Xhulio Prela, me detyrë polic i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u vra në rrethana ende të paqarta, nga autorë ende të pagjetur. Derisa çështja të zbardhet kushdo ka të drejtë të besojë se Xhulio, 26 vjeç, është ekzekutuar për shkak të detyrës.
Një polic që u përpoq të merrte gradën e nënkomisarit, ndaj dhe hyri në Akademinë e Sigurisë. Një polic që si edhe ata shokët e kursit në Akademi, apo edhe paraardhësit që shteti kërkon t’i shkollojë dhe t’i trajnojë me fjalën e fundit të ekspertizës, por që sakaq ua ndërpret rrogën gjatë kohës që ata janë edhe policë edhe studentë.
Një nënkomisar i tillë në tentativë gjatë kësaj kohe, që shkon me ndërprerje në punë paguhet vetëm 19 mijë lekë të reja. Dhe duhet të mbijetojë me 19 mijë leke, pasi siç belbëzohet për çfarë i duhen lekët më shume një polici në akademi kur edhe “pilafin dhe çajin ua paguan shteti”.
Vërtet për çfarë?
Xhulio fjalëpakëti e përshkruan shoku i tij në një drejtori Qarku.. ..Xhulio i qeti. Por Xhulio ditët e fundit kishte kërkuar borxhe tek te afërmit pëshpërit një tjetër duke dredhur duhan.
Është dita e lamtumirës së 26-vjeçarit që për gjashtë vite e deshi policinë, e deshi uniformën, siç e do kushdo që mendon se nga ajo uniformë nis besimi në shtet.
Në shtëpinë përdhese dhe modeste të prindërve në periferi të Tiranës shokët e tij në të njëjtin rang me të kanë ardhur ti thonë “Shko në paqe Xhulio”. Por asnjë shef. Asnjë i rëndësishëm nuk e kaloi deri mbasdite vonë atë prag dere, atë derë polici që kemi të drejtë të besojmë që u vra si polic derisa të zbardhet e kundërta, siç janë pistat që qarkullojnë që nga vrasja rastësore, vrasje për mosmarrëveshje borxhi, vrasje se pati një konflikt kur ishte polic në Lezhë dhe e përcollën polic në Shkodër. .
Sikur konflikti i Lezhës të kish qenë aq vdekjeprurës, se si mund ta shpëtosh policin duke e lëvizur nga Lezha e duke e çuar në Shkodër, anipse kalon nëpër Lezhë, nuk di ta shpjegoj.
Xhulio fjalëpakti ishte polic, nga inspektor ai fitoi provimin promovues dhe vazhdoi spiralen e karrierës në polici, megjithatë ndërkohë paguhej vetëm 19 mijë lekë të reja. Shteti po e trajnonte dhe për tre vjet ai do kishte këtë rriskë buke.
Vërtet, ç’i duheshin më tepër? Pilafin ua jepnin në Akademi. Andaj ji i lumtur ti polici bezë, je mirë aty poshtë.
Çështja e meritokracisë, e gradave, drejtimi dhe lidershipi në polici nuk ka gjetur ndonjëherë zgjidhje. Vitet e fundit edhe pse ligji është si e bardha në të zeze, miq e stërmiq po qerasen fillimisht duke u emëruar në poste drejtuese ndonëse nuk e meritojnë në përputhje me gradën. Mandej ngjiten e ngjiten me poste dhe grada qe ua fal gjykata.
Është kthyer në mode. E si mund ta duash mandej të aftin, të drejtin, e atë policin që ndjek zinxhirin e karrierës për vite e vite! 19 mijë lekë i dalin e i mjaftojnë!! Kot shkon në Akademinë e Sigurisë, kot ndjek programet dhe zbaton pike për pikë ligjin për të ardhmen në polici. Do zvarritesh vazhdimisht mes pilafit dhe gradave që do të duhen 20 vjet që ti fitosh dhe pastaj vjen një tjetër, të fton të heqësh dorë nga grada, ose te degdis diku dhe pastaj sipas pozicionit t’i ndëshkohesh me ulje në gradë.
Ose ndodh kështu, policë që pasi kalon koha dhe shuhet mëria, ata kokulur i drejtohen gjykatës. Por kësaj radhe jo për ta fituar gradën se u emëruan shefa dhe shefllëku kombinohet me një gradë që duhet falur apriori. Por sepse janë ulur në grade dhe kërkon t’i kthehet dinjiteti nga kjo tallje.
Po ç’na duhen të tëra këto, kujt i behet vone për biseda gradash dhe shefash? Vërtet, pilaf dhe çaj ti servir akademia. Nga këtu mandej kërkojmë polici efektive, me drejtues të aftë, shefa komisariatesh që nuk kompromentohen dhe as blihen. Mund të bëhet e besueshme, por jo këtu.
Sepse .. Gradat e falura sa andej-këtej, promovimi i pamerituar sa andej këtej dhe si të mundemi , sjell një polici të kapur, të pa zonjë për të arrestuar dhe mbajtur qëndrim të njëjtë si me atë që nuk vendos rripin dhe me atë që është influent në krim. Shko në paqe Xhulio ! Siç e gjete e le policinë. Për të paprekshmit duhen të paprekshëm!