Shpallja e largimit të Bujar Leskaj nga PD, sado që të zbutet nga ana e establishmentit të opozitës, përbën një fenomen real politik.

Riardhja e Sali Berishës në selinë e blinduar të post 8 janarit 2022, pati thjeshte një katapultim mekanik të një grupi njerëzish që u përzgjodhën nga doktori.

Katapultim që në vend që të prodhonte një injektim dhe ringjallje të militancës, shkaktoi një ndarje edhe përçarje më të madhe. Kjo jo thjeshte nga profili i njerëzve të përzgjedhur, e që janë grupi i vjetër i besnikëve të Berishës, sesa nga klima politike dhe strukturore e Partisë Demokratike.

Ikja e përkrahësve të Lulzim Bashës, të cilët ishin pjesë e strukturave të bazës së PD-së, e la partinë pa një kollonë vertebrale organizative nga Tirana në gjithë territorin e vendit.

Ky boshllëk u tentua që të mbushej me struktura të komanduara që rezultuan se ishin më shumë një tampon i përkohshëm për të ndalur hemoragjinë, sesa një terapi afatgjatë.

Vlora, ku Bujar Leskaj është një nga drejtuesit më të vjetër të Patisë Demokratike është territori ku nuk pati një prishje masive strukturash gjatë luftës civile brenda PD-së.

Megjithatë pati një hemoragji të fortë ara zgjedhjeve të 11 majit, ku disa grupime të këtyre strukturave u afruan tek Partia Socialiste, me një nismë të fortë të uhëhequr nga vetë Edi Rama.

Aksion që pati edhe një bujë të madhe mediatike, duke u përdorur për PR nga mazhoranca në fushatën e 11 majit.

Megjithatë, ajo që ndodhi në Vlorë nuk ishte aspak një aksion i izoluar, pasi 2 vjet më parë, e njëjta gjë ndodhi në Shkodër, por pa një bujë mediatike.

Fitorja e Benet Becit në bashkinë Shkodër, pati një rezultat linear në të gjithë qytetin, duke treguar qartë se kishte një aleancë të kandidatit të PS-së me strukturat e Partisë Demokratike në Shkodër.

Aleancë, e cila më pas u duk edhe në ekipin drejtues ekzekutiv, ku personazhet të zonave më bastione historikisht në lagjet e qytetit u bënë pjesë e drejtimit politik. Ku të tillë më pas u përfshinë edhe në ekipin e deputetëve.

Në Tiranë, nënkryetari i sotëm i bashkisë, Blendi Sula vjen nga strukturat e PD-së, ku ka drejtuar edhe FRPD-në fraksinonin që drejtonte Lulzim Basha.

Strukturat e Berishës në Tiranë janë ineksistente, pasi Berisha ka vendosur një mënyrë drejtimi me komandim, ku angazhohen njerëz vetëm në fushatat elektorale, pa një lidhje kapilare në territor. Madje edhe aty ku lidhjet e territorit ekzistojnë, janë dërguar personazhet nga qendra, duke krijuar sherre e përplasje të panevojshme. Rasti i Fierit me Gazment Bardhin, që u përplas me deputetin  Luan Baçi, i cili gjithashtu është një emër historic në territor, është një nga shkaqet kryesore të katastrofës së 11 majit.

Sali Berisha nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta ringritur apo ndalur kët hemorragji, e duket se ka një qëllim të qartë. Ta drejtojë PD-në jo nëpërmjet një strutkure apo organizimi kapilar, por si një korporatë, nga një kupolë që ndodhet në sallën e butonave. Ku merren të gjitha vendimet, që nga kandidatët deri tek njerëzit që do të emërohen në bordet shtetërore, apo edhe diskutimet e negociatave me mazhorancën.

Zgjedhjet e kësaj të dielen ë 4 bashki të vendit, do të tregojnë sipas të gjitha gjasave një sinjal politik dhe të vazhduar të kësaj hemorragjie. E cila nuk duket se shqetëson Sali Berishën, pasi qëllimi i tij është krejt ndryshe nga ajo që mendojnë votuesit e opozitës…