Të dy janë ende ballë përballë, ata që u vranë dhe ai që vrau.

Ngjarja ka ndodhur dje, në 21 Janar. Ata që u vranë para 15 vjetësh, erdhën në vendin e flijimit, në bulevardin më të madh të Evropës Juglindore. Kërkojnë prapë takim me vrasësin. Sa të jetë jeta, derisa vrasësi të dënohet, këta do të kthehen në vendin e flijimit. Siç edhe vetë vrasësi kthehet instinktivisht në vendin e vrasjes. Edhe kur thotë, diku në një sallë, se ‘vrasja ishte e ligjshme’, do të thotë kthim në vendin e krimit

Dje erdhën prapë të dy palët. Të vrarët përfaqësohen nga mijëra, madje miliona. Vrasësit përfaqësohen nga prokurori dhe gjykatësi. Prita gjithë ditës e natës se çfarë do të ndodhte. Nuk ndodhi asgjë tjetër

Është takimi më i padëshiruar në këtë botë; por ja që ndodh për pesëmbëdhjetë vjet radhas.

Kësaj here, për të pesëmbëdhjetën, viktimat morën fytyrës vendimin e Drejtësisë: ‘Nuk do të dënohet vrasësi!’. Atëherë, viktimat lëshuan trëndafilat mbi trotuar dhe lanë takimin për herën tjetër.

Familjarët shkuan për të ledhatuar mermerin e varreve. Një nga ndihmësit e vrasësve, avokat i ish- presidentit, i pështyu për së vdekuri.

“Ju jeni hajdutë!- u tha viktimave.- Keni vjedhur unaza grash”.

Edhe ky është njeri i ligjeve. Tjetri, që nga kupola e SPAK tentoi të pastronte pështymën mbi viktimën. Bëri një telefonatë dhe ftoi ‘heroin’ e kutisë që quhet ‘hapje e çështjes’. Xhaxhai i Aleks Nikës, që e vranë pesë metra në portën e qeverisë, mori rrugën për te prokurori në SPAK. Prokurori e mikloi. Mark Nika dëgjoi dhe shkoi. Iu duk sikur vërtet prokurori do të bënte diçka.

Shehu mbylli derën nga brenda zyrës së tij dhe nuk e pështyu atë që thërriti. Të paktën këtë nuk e bëri. Por ç’kishte për të bërë e bëri më parë. SPAK e hodhi në Lanë dosjen e 21 Janarit; ky prokuror ishte një prej tyre. Dosjen e kishin ndotur si leckë. Gjykata Evropiane e të drejtave të Njeriut urdhëroi prokurorët ‘të lanin e lëpinin me gjuhë’ çështjen e ndotur. Por këta bënë asgjë.

Këta nuk i marrin direktivat nga Evropa. I marrin nga një shpellë krimi që ndodhet afër.

Nga ajo që ndodhi dje, deri më sot në mëngjes, u kuptua një gjë: Vrasësi nuk do të dënohet kurrë me ligj. Veçse në anketimet e mediave sot, herët, në mëngjes, mbi 90 për qind e qytetarëve deklaruan se ‘vrasësi është Sali Berisha’.

Gjykatat tona nuk dënojnë krimin për sa kohë që autori i krimit është në jetë. Nuk ka ndodhur asnjëherë. Kësaj here qeveria shqiptare bëri një përpjekje për të ndërtuar një Drejtësi të drejtë, por e pamundur.

As të parët e Sali Berishës nuk janë dënuar me ligj.

Haxhi Qamili (Xhambazi), një prej liderëve më qesharakë të vendit, nuk u dënua me ligj. Aty nga vitet 1914- 15, i dha helmin jetës së vendit dhe desh ta kthente me fytyrë në sundimin osman. Nisi kryengritjen kundër qeverisë perëndimore dhe Princ Vidit.

Esat Pashë Toptani, politikani që e zhyti vendin në kaos total, s’u dënua. U akuzua për lidhje të fshehta me Serbinë në kurriz të Shqipërisë. Ngriti pushtetin personal në dëm të interesave të vendit. U vra në Paris, por nuk u dënua kurrë nga gjykata.

As diktatori Hoxha gjatë regjimit komunist, nuk u gjykua kurrë.

Vetë Hamza Kastrioti, që tradhtoi interesat atdheut, nuk u gjykua e as u dënua. Edhe pse nuk ishte në një kohë të hershem për ligjin. Kodet e Hamurabit ishin njohur në botë njëzet shekuj para epokës së tij.

As në këtë epokë moderne post- Hamurabiane, Drejtësia nuk do të dënojë vrasësit e katër dëshmorëve të 21 Janarit. Në popull, sigurisht, do të tregohet me gisht se cili është vrasësi.

Por sa para bën; nuk i dënon gjykata