Për 14 vite me radhë, 21 Janari ka qenë “elefanti në dhomë” i politikës dhe i drejtësisë shqiptare. Një plagë e hapur që rridhte akuza politike, por që ishte mpiksur juridikisht me dënime qesharake për gardistë të dorës së dytë.

Sot, pamja e Sali Berishës duke hyrë në SPAK për të dëshmuar mbi ato katër vrasje, shënon një thyerje tektonike të status quo-së. Për dy orë, ish-Kryeministri u përball jo me akuzat për pronat e panumërta të vajzës dhe dhëndrit apo procedurat e privatizimit, por me hijen më të rëndë që e ndjek pas: akuzën për një krim shtetëror.

“Pakujdesia” vs “Urdhri për Vrasje”

Deri më sot, drejtësia e vjetër e kishte paketuar 21 Janarin si “vrasje nga pakujdesia”. Kjo narrativë u godit pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, e cila urdhëroi drejtësinë e re shqiptare të hetojë zinxhirin komandues.

Paraqitja e Berishës këtë të enjte në SPAK nuk është thjesht procedurë – është zbatimi i atij urdhri ndërkombëtar. Sipas këtij Prokurorët e Posaçëm nuk mund të kërkojnë më se kush e tërhoqi këmbëzën – atë e dimë. Ata duhet të kërkojnë përgjigjen e pyetjes që ka trembur politikën shqiptare për një dekadë e gjysmë: Kush dha urdhër për të qëlluar mbi turmën?

Fokusi i hetimit tek komunikimet me ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi, dhe misteri i serverave të fshirë të Kryeministrisë, tregon se SPAK po tenton të rindërtojë atë që njihet si “mens rea” (qëllimi kriminal) në nivelet më të larta të shtetit.

Strategjia? E njëjtë deri në lodhje: Mbrojtja përmes sulmit

Edhe nën presionin e dy dosjeve të rënda, Berisha mbetet “kafshë politike” e një lloji të rrallë. Qëndrimi i tij pas daljes nga SPAK ishte i qartë: ai nuk do të mbrohet juridikisht, por politikisht duke sulmuar.

Duke e cilësuar 21 Janarin si një “grusht shteti” të organizuar nga Edi Rama, Berisha po përpiqet të bëjë dy gjëra:

Të legjitimojë dhunën e shtetit: Duke argumentuar se Garda mbrojti institucionet nga një puç, ai justifikon përdorimin e armëve si akt kushtetues dhe jo si vrasje.

Si dhe të relativizojë akuzën: Duke kërkuar hetimin e Ramës si organizator, ai tenton ta kthejë procesin në një “barazim fajesh” politik, ku të dyja palët janë përgjegjëse për gjakderdhjen.

Megjithatë, “lapsusi” i tij me datat (21 janarit iu referua si 11 janari) dhe nervozizmi i dukshëm tradhtuan faktin se kjo dosje peshon shumë më rëndë se ajo e “Partizanit”. Nëse “Partizani” është çështje parash dhe firmash, “21 Janari” është çështje gjaku.

A dënohet “lideri i opozitës”?

Marrja në pyetje e Berishës për 21 Janarin dërgon një sinjal që shkon përtej personit të tij. SPAK ka tani mundësinë të na dëshmojë se pavarësisht kritikave për ritmin apo selektivitetin, ka filluar të prekë aty ku politika shqiptare kishte vendosur një pakt të pashkruar mos-sulmimi.

Më optimistët mendojnë se lër herë të parë, politika shqiptare nuk e ka më luksin të vendosë kapakun mbi të vërtetën. Sipas tyre, Kutia e Pandorës u hap, dhe askush, as “doktori” që dominoi skenën për 34 vite, nuk mund ta mbyllë më atë.

Por sot për sot Berisha është në SPAK si “person që ka dijeni”. Mbase në diskursin publik kufiri ndarës mes dëshmitarit dhe të akuzuarit për këtë çështje është më i hollë se kurrë. Por duhet të bëhet i tillë edhe juridikisht.

Nëse hetimi arrin të provojë se urdhri për zjarr erdhi nga zyra e Kryeministrit, apo se provat u manipuluan me urdhër politik, do flasim për rishkrimin e historisë së tranzicionit shqiptar.

Sigurisht ai që që ndodhej në atë zyrë në 21 janar do vazhdojë me të vetën duke e trajtuar çdo avancë të hetimit si sulm, burgosje apo dënim të një “lideri të opozitës”.

Në të vërtetë statusi “lider i opozitës” është bërë oksigjeni i vetëm që mban në këmbë Sali Berishën në PD, jo si drejtues që e çon partinë drejt pushtetit, por si barrikadë personale përballë drejtësisë.

Për t’i garantuar vetes këtë status, ai ka mbajtur peng opozitën, duke e kthyer PD-në nga një alternativë qeverisëse në një mjet mbrojtjeje personale. Ky titull i jep një imunitet moral për momentin por jo votat. Ai e di mirë këtë.

Kjo ka çuar në zhdukjen e çdo shansi real që PD të rikthehet në pushtet: një parti që funksionon si strehë politike për një njeri të vetëm nuk mund të jetë alternativë për askënd tjetër. Në thelb, beteja nuk është më mes mazhorancës dhe opozitës, por mes nevojës së një njeriu për të ruajtur statusin e tij dhe të ardhmes të një partie që po zhytet gjithnjë e më shumë në margjina.

Në çdo rast, Prokurorët e Posaçëm dhe Gjykatësit e Posaçëm është momenti të kuptojnë në qelizë, se koha nuk i shëron të gjitha plagët. Disa prej tyre, si 21 Janari, duhet t’i pastrojë Drejtësia.