Kur Gazment Bardhi, prej kohësh u kap me Presidentin Bajram Begaj, u kap si një trill personal, si një inat ndoshta subjektiv i tij me kreun e shtetit.

Por, zyrtarizimi i një akti të tillë politik siç ndodhi sot, pra ajo e kërkesës për shkarkim të Presidentit të Republikës, u pa që nuk ishte një trill i Bardhit, apo në problem ndoshta paksa i brendshëm, meqë të dy janë nga krahina e Kavajës.

Duke i hyrë kërkimit të një logjike, sërish është e vështirë, pasi duket se këtu kemi të bëjmë tëpkë me proverbin “s’kanë ç’i bëjnë gomarit, i bien samarit”. Ngaqë rivali politik i Partisë Demokratike, kundërshtari për tu mundur, sulmuar, akuzuar, e ndoshta vrarë politikisht është Edi Rama.

Presidenti Begaj nuk është aktor në fushë, madje nuk ka hyrë asnjëherë në lojën mes palëve. Aq herë që e kanë kërkuar ta përfshijnë, ka qenë pa sens. Në fakt nuk është hera e parë që opozita, përkatësisht PD ndërron apo gabon shënjestrën. Me dashje apo pa dashje, kjo është tjetër mesele. Për tu kthyer në rastin që lidhet me ngjarjen, PD harxhoi që pas 2023 energji të pafund në luftë kundër Erion Veliajt, e sot çuditshëm shikojmë një sjellje ndryshe. Duket qartë se kemi të bëjmë me një zhgënjim, ose shtirje sikur janë zhgënjyer. Megjithatë, në thelb, ç’punë ka opozita me Bajram Begajn?

Kur normalisht, së paku nuk kanë përse ta bëjnë armik, edhe sikur të jetë ajo çfarë thotë ajo apo njerëzit rreth saj se Presidenti është një ushtar i Edi Ramës. Në betejë, sulmohet gjenerali, komandanti, në mënyrë që të ketë kuptim fitorja apo disfata.

Një betejë politike kundër Begajt, nuk ka sense dhe pse Presidenti nuk ha hyrë në lojë si Ilir Meta, kur hidhte poshtë dekretet e qeverisë, apo ç’dekretonte zgjedhjet që kishte dekretuar vetë. Si dhe zhvillonte mitingje para Presidencës. Begaj nuk është lojtar politik për tu mundur, epse nuk drejton ndonjë parti politike.

Por, duket se në këtë rast PD, përkatësisht Sali Berisha, mendon ndryshe. Ai po e konsideron Presidencën si një objektiv politik për tu sulmuar. Ajo që vjen natyrshëm si hipotezë në shkaqet e këtij sherri paksa si absurd, nuk është aspak “teza” se doktor Bajrami, ditën punon në Presidencë dhe natën në klinikë private. Një fantazmagori që duket vjen nga një mendje që ka abstinencë me bluzën e bardhë që sapo hyri në selinë e Presidencës. Por kjo më shumë se çështje kushtetuese është problem i shëndetit mental. Gjithsesi problemi ka lidhje dhe sa të duash me politikën. Afrimi në Presidencë, të disa prej eksponentëve të PD-së, duket se është konsideruar si një problem i madh nga shefi i Gazment Bardhit.

Në fakt selia e Presidencës së Bajram Begajt ka më shumë demokratë se ç’ka patur çdo seli e shtetit shqiptar e drejtuar nga eksponentë të PD-së. As Sali Berisha, Aleksandër, Meksi, Jozefina Topalli etj etj, nuk kanë pasur të punësuar kaq eksponentë të lartë politikë të PD-së. Që nga Ilir Rusmali, Klement Zguri, Ferdinand Xhaferraj, Arta Sakja, por edhe të tjeë emra që vijnë nga e djathte, punojnë si profesionistë të fushave të tyre në institucionin më të rëndësishëm të shtetit.

Një fakt që teorikisht nuk duhet të ishte probem për PD-në, që së paku mund të kishte më thjeshtë urat apo kontaktet e komunikimit. Por fakt është se PD nuk komunikon me presidencën pikërisht për ekzistencën e demokratëve atje, Pasi Sali Berisha i konsideron tradhëtarë. Ndaj po sulmohet Bajram Begaj, ngaqë po konsiderohet si mbështetësi i një grupi brenda të djathtës që nuk janë dakord me Sali Berishën. Ndoshta edhe ndonjë grupim apo parti e re në të ardhmen. Të jetë e vërtetë vallë? Do të ishte shumë spektakolare, fundja pse janë mbledhur kaq shumë demokratë në presidencë? Teoritë e konspiracionit dhe fantazia e shfrenuar që mund të prodhojë SHQUP, thjeshtë janë në fillimet e saj…