Menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 11 majit të këtij viti, zgjedhje në të cilat PD dhe opozita ‘korrën’ një humbje rrënuese, ka rënë ndjeshëm ‘aplituda’ e përmendjes shpalljes së Sali Berishës ‘non grata’ familjarisht nga ana e SHBA.

Tashmë që Berisha e ka pranuar humbjen në zgjedhjet parlamentare, si dhe ka marrë një vendim për një bojkot të ‘fshehur’ në zgjedhjet e pjesshme për pushtetin vendor në 6 bashkitë pa kryetar, duke filluar nga Tirana, dhe vijuar me Vlorën, Beratin, Tepelenën, Matin dhe Cërrikun, përmes mbështetjes së kandidatëve të pavarur, deklaratat për heqjen e ‘non gratës’ dhe akuzat ndaj Ramës për lobimin në SHBA për sanksionimin nga DASH, janë shuar thuajse fare!

Kreu i PD, me sa duket është ambientuar me humbjen më 11 maj, e nuk i bën më përshtypje as për ‘non gratën’ në SHBA dhe as për humbjen katastrofale që e pret në zgjedhjet e pjesshme në 6 bashkitë e vendit, teksa ka pranuar të hyjë në Kuvend, të marrë pjesë në komisionet parlamentare si dhe në delegacionet e përhershme në Këshillin e Evropës, sikur të mos kishte ndodhur asgjë!

Pavarësisht se nuk i njohu zgjedhjet e 11 majit, i kontestoi me të madhe për një kohë relativisht të gjatë, tani po ecën në ‘ullukun’ rutinor, vajtje në seli, në parlament, i këput disa akuza të rënda Edi Ramës, akuza që s’ka bir nëne që i beson, disa për një takim në Aruba e të tjera për kapje të shtetit, si dhe deklaron se Shqipëria nuk i plotëson kushtet për anëtarësim në BE, përpos gjeostrategjisë dhe marrëdhënieve me jashtë, Berisha vetëm për një gjë po hesht në mënyrë solide tani së fundmi: Heqjen e ‘non gratas’ nga administrata amerikane, tashmë jo e re e Donald Trump! Themi jo e re, sepse Trump është në mbyllje të vitit të parë të mandatit të dytë, ndërsa nuk është kujtuar askund për Berishën e sanksionuar nga ‘armiku’ Blinken vite më parë, si i padëshirueshëm familjarisht në SHBA. Madje Berisha sikur s’do as t’i dëgjojë më këto historitë e mbështetësve të tij me ‘kredite’ në SHBA, për heqjen sot apo nesër të ‘non gratës’!

Deri në momentin kur ndërmori vendimin për të heshtur, kanë heshtur dhe mbështetësit e tij në kupolën e PD, Berisha nuk kalonte ditë pa e përmendur Sorosin, Ramën dhe gjithë kundërshtarët e tij, duke i fajësuar se kishin lobuar për ta sanksionuar në SHBA, me qëllimin e vetëm për të dëmtuar opozitën, pasi goditej kreu i opozitës! Anipse Berisha në momentin e shpalljes non grata ishte thjeshtë një deputet, dhe zyrtarisht nuk ishte as në kupolën e PD, pasi kryetar asokohe ishte ‘fatkeqi’ Lulzim Basha. I cili dhe e përjashtoi nga grupi parlamentar dhe më pas nga PD, por që më pas Berisha me mjetet e tij, e dëboi nga drejtimi i demokratëve por dhe nga vetë partia Lulin!

Berisha ka akuzuar gjithnjë kundërshtarin e tij politik, Rama, se kishte bashkëpunuar me Sorosin duke lobuar për ta shpallur ‘non grata” duke përdorur dhe Bashën që ta linin vendin pa opozitë. Sulmonte ish sekretarin amerikan të Shtetit, Blinken se ishte ‘dora e zgjatur’ e Sorosit në DASH që kishte hedhur firmën për shpalljen non grata, duke kërcënuar se menjëherë sapo të vijë në pushtet Donald Trump gjithçka do të sqarohej, keqkuptimi do të marrë fund dhe bashkë me të do të hiqet sanksionimi për Berishën dhe familjen e tij, si dhe do të ndëshkoheshin Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë krim sipas tij, kundër opozitës shqiptare. Asgjë nuk ndodhi! Në të vërtetë Rama mori 83 mandate deputeti në zgjedhjet e 11 majit, shumë më shumë se më 2021

