Zgjedhjet e pjesshme të së dielës pa Tiranën nuk e patën, as nuk parashikoheshin ta kishin rëndësinë e vëmendjen e madhe mediatike, si dhe të elektoratit.

Megjithatë, për politikën, sidomos për aktorët e rinj, një rast i tillë është një mundësi e rëndësishme “stërvitjeje” në një fushë ku të mëdhenjtë kanë fuqinë kryesore.

Sidomos, në rastin kur PD e Sali Berishës nuk tentoi të dalë në betejë, duke e lënë fushën bosh. Në këtë rast, opozita e re kishte shansin për të hyrë në lojën reale të luftës politike, duke gjetur mundësinë e një koalicioni apo aleance në territor. Një aleancë, e cila krijohet nga aktorët lokalë, sidomos kur kemi të bëjmë me bashki relativisht të vogla, ku hapësira e manovrimit është më e madhe.

Ka të drejtë Lefter Maliqi, një aktor i rëndësishëm në qarkun e Beratit, i cili e ka treguar se ka nxjerrë dhe marrë një përfaqësim komunitar atje. Kjo nuk vlen vetëm për Beratit, por edhe Vlorën, ku pati në lëvizje të çorientuar politike, si dhe në Mat e Tepelenë.

Opozita e re, përkatësisht partia Mundësia e Agron Shehajt dhe ajo e Adriatik Lapajt, kanë rënë literalisht në grackën politikë qu ju ngriti Sali Berisha.

I cili, i gjendur në tharjen e vazhdueshme të terrenit politik rreth tij, po edhe zjarrit të madh që i vjen nga drejtësia, është detyruar të luajë me intriga të vogla dhe provizore, duke mos e pasur komoditetin e një strategjie jetëgjatë politike.

Me një lëvizje krejt të thjeshtë Sali Berisha i futi në grackë Shehajn e Lapajn, duke ofruar si kandidat Florjan Binajn, i cili u përkrah menjëherë nga dy aktorët e rinj.

Një akt politik që rezultoi në boshllëk pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por që në vetvete nuk se përbën një mëkat të madh.

Nuk ka asnjë problem nëse partia e madhe, përkatësisht PD imponon një kandidat të parapëlqyer, siç është rasti i Binajt, por problemi qëndron në arsyet e një bindjeje “të verbër” nga partitë e reja.

Të cilët, votat që morën më 11 maj, i patën pasi ata dolën në fushatë si grupime kundër establishmentit të vjetër. Ndërkohë që logjika e rreshtimit me një të fryrë të bilbilit nga vendimet e establishmentit, nuk është gjë tjetër veçse një miopi politike.

Madje, aktorët në lojë shkuan edhe më larg, duke u rreshtuar apo hyrë në debatin publik jo thjeshte në softëare-in e praktikuar nga suita e Sali Berishës, por edhe në hardëare-in e tij.

Deklarimi i Adriatik Lapajt për vrasjet e 21 janarit, në fillim dukej e ishte rastësor, apo një lajthitje momentale. Ekzaktësisht Lapaj, deklaroi se kishte informacion se Aleks Nika është qëlluar nga një predhë që nuk vjen nga armët e Gardës së Republikës. Një deklaratë e bujshme që nuk mori vëmendjen e duhur, vetëm si pasojë e një inteligjence brilante të Mark Nikës, xhaxhait të Aleksit, i cili ndodhej në një emision me Lapajn.

Me një qetësi olimpike, avokat Nikaj, e ftoi Lapajn të kthjellohej e të reflektojë, gjë që kreu i Shqipëria Bëhet e realizoi menjëherë, duke mos insistuar në broçkullën e tij. Por parë me vëmendje, përmendja e “bombës” së “vrasjes nga turma” nuk ishte gjë tjetër veçse një kod i lashtë për të komunikuar me Berishën.

Nga ana tjetër, edhe Partia Mundësia e Shehajt, nuk luajti gjithashtu protagonizmin e pritshëm në një rast i rëndësishëm edhe pse jo me rëndësinë siç kanë zgjedhjet e përgjithshme.

E gjithë kjo skenë, edhe të mos ta kishte yshtur Sali Berisha, sërish përbën një batak, ose së paku një shans i humbur për të quajturën opozitë e re. E cila ju ofrua menjëherë prurësit më të parë që vinte nga doktori.

Një koalicion me Sali Berishën nuk është aspak një zgjidhje denatyrale për çdo parti që është pjesë e spekrit, qoftë për pragmatizëm, qoftë për strategji apo taktikë.

Por në realitet kjo lëvizje nuk bën gjë tjetër veçse humb avantazhin politik që krijuan më 11 maj, duke marrë fetën anti-establishment të elektoratit. Kurse tani jemi kthyer në supën e vjetër “Selanik e tatëpjetë”, gjë që nuk se nuk parashikohej.

I vetmi që i rezistoi kësa gracke ishte Arlind Qori, i cili nga ana tjetër ka edhe një koracë ideologjike të shkëputur nga PD, si pasojë e një lineimi majtist, çka e justifikon lëvizjen. Por përtej kësaj, rreshtimi politik që bëri në Tiranë ishte i thjeshtë dhe shumë ii qartë. Rikandidoi për kryebashkiak, duke vendosur kështu një tjetër “kavanoz” në radhën e gjatë të politikës. Një rrugë problematike, por që ka rezultuar efikase pë rata që e ndjekin. Madje nuk është fare e thënë që radha të vazhdojë të jetë e gjatë.

Ka shumë shembuj, kur kjo radhë ka rezultuar edhe më e shkurtër se ç’mendohet. Por koherenca ka rezultuar se është një armë politike shumë frytëdhënëse, pasi mbetet në mendjet e njeëzve të cilët do të votojnë.

Opozita e re e Shehajt e Lapajt, sipas të gjitha gjasave e kanë refuzuar me bezdi këtë armë të vjetër, me padurimin për të hyrë në radhën e Berishës. I cili, duket i nxori për fare. Por siç ka thënë njëri, “s’keni parë gjë akoma”, e më e rënda pritet me reformën zgjedhore.