Po marr guximin të bëj një kritikë për ekspozitën “PRANI”, nga Ergys Zhabjaku, duke u munduar të ruaj një ndjesi përulesie, sepse e di sa e vështirë është të ndash punën tënde.
“PRANI” është një reflektim mbi kohën dhe vendin, por edhe mbi evoluimin e vetë Zhabjakut.
Vajta në Gallery of Contemporary Art Tirana, te Piramida pak përpara orarit të ftesës. Në krahasim me punët e tij të tjera, ose më saktë, të asaj që mendoja se do shihja duke hyrë në galeri, ndjeva një ndryshim të matur dhe të vetëdijshëm: Kompozimet janë më të rregullta, më simetrike, dhe drita përdoret me një kujdes pothuaj kinematik. Kjo qasje e re, që në fillim duket se e zbut spontanitetin që shpesh karakterizon fotografinë e rrugës në përgjithësi, por edhe Zhabjakun, në fakt e pasuron narrativën vizuale me një dimension meditativ. Çdo imazh duket si një skenë nga një film urban, ku prania njerëzore, shpesh e përulur, fiton peshë poetike. Një qasje që i jep rrugës një ritëm të ngadalshëm, një ndjesi kohe pezull, ku çdo figurë njerëzore apo objekt fiton një PRANI të fortë, gati skulpturale.
Përkundër kërkimit të një estetike më të përpunuar, fotografia ka ruajtur thelbin e saj: rrugën, qytetin, njerëzit.
“PRANI” është dëshmi se fotografia e rrugës mund të mbetet autentike edhe kur bëhet më e vetëdijshme për formën e saj.
Rezart Gurashi.
