E gjithë klasa politike sigurisht mban përgjegjësi për atë që quhet gjëma më e madhe për kombin shqiptar dhe për këto troje që prej ndoshta mijëvjeçarësh.
Mbivendosja e pronave të tokës!
E bërë kastile lëmsh, që në mes të rrëmujës ujqit dhe çakejtë të rrëmbejnë ç’mundin!
Eshtë koha e sqarimit të kësaj çështjeje!
Nga skenat në televizion duket se jemi si në Anglinë e kohës së gardhimeve (enclosures), ku feudalët pasi përzinin fshatarët nga tokat, i gardhonin ato, i mbillnin me bar për delet, që t’ua shisnin leshin fabrikantëve). Mijëra familje fshatare u hodhën në rrugë. Plasën revolta dhe kryengritje.
Ne këto ditë jemi në kohë çgardhimesh.
Ndërkohë me çka ndodhur në këto tridhjetepesë vite, prona e tokës është bërë mish mash dhe jo thjesht bregdeti apo ndonjëherë…
Kush e mban përgjegjësinë për këtë? Irani, Greqia, Ukraina, Kosova, Maqedonia, Anglia, Gjermania? Kush?
Mbivendosur prona.
Kadastrat? Kadastrat kanë bërë kërdinë!
Gjykatat? Kanë dhënë në kohë të ndryshme tituj pronësie të ndryshëm.
Si merret pronësia mbi tokën?
Cave u thuhet sipas trashëgimisë familjare. Por, u jepen vetëm letra.
Cave u thuhet se toka iu kompensohet, por si shkëmbim keni nga dy lekë.
Cave iu thuhet se si kompensim do të merrni shkëmbenj ku flenë vetëm arinj dhe shqiponja!
Cave u thuhet se këtë tokën e këtyre që e trashëgojnë nga familjet do ta merrni sipas ligjit 7501, ligji më i poshtër dhe idiot që nga koha ndoshta e Perandorisë romake e këtej në këto vise.
Cave u thuhet se do ta merrni fshatçe sipas tokës që keni pasur para kooperativës.
Cave në qytet do të merrni ndërtesat që blini si ish drejtorë komunistë, por tokën do ta kete ai që e kishte.
Pastaj erdhi investitori strategjik që i thuhet se tokat, sepse dua unë, do t’ua marrësh ti këtyre që prej dekadash enden nëpër kadastra se na duhen “gardhimet” për të bërër “revolucionin industrial” me resorte turistike dhe me fusha me panele diellore.
E gjithë Shqipëria lëmsh. Me përjashtim të atyre që kanë pasur lidhje me pushtetin. Fut duart dhe merr prona sipas të gjitha pretendimeve. Lër toka në zgëqe merr kompensim në plazhe e në bllok, merr prona të ish familjes dhe përfito se të tjerët s’i marrin dot, sekserë, dhe investitorë strategjikë që i marrin sipas dëshirave të mbretit.
Mbi një copë toke mbivendosur disa pronarë! Të gjithë tundin fletë pronësie nxjerrë nga kadastra. Të gjithë citojnë ligje që kanë bërë lëmsh gjithçka. Të gjithë tundin harta të vjetra që janë skanuar e fotografuar dhe manipuluar nga dhjetëra duar. Mijëra dokumente të hequr nga arkivat!
Vendime gjykatash ku gjyqtarët nuk janë më. Trupa gjykuese e hutuar nuk di çfarë ligji të marrë referencë. I forti iu bën presione, paraja bën punën e vet, pushtetari i kërcënon!
Të gjitha sipas ligjit, hahahaha, por ligjin e bën hajduti!
Po për këtë ka njeri përgjegjësi? Apo hiç! Gjithçka është në rregull!
