Po lexoja një reagim të një subjekti të mërgatës në rrjetet sociale, të quajtur “Mërgata Kërçovare”. Të mësuar me filmat shqiptarë të vjetër, më vjen në mend një personazh ikonik i tyre, që thoshte dikur: eh more popull, sa shumë gjëra thuhen në emrin tënd”.
Nuk dua të paragjykoj asnjë mesazh të atij reagimi. Përkundrazi, si dikush që kam qenë pjesë e mërgatës, që një pjesë të madhe të familjes e kam aty, e vlerësoj çdo shqetësim, qoftë dhe të një individi të vetëm që vjen nga mërgata, që sakrifikon për familjet, për komunitetin, komunën, që ka shqetësimin e flamurit. Kështu do ta quaja shqetësimin e këtij subjekti: shqetësim për flamurin (domethënë për humbjen e komunës nga subjektet shqiptare, dhe sjelljen e kandidatëve shqiptarë).
Kur vjen puna tek flamuri, më duhet të tregoj si është në stilin tim alegorik, një histori që lidhet me flamurin..
Në një betejë të ashpër, kur gjithçka dukej e humbur, një djalosh – flamurmbajtës i çetës – u godit rëndë. Plumbi i kishte përshkuar krahun e djathtë, por flamurin nuk e la. Ai e mbajti me dorën tjetër, dhe kur dhe ajo u drodh, e mbështolli në trup që të mos binte në tokë. Të tjerët, kur e panë, u ngritën sërish. Nuk luftonin më për fitoren – por që flamuri të mos binte.
Kur beteja mbaroi, e gjetën të mbështjellë me ngjyrat e kuqe e të zeza, flamurin të larë me gjak, por pa njollë tjetër — as baltë, as pluhur. Komandanti tha:
“Ky flamur nuk u ndot, sepse u mbajt me nder. E nëse e mban me nder, edhe gjaku bëhet bekim, jo njollë.”
Që nga ajo ditë, flamuri u bë simbol jo vetëm i fitoreve, por i ndershmërisë. Sepse flamuri nuk është pëlhurë — është fytyra e kombit. Dhe flamurmbajtësi nuk është thjesht ai që e ngre, por ai që nuk lejon që ajo fytyrë të përlyhet, as me mashtrim, as me ndasi, as me interes.
Në shumë tradita shqiptare — nga betimi i çetave të Skënderbeut te luftëtarët e Kosovës — flamuri shihej si diçka e shenjtë. Nuk mund të ngrihej me duar të papastra, as të përkulej para kujt. Një flamur i grisur, i zverdhur apo i ndotur, në simbolikën popullore, do të thoshte një komb i lodhur. Ndaj, gjyshërit tanë e ruanin flamurin si një amanet: “Mbaje të pastër, si shpirtin e vendit tënd.”
Në këtë kuptim, flamurmbajtësi nuk është vetëm një person fizik, por çdo njeri i ndershëm që mban mbi supe dinjitetin e kombit. Flamuri i pastër është metafora e sinqeritetit, moralit dhe vetërespektit kombëtar.
Unë jam dikush i dëshmuar në mbrojtjen e flamurit, me gjak e sakrifica familjare dhe personale. Ndaj e ndjej shumë këtë historinë e flamurit. Mirëpo në lidhje me betejën për Kërçovën, dua të bëj disa pyetje, përgjigjet e të cilave dihen:
A jemi të sigurt që flamurmbajtësi ynë në raundin e dytë, kryetari në ikje,e ruajti flamurin të paprekur? Të papërlyer? Apo ai tundte një flamur me baltë dhe pluhur? Apo akoma, më keq, mos vallë ai e braktisi flamurin?
Që flamurmbajtësi nuk e mbrojti me gjak flamurin, kjo u duk qartë në 12 vjet. Po pse komandanti i tij nuk e ndërroi që në raundin e parë? Madje, pse nuk bëri thirrje për bashkim; pse nuk ishte në krah të flamurmbajtësit gjithë betejën? Apo kishte turp, sepse flamuri ishte përlyer tashmë? Me baltën dhe pluhurin e abuzimeve, veseve, diçka që ishte në sytë e botës.
Flamurmbajtësin, nuk e ndoqën pas as strukturat partiake të vetat. E akuzuan, organizata, individë, struktura. E braktisi kryetari i vet mbi të gjitha. Ndërkohë, ne fisnikërisht, por jo si miopë, bëmë në raundin e parë një betejë korrekte, pa u marrë me veset e kryetarit në ikje, edhe duke respektuar ndjeshmërinë e familjeve të prekura, apo më të vegjëlve.
Dikush mund të thotë se ne, kur nuk dinim sa e madhe ishte jehona e keqbërjeve, dhamë besën se do ta mbështetnim kandidatin shqiptar që do kalonte në raundin e dytë. Po, Besa është ligj i shenjtë. Në traditën shqiptare, besa është fjala që nuk thyhet — është nderi yt në dritën e syve të Zotit dhe të njerëzve. Ajo nuk varet nga tjetri; në thelb është përkushtim ndaj vetes, jo ndaj sjelljes së tjetrit. Siç thotë Kanuni:
“Besa s’jepet për mik, por për nder.” Kjo do të thotë: kur ti jep fjalën, ajo të lidh sepse është pjesë e karakterit tënd, jo për shkak të atij që e merr. Por flamuri nuk është “pala tjetër” — është shpirti i kombit. Nëse dikush nuk respekton flamurin, në fakt ai nuk e cenon ty personalisht, por cenon vlerat për të cilat ti ke dhënë besën. Dhe këtu lind një dilemë e madhe morale:
A mund të mbash një besë, nëse ajo do të thotë të heshtësh përballë poshtërimit të flamurit?
Në traditën e nderit shqiptar, përgjigjja është:
“Jo të prishet besa, por të ngrihet nderi.” Pra, ti nuk e thyen besën për hakmarrje apo për zemërim, por e vendos nderin më lart, sepse flamuri është më i shenjtë se çdo marrëveshje njerëzore. Nëse dikush përçmon flamurin, ti s’je më i detyruar ndaj tij, por ndaj kombit. Dhe kombi yt është besa e madhe, ajo që nuk prishet.
Unë, të dashur vëllezër e motra të diasporës, jam me kombin, jam me flamurin e pastër e të papërlyer, me gjuhën, me përfaqësimin e shqiptarëve dhe çdo arritje në këto 24 vjet, në nivel Kërçove, e në nivel shtetëror.
Ndërkohë, dua t’ju përgëzoj çdokënd prej mërgatës, apo rezidentëve, që besoi tek flamurtari, apo tek pastërtia e flamurit, për të cilën ne bëmë thirrje- votoni atdhetarisht. SI duket qartë nga numrat, kandidati shqiptar në raundin e dytë, mori matematikisht pothuajse aq vota sa bashkimi i votave të tre kandidatëve shqiptarë, apo madje sa mori dhe në 2021, kur nuk kishte dalë jehona e keqbërjeve; kur nuk kishim aq shumë ikje e braktisje të detyruara të bashkëvendasve tanë për në emigracion. Rezultati i detyrohet dhe mobilizimit të palës tjetër, me të cilën nuk jemi në luftë për jetë a vdekje. Të ndryshojmë brenda vetes, të ndryshojmë flamurmbajtësin, të mbajmë të pastër flamurin, barabar me flamujt e të tjerëve se jemi në një komunë multietnike, dhe të zhvillojmë krahinën tonë, në paqe me çdokënd që na respekton. Për këtë betohem para flamurit dhe kombit, si kemi bërë para çdo beteje!