Por Berisha nuk ka qënë konstant në lidhje me shkakun e shpalljes së tij ‘non grata’ familjarisht nga DASH. Ndonëse në qendër të goditjes ka qënë gjithnjë kundërshtari i tij politik Rama, i cili sipas versionit të Berishës kishte lobuar në SHBA për shpalljen e tij ‘non grata’ për përjetësimin e PS në pushtet, a thua DASH dhe qeveria amerikane mund të manovroheshin lehtësisht nga kreu i qeverisë shqiptare sipas dëshirës së tij, kreu i PD sipas nevojës e situatave për të luajtur kartën e nacionalizmit ‘zbulonte’ si shkakun e vërtetë të sanksionimit të tij në SHBA, qëndrimin e fortë kundër ndarjes së Kosovës, që sipas tij, Vuçiç dhe ‘argatët’ e tij Rama dhe Thaçi kishin rënë dakord për ta realizuar në kurriz të shqiptarëve! Berisha nuk përmend ish bashkëpunëtorët dhe as bashkëpunëtorët e tanishëm të Trump, që kishin bërë këtë ‘skenar me Edi Ramën e Hashim Thaçin’. Janë akuza me të vërtetë që nuk ngjisin në publikun shqiptar, pasi dihet botërisht se Shqipëria e Kosova, por as vendet e mëdha të BE, nuk kanë takat të bëjnë ndryshime kufijsh pa vendosur të mëdhenjtë, mbi të cilët është superfuqia e vetme në planet, aktualisht Amerika.

Kështu ka ndodhur për herë, në jetë të jetëve, dhe nuk ka mbetur kurrë puna që kufijtë tanë t’i vendosim ne! I kanë vendosur të tjerët duke lënë gati 2/3 e territoreve shqiptare jashtë shtetit amë! Megjithëse Berisha e di se askush nuk e beson në këto justifikime, madje as demokratët që po e braktisin ditë pas dite, as deklaratat ‘shpjeguese’ se përse është shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe më pas dhe nga Britania e Madhe, kreu i PD nuk ka përtuar asnjëherë që t’i hedhë për konsum publik! Deri këto momentet e fundit, ku duket tepër i ‘relaksuar’ në këtë drejtim!

Berisha ka nisur të mos i përmendë më arsyet se përse u ndëshkua familjarisht nga SHBA me shpalljen ‘non grata’, madje nuk ka asnjë deklaratë se kur do të hiqet ky sanksionim nga qeveria amerikane! Me sa duket është pajtuar me faktin se ai vetë do të vuajë deri në fund të jetës së tij shpalljen ‘non grata’ nga SHBA, pavarësisht se e ka të vështirë të pranojë që dhe fëmijët e tij të mbeten me këtë njollë në kurriz, pasi do t’ju trashëgojë PD-në, si pronë me ‘hipotekë’ që e ka!

Që me ardhjen e Trump në pushtet në SHBA, ka keqkuptuar rëndë hyrjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë teksa e ka konsideruar si një ‘marrsh funebër’ për qeverisjen e Ramës si dhe dhënien e një ‘dore’ ndihme PD-së për të ardhur në pushtet, por sidomos deri disa muaj pas zgjedhjeve, Berisha nuk pushoi se përpjekuri për të hequr ‘non gratën’ ose sëpaku për të siguruar një vizë të thjeshtë e vetëm për të kaluar Atlantikun, e për ta përdorur si ‘bonus’ në zgjedhjet e 11 majit!

Pagoi dhe 6 milionë dollarë për të lobuar në këtë rast, për një vizë sëpaku! Dhe kjo shumë është vetëm pjesa e dukshme e shumës hedhur për lobim në SHBA e deklaruar por asnjëherë e zbardhur sipas ligjeve të shtetit në institucionet e tij, pasi korridoreve të PD ‘gojët e liga’ thonë se Berisha ka shpenzuar për lobim, duke futur si ‘paketë’ dhe LaCitën, mbi 20 milionë dollarë, një shumë tepër e madhe kjo për një deputet si Berisha, qoftë dhe i ‘financuar’ nga një elektricist tropojan në SHBA, të cilin nuk e njeh askush, jo më të hedhin para në fondacionin e tij pa emër dhe pa anëtarë! Demokratët thonë se të paktën të ishin hedhur për fushatën e 11 majit këto para!

Pavarësisht përpjekjeve të Berishës me para e lobime të tjera për të zhbërë sadopak ‘non gratën’ nga SHBA, të firmosur nga ish sekretari i DASH, Blinken, për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë, deri më tani kreu i PD nuk e ka kaluar oqeanin! Nuk ka asnjë shpresë as për të ardhmen me sa duket, pavarësisht se Trump ka gati 1 vit në detyrë dhe as që po kujtohet njeri në SHBA për liderin e PD! Eshtë jashtë ‘radarit’ të tyre me një fjalë!

