Ka një situatë më shumë se kafkiane kur thotë Erion Veliaj, në epokën e sotme të hetimeve të nivelit të lartë në SPAK dhe atë të gjykimeve në GJKKO. Publiku shikon vetëm pasarelën e vipave në rrugën e famshme pranë “Stacionit të Trenit”, si dhe frenezinë e materialeve “me burime” për hetime, ku nuk merret vesh në realitet linja kronologjike, apo edhe sensi i logjikës së gjërave.

Ku siç tha avokati Maks Haxhia, klienti i tij nuk kishte marrë tendera nga AKSH, por që ne na u referua ndryshe. Megjithatë, kjo i takon hetimit, e mjegulla do të mbizotërojë mbi qartësinë, edhe si taktikë për të trembur personat nën hetim. E kjo nuk është as e re as e papërdorur në homologimet hetimore në përvojën europiane. Plus që po jetojmë në një epokë ku më shumë sesa faktet vlen zhurma, siç po e shikojmë në dosjet Epstein, ku si në Shqipërinë tonë, edhe atje duken të implikuar të dy palët e politikës. Megjithëse deri tani më shumë se implikim kemi mjegull pishinash, jacuzzi e gjëra të tjera bizzarre, a thua se kemi zbuluar Atlantidën dhe trimëritë e Herkulit në qytetin imagjinar.

E meqë ra fjala te Atlantida dhe zbulimet e vjetra, një lajm rrodhi sot nga reporterët që ndjekin procesin e Gërdecit, se SPAK ka zbuluar një shkresë të vjetër ku dilte emri i Shkëlzen Berishës. Është interesante fakti se e gjitha kjo na u servir, sikur kemi të bëjmë me një zbulim arkeologjik të një qytetërimi që ka jetuar mbi 4 mijë vjet më parë. Kur vetëm në gazetën Tema, ky dokument është publikuar vazhdimisht dhe ndërkohë ka qenë pjesë e hetimit të parë mbi Gërdecin, por asnjëherë nuk është marrë në pyetje personi të cilit i dedikohet shikimi.

E absurdi i gjithë këtij teatri kafkian është se askush nuk di gjë se çcfarë ndodh brenda në procesin e Gërdecit, si dhe askush nuk di përse gjyqi nuk zhvillohet i hapur për mediat. Dhe tjetra, përse SPAK nuk e shpërndau në media këtë dokument siç ndodh me dhjetëra mijëra faqet e përgjimeve të tjera? Mbyllja e sallave të gjyqeve për publikun ka sjellë në realitet një mosdije të plotë, pasi edhe reporterët pa kamera nuk marrin dot pjesë dhe gjithçka thonë, i marrin nga palët.

Dhe ironia më e madhe e deri sotme e gjyqit të Gërdecit është se gjithçka çfarë ndodh atje merret vesh nga deklaratat e deputetit Fatmir Mediu, i cili është i pandehur në proces.