
Dje ishim dëshmitarë të një anëtari ende të “pa konsumuar” që deklaroi se piku i sëmundjes pritet në dy javët e ardhshme. Komiteti i të paditurve (në epidemiologji dhe jo në fushat e tyre, ku janë profesionistë të nderuar) nuk rresht së bëri parashikime të cilat deri tani nuk kanë dalë. përse?
Në radhë të parë, shkalla e përhapjes së Covid në Shqipëri është ende e panjohur. 3,000 raste të raportuara përbëjnë vetëm 1 për 1,000 të popullatës, shifër kjo e papërfillshme. Personalisht, kam bërë një vlerësim para disa ditësh duke u nisur nga numri i raportuar i vdekjeve (që gjithsesi duhet marrë me rezerva). Bazuar në këtë vlerësim, ne mund të kemi rreth 600 raste në ditë. duke e marrë këtë shifër të mirëqenë, në dy muaj hapje mund të kemi pasur maksimumi 36,000 raste ose rreth 1% të popullatës të infektuar. Përsëri shifër e papërfillshme!
Në këto kushte, piku pas dy javësh, edhe në se vjen, do të jetë një “pik i komanduar” dhe jo një pik real! Në vend që të vazhdojë të dëmtojë shëndetin e qytetarit (sepse kur një anëtar i komitetit flet qesim, populli humbet besimin edhe tek këshillat e vlefshme), shëndetin mendor (duke e terrorizuar qytetarin me kërcënimin e pikut imagjinar), jetën sociale (duke “profetizuar” për kufizime të reja) dhe ekonominë (njoftimi brenda pak orësh përfundoi në një nga website-t më prestigjioze për turistët rusisht-folës), komiteti bën mirë të marrë masa për:
1. të rritur numrin e testimeve
2. të kthejë spitalet në mjedise me risk zero
3. të rritë sigurinë në administratë, biznese dhe transportin publik
4. të forcojë strukturën trajtuese nga mjeku i familjes deri tek spitalet terciare
5. të vendosë theksin tek parandalimi i transmetimit të Covid në familje, aty ku ndodh mbi 30% e infektimeve dhe ofrohet mbi 85% e kujdesit
Të nderuar kolegë të komitetit! Merruni me punën tuaj primare dhe boll bëtë epidemiologun amator! Shëndeti publik dhe epidemiologjia janë shkenca sikundër sëmundjet infektive apo urgjenca mjekësore dhe nuk mësohen për një ditë!
Shërbejini qytetarit në fushën ku jeni ekspertë dhe kërkoni ndihmë atu ku nuk jeni kompetentë! Në një situatë epidemie nuk është koha për të eksperimentuar gjithologët!
