Sot bota përkujton Holokaustin, krimin e nazizmit ndaj hebrenjve, e cila vijon të jetë një plagë e hapur e historisë europiane dhe njerëzore, e dënuar pa ekuivok nga ndërgjegjja publike dhe nga dokumentet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Për dekada me radhë, kjo tragjedi ka qenë busull morale jo thjesht si kujtesë, por si paralajmërim që njerëzimi të mos përsërisë dramat e veta të periudhave më të errëta.

Megjithatë, kujtesa pa koherenën e moralit shndërrohet në një hipokrizi politike.

Europa e ka jetuar për vite peshën e fajit, madje disa vende edhe sot e kësaj dite e mbajnë mbi vete barrën historike të asaj që ndodhi, mirëpo në panoramën e Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët zgjodhën një rrugë tjetër, duke mos i dorëzuar hebrenjtë, por duke i strehuar, i ushqyer dhe duke i mbrojtur. Kjo histori flet më shumë për shqiptarët sesa për hebrenjtë që u shpëtuan.

Pikërisht, për këtë arsye, simbolika e vizitave dhe ceremonive sot duket mjaft hipokrite, sepse më shumë se sa kjo do duhej një përulësi morale, do duhej falënderim ndaj atyre që shpëtuan jetë, jo instrumentalizim i historisë për të shpëlarë imazhe kriminale politike si ajo e Benjamin Netanyahu.

Sepse sot, bota përballet me krime të reja, ku pas asaj që ka ndodhur në Gaza, Holokausti i vjetër i nazistëve ndaj hebrenjve, nuk është gjë tjetër vetëm se një justifikim dhe një alibi për të mbyllur sytë ndaj aktualitetit të sotëm.

Nuk është hera e parë që njerëzimi nuk nxjerr mësime nga e kaluara, e ka bërë edhe më herët, ndaj sot teksa kujton krimin nazist, nga ana tjetër, toleron ose relativizon krime të reja kundër civilëve të pambrojtur në Gaza. Ndërsa përsërit “kurrë më” për Holokaustin ndaj hebrenjve, lejon që uria, bombardimet, shkatërrimi sistematik i infrastrukturës civile dhe vrasjet masive të normalizohen si “domosdoshmëri sigurie” ndaj palestinezëve të pambrojtur.

Raportet e OKB, deklaratat e agjencive humanitare dhe vlerësimet e organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë ngritur alarme të përsëritura për shenja të një politike me tipare gjenocidiale në Gaza, ku përdorimi i urisë si mjet lufte, ndëshkimi kolektiv, zhvendosjet e detyruara dhe vrasjet e civilëve janë shndërruar në mjete të represionit në kundërshtim me të gjithë ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Këto nuk janë opinione, por fakte të dokumentuara.

Këtu qëndron hipokrizia e madhe e politikës, ku një botë që mban ceremoni solemne për krimet e djeshme, ndërsa shtrëngon duart e një lideri të akuzuar për krime lufte; që publikon fotografi të kampëve naziste, ndërsa mbyll sytë para rrënojave dhe varrezave masive të sotme. Një mizanskenë morale ku kujtesa përdoret si dekor dhe drejtësia si armë e më të fortit.

Holokausti nuk mund të jetë kartë morale për askënd, as justifikim, as shpëlarje, prandaj nëse historia shërben për të heshtur përballë krimeve të reja, ajo tradhtohet dy herë: një herë ndaj viktimave të djeshme dhe një herë ndaj viktimave të sotme.