Dhe nuk është vetëm arsyeja e parave të hedhura për lobim, janë vërtetë shumë para këto dhe detyrimisht mund të ketë hetime për burimin e këtyre financimeve miliona dollarëshe, ajo që ka sjellë heshtjen e Berishës dhe të mbështetësve të tij për ‘non gratën’ e tij këto kohët e fundit, a thua se është pajtuar me këtë gjë! Eshtë një heshtje e çuditshme.

Me sa duket Berisha duke heshtur kërkon të zhysë akoma më shumë në mister arsyen e vërtetë të sanksionimit të tij nga SHBA! Ku për hir të së vërtetës shkaku s’ka lidhje me shpjegimet që jep vetë Berisha, lobimin e Sorosit në favor të Ramës apo kundërshtimi nga kreu i PD i ndarjes së Kosovës. Për më tepër, me sa duket del dhe përtej asaj që ka deklaruar zyrtarisht DASH mbi arsyet e vendimit për të shpallur Berishën familjarisht ‘non grata’! Dhe Berisha e di të vërtetën, por kërkon që të paraqitet në publik si diçka e mistershme, sidomos për ithtarët e tij!

Shqiptarët duhet ta dinë që amerikanët mbajnë shënime, kanë informacione mbi gjithçka, përmes organeve të saj inteligjente e ligjzbatuese dhe flasin kur e kanë mbushur dosjen plot! Kur e ke bërë ‘baltë’ me një fjalë dhe nuk mban më! Dhe Berisha e di fort mirë se amerikanët nuk të falin kur rrezikon sigurinë e SHBA përmes bashkëpunimit me vendet nën sanksione të OKB siç ishte furnizimi me naftë dhe armë i regjimit të Milosheviçit, siç ishte hapja e dyerve dhe lëshimi i poligoneve të stërvitjes së ushtrisë shqiptare për ‘bijtë e terrorit’, radikalët islamikë të Al Kaedës deri dhe pritjen e Osama Bin Laden në zyrat e shtetit. Apo shkatërrimin e shtetit nga themelet më 1997, si dhe akuzat ndaj CIA-s nga ana e Berishës si ‘strumbullari i këtij rrëzimi’! Amerikanët nuk e falin as kundërshtimin e marrëveshjes së Rambujesë që solli bombardimin e NATO-s mbi Beograd dhe çlirimin e Kosovës dhe mbështetjen e pavarësisë së saj!

Berisha e di fort mirë se amerikanët nuk ia falin as bashkëpunimin e tij me vendet jo mike dhe armike të Aleancës së NATO-s, pra dhe të SHBA, ku përfshihen Rusia, Kina e vendet Arabike, deri në atë pikë sa nën dyshimet për rrjedhje informacioni të NATO-s drejt këtyre vendeve, Shqipëria nën qeverisjen e Berishës, u përjashtua edhe nga mbledhjet e ngushta të Aleancës në Bruksel, ku diskutoheshin dhe merreshin vendime të rëndësishme, përjashtim që zgjati deri në vitin 2013 kur shqiptarët e larguan Berishën me votë nga pushteti! Apo dhe bashkëpunimin e nëndheshëm me Iranin, për të cilin Berisha ishte paralajmëruar disa herë nga aleatët tanë të mëdhenj! Pa përjashtuar financimet e mëdha që ka marrë gjatë gjithë jetës së tij politike nga “Bijtë e Allahut” të islamit radikal, për të përdorur Shqipërinë si ‘platformë’ të operacioneve të tyre terroriste në vendet e BE!

Amerikanët nuk i falin as financimet e PD nga Rusia për të destabilizuar situatën në Shqipëri dhe në rajon! Janë e zeza mbi të bardhë këto elementë që ndikuan fort në sanksionimin e Berishës nga ana e SHBA, përtej versionit zyrtar që jepet nga aleatët tanë por dhe justifikimeve të ndryshme në situata të ndryshme nga Berisha! Prandaj kreu i PD ka vendosur të heshtë për ‘non gratën’, anipse Trump ka një vit që ka ardhur në pushtet, e sikurse Berisha kishte paralajmëruar do të hiqte sanksionimin dhe do ta dërgonte në ‘shtëpi’ Edi Ramën, duke e larguar nga pushteti! Me sa duket do të presë shumë, deri në fund të jetës për këtë vendim! Prandaj ka nisur heshtjen!