“Një vrasës i pamëshirshëm endet në rrugët tona. Eshtë i kudondodhur. Madje, tamam tani, mund të ndodhet në xhepin tuaj. Quhet telefon celular!”
Me këtë tekst fillonte dikur një spot publicitar i Departamentit të Transportit të SHBA-së, i cili pasqyronte një skenë të tmerrshme aksidenti, ku dikush që dërgonte SMS gjatë kohës që voziste automjetin, humbi jetën tragjikisht.
Këtë spot Departamenti i Transportit të SHBA-së e transmetoi pas një sondazhi natyralistik të universitetit Virginia Tech, nga i cili rezultoi se rreziku për aksident ose pothuaj-aksident rritet 2.8-23.2 herë kur drejtuesi i automjetit përdor celularin për të folur apo për të komunikuar me tekst.
Në fakt, rezultatet e atij sondazhi shërbyen si shtysë për pothuaj të gjitha parlamentet lokale të shteteve të SHBA-së, që të sanksiononin në kodet e tyre rrugore ndalimin e përdorimit të celularëve nga drejtuesit e automjeteve. Pra, u ndërthur fushata sensibilizuese me atë shtrënguese, për të parandaluar një “vrasës” që po bënte kërdinë në rrugët e Amerikës.
Në Shqipëri, ndalimi i përdorimit të celularëve nga drejtuesit e automjeteve ka kohë që është përfshirë në Kodin Rrugor, por gjoba është relativisht e lehtë dhe Policia Rrugore nuk e ka prioritet ndalimin e shkelësve të nenit përkatës të kodit. Ndërkohë, në rrugët tona, rrallë të zë syri dikë që nuk e përdor celularin gjatë kohës që drejton automjetin.
Se sa e rrit rrezukun e aksidentit ky përdorim në rrugët e Shqipërisë, nuk mund ta themi, sepse nuk janë kryer studime në këtë fushë. Por të dhënat e sondazhit të kryer nga universiteti Virginia Tech, në rrugë e rrjedha trafiku shumë më të mira se sa tonat, mund të shërbejë si një pikë referimi.
Siç e përmenda më sipër, ai sondazh ishte natyralistik, jo i simuluar. Konkretisht, u vunë kamera dhe instrumente që punonin non-stop në automjete reale, të cilat përshkuan gjithsej 9.7 milion kilometra. Të dhënat e kamerave dhe instrumenteve të tjerë u analizuan vetëm në ato raste kur regjistroheshin ndryshime të papritura të shpejtësisë apo drejtimit, që nënkuptonin një situatë aksidenti të ndodhur apo pothuaj të ndodhur.
Nga analiza rezultoi se formimi i një numri në celular apo përgjigjia e një telefonate e rriste rrezikun e aksidentit ose pothuaj-aksidentit me 2.8 herë. Ndërsa gjatë komunikimit me tekst, vozitësit e automjeteve i mbanin sytë tek celulari mesatarisht 4.6 sekonda, kohë në të cilën automjeti mund të përshkojë një fushë futbolli (kur lëviz me shpejtësi rreth 100 kilometra në orë). Për këtë arsye, komunikimi me tekst e rriste rrezikun e aksidentit ose pothuaj-aksidentit me 23.2 herë.
Këto rezultate të sondazhit të universitetit Virginia Tech, si dhe fushata sensibilizuese e shtrënguese që pasoi publikimin e tyre në SHBA, mund të shërbejnë si një model që mund të zbatohet edhe në Shqipëri, ku aksidentet rrugore mbeten ende problem
Vërtet Shqipëria mund të mos ketë kushte për të kryer sondazhe si i mësipërmi, por Ministria e Brendshme mund të udhëzojë Policinë Rrugore që të zbatojë me rreptësi ndalimin e përdorimit të celularit gjatë drejtimit të automjeteve. Gjithashtu, kjo ministri mund të prodhojë e transmetojë një spot publicitar në TV për sensibilizimin e publikut mbi rrezikun e madh që sjellin në trafik celularët “vrasës”.
Boll shqiptarë po vriten e vetvriten çdo ditë nga shkaqe të tjera, mos të vriten edhe nga celularët!




