Të premten në ora dhjetë paradite kanë njoftuar se kryeministri që kreu vrasje shtetërore, do të paraqitet në Prokurori. Në 21 Janar 2011 qeveria vrau Aleks Nikën, Ziver Veizin, Hekuran Dedën dhe Faik Myrtaj. Asnjëri nga e njëjta krahinë me tjetrin, as vetëm gegë as vetëm toskë.

Kësaj të premteje mund të ndodhë. A do të arrestohet kryeministri, a do të përgëzohet, apo do t’i merret qimja si ekzemplarë i rrallë për hetimin?…, këtë nuk e dimë. Dimë që kurrë nuk u bind e kurrë nuk u hetua. Mund të ndodhë që prokurorët ta vënë në makinë dhe ta dërgojnë te varret. Te varret mund të kryhet autopsia e dytë e viktimave; herën e parë u krye dhe doli se të vrarët ishin fajtorë. Viktimat kishin qëlluar mbi kryeministrin dhe e kishin kthyer në viktimë.

Të paktën kështu thanë prokurorë, hetues, mjekë dhe media. Po presim te varret. Edhe kësaj here po presim. Këtu, e kudo në botë, stinët e vrasjeve nuk janë vetëm katër; as vetëm një. Pardje u vra një nga më të shquarit në grupet mafioze të vendit. Ngjarja ka bërë bujën e dynjasë. Vrasja ndodhi mu në prehrin e monumentit të Nënë Terezës, në aeroportin e Rinasit.

Por kjo nuk është si vrasja shtetërore e 21 Janarit, mu në prehër të qeverisë, në bulevardin e madh të kryeqytetit. Janë dy ligjësi: Mafiozët e kanë profesion vrasjen e njëri- tjetrit, kjo është ligjësia e këtyre të ‘Nënë Terezës’.

Ligjësia e dytë, domethënë e para, është vrasja mes dy grupimeve: Qeveri- Popull. Kjo është e ndaluar. Kur ndodh kjo, siç ndodhi në 21 Janar 2011, atëherë shembet bota, frymë njeriu nuk mbetet mbi dhe ose mbeten dhe jetojnë sis figura prej dylli. Zoti, me këtë rast, u del në ëndërr të gjithëve dhe u thotë “Kur ta gjeni drejtësinë për të vrarët nga qeveria, atëherë iu afroj në prehrin tim. Tani jeni në prehrin e  djallit’.

Por po ndodh e kundërta. Kush vritet në mafie, ai nderohet më shumë dhe fle i qetë ndër varre. Prandaj po e presim kryeministrin vrasës atje te varret, me qëllim që edhe ai të shikojë me sytë e tij. Nëse nuk ia kanë marrë qimen.

Do të shikojë se si paguhet haku në mafie dhe se si shteti nuk ka kërkuar pagesë me drejtësi që nga 21 Janari 2011. Kush mund ta falte krahun e djathtë të Shullazit? Pak më vonë askush nuk fal këtë që vrau sot.

Por si u vra Gilmando Dani, mu në prehër të monumentit të shenjtores?! U vra pa vrarë asnjë kalimtar, asnjë varrë, asnjë njeri nga populli. Krahasoje me qeverinë në janar 2021. Halldupët e qeverisë, nisur që nga kreu, vunë mitraloza, kallashnikovë, snajper. Deshën të vrasin Edi Ramën, por vranë 137 plus 4 vetë të tjerë. Vetëm katër prej tyre shkuan në qiell, edhe pse qeveria ua futi plumbin të gjithëve, pa dallim.

Mafia është më e mirë se qeveria; ajo vret atë që ka për të vrarë. Qeveria i vrau të gjithë të gjallët, dhe tani qytetarët ecin si sende prej dylli. Mafia e gjen menjëherë kush vrau cilin. E gjen edhe që nga Londra apo që nga Dubai. E ndjek në burg apo në varr dhe ia dëshmon veprën e kryer. E ndjek në avion, e zbret nga avioni, i kontrollon pasaportën, i njeh makinën, i del në rrugë dhe i thotë ‘ti je Gilmand!’ 

Shteti nuk e bën këtë. Ka 14 vjet që nuk gjen vrasësin e 4 plus 137 vetëve që vrau në oborrin e qeverisë. Se kaq është numri i tyre sa i takon dorës vrasëse të shtetit. Edhe sikur vetëm një të ishte vrarë nga shteti, prapë po kaq prej dylli do të ishte qytetaria.

Edhe pse gjatë 14 vjetëve është rritur aftësia zbuluese e shtetit ndaj krimit deri 95 për qind, vrasja e 21 janarit ka mbetur te 5 përqindëshi që nuk zbulohet. Mafia, në këtë rast, është njëqind herë më e bekuar. Përveç dy ligjësive të para qeveri- mafie, që do të zbulohen të premten te varret, është edhe e treta: E treta është se qeveria e vitit 2011 ishte edhe shtet edhe mafie.