetër është Enno Bozdo, me dy ‘n’, i diplomuar me mesatare 5, i graduar nga fabrika e titujve Dhori Kule, në mënyrë të paligjshme dhe doktoraturë të vjedhur. Doktor Bozdo, me 26 pasuri me vlerë miliona euro në emrin e babait, propozoi disa ditë më parë ngritjen e një Këshilli të Urtësh në PD si një mekanizëm reflektimi të thellë dhe riorganizimi, që do t’i shkurtojë ditët në pushtet Edi Ramës, duke shpëtuar opozitën dhe kombin. Bozdo me dy ‘n’ rezulton doktori më finok prej krejtëve, pasi jo vetëm nuk mburret, por e ka fshehur gradën e tij ‘Doktor’!
Doktori më epik i opozitës mbetet Flamur Noka. Bëmat e tij nisin që nga montimi i skelave të mitingjeve të PD-së, pajisja me nga një apartament të vëllezërve dhe kunatave kur ishte tek Enti Kombëtar i Banesave, kamuflimin e një vile për vete në Gjirin e Lalzit, zgjatja e koncensionit të pasaportave, këmbimit të një apartamenti 180 mijë euro me një tjetër rreth 1 milionë euro, tek gishti i mesit në Kuvend deri tek era shtet pas 11 majit.
Në jetëshkrimin e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, për arsiminin e z. Noka thuhet se ‘ka përfunduar arsimin e lartë në Universitetin e Tiranës, geda ‘mjekësi’ dhe është specializuar si mjek onkolog’. Mungon viti i nisjes dhe i përfundimit të studimeve.
Në CV-në e dorëzuar në KQZ kur ka kandiduar për deputet, Flamur Noka shkruan se ka kryer arsimin e lartë dhe se është specializuar si onkolog, duke shmangur sërish të dhënat për vitin e nisjes dhe mbarimit të studimeve.
Enigma e arsimimit të Flamur Nokës gjen njëfarë zgjidhje në një tjetër jetëshkrim në faqen zyrtare të Partisë Demokratike pasi Sali Berisha arriti t’i merrte vulën Lulzim Bashës. Në faqen e PD-së thuhet se Flamur Noka i ka përfunduar studimet e larta në vitin 1997, kur në Shqipëri kishte plasur anarkia dhe lufta me natyrë civile.
‘Era shtet’ ka lindur në vitin 1971. Nëse studimet për mjekësi i ka nisur në vitin 1990 kur ishte 19 vjeç, Noka është diplomuar për 8 vjet. Në faqen e PD-së thuhet se Noka është specializuar si mjek onkolog në vitin 2003-2006 pranë Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, që do të thotë se i janë dashur 15 vite për t’u bërë doktor!