Pse shumë kosovarë kanë sulmuar Shqipërinë dhe janë bashkuar me një organizatë majtiste ekstreme që shfaqet çdo pasdite në bulevardin e Tiranës!? A prapë ‘vëllezërit tanë’ me Rozafën?
Kësaj here nuk janë me Rozafën. Herët e tjera kanë qenë. Madje edhe në kohën e Titos dhe Kardelit, kosovarët e kishin syrin dhe mendjen nga Rozafa. Më kanë treguar njerëz realë, miq, gazetarë, profesorë të filozofisë se sa udhëtonin për të ‘mbërritur’ lart te Rozafa. Me orë të tëra, mot e pa mot, për t’u ngjitur në majën ku televizori kapte valët e Shqipërisë.
Atje ndiqeshin fjalimet e Enver Hoxhës, por prapë epike është!
Ne, në Shqipëri, i dëgjonim këto histori, dhe me njëri tjetrin kishim sajuar kodin “Kosovarët janë me Rozafën!”. Në zarfin e këtij kodi mbështillej e vërteta se ‘kosovarët janë me të madhin, me Enverin’. Pa dyshim që vetëm kështu mund të dëshmohej dashuria për Shqipërinë, një dashuri që kosovarët e kanë dëshmuar në gjithë historinë. Ata nuk mund të bënin asgjë për të ndryshuar gjendjen tonë politike. As për të nxjerrë njerëzit nga burgu, as për të eliminuar Enver Hoxhën.
Pa që tua thoje këto fjalë, bëheshe armik përjetë.
Edhe këto ditë kur në bulevardin e Tiranës po lind një e majtë, e majtë ekstreme, disa kosovarë janë duke furnizuar barutin e armëve të të majtëve kundër Shqipërisë. Sulmojnë bizneset, turizmin në përgjithësi, njeriun, artin, kulturën, dinjitetin, demokracinë, kundërshtarin, investimin. Madje, ndryshe nga kosovarët e ‘majës së malit me antenë’, po marrin pjesë në aksionin për të shembur sistemin ( siç thonë në mënyrë idiote). Janë betuar dhe kanë gjetur fishekë e arkivole për vrasjen e kryeministrit Edi Rama. Kanë në plan të bëjnë një ‘Shqipëri të Re’ pa kushtetutë, pa sistem, pa vota, pa Parlament, me qeveri ‘me vrimë’. Do të vriten menjëherë 45 mijë spektatorë që morën pjesë në koncertin e Kanye West.
Të gjitha këto do të bëhen me praninë e kosovarëve në ‘kasaphanë’.
Prapë po flasim një nga një e dy nga dy, si atëherë kur flisnim ilegalisht për ‘kosovarët e Rozafës’.
Dilema tani: Kësaj here nuk janë me Rozafën. Sepse Rozafë kësaj here i bie të quhet Edi Rama. Si atëherë Enveri. Mirëpo kosovarët janë kundër Ramës dhe kundër shtetit shqiptar. Madje kundër deri në vdekje!, thonë disa.
Çfarë ka ndodhur kështu? Nuk besoj se ka konfuzion. Mund të ketë ndodhur që kosovarët te ‘flamingot’ e majtë ekstremë të Tiranës, të kenë projektuar Enverin e atëhershëm. I majtë ai, të majtë këta.
Por këta janë më tmerr se Enveri; mos u rënësh në dorë.
Atëherë i bie që kosovarët të jenë prapë me Rozafën. Por kundër Shqipërisë.
Ka shumë absurd, qëllim të keq, por edhe naivitet në këtë mes.
Çfarë më ndodhi me një koleg kosovar, mjaft i studiuar, mjaft dashamirës ndaj Tiranës dhe kundër ‘Antifa-s’ në bulevard. Në studion televizive. Po përsiatej se a ka të drejtë kosovari të protestojë në Shqipëri, apo nuk ka. Ca gjëra i thoshte me butësi, pastaj i ngecte logjika. Thoshte se ‘për shembull, kur është puna për Zvërnecin, ne protestojmë. Për të tjera jo!”.
E dëgjova. Me patjetër duhej gjetur shteg për t’iu sulur Shqipërisë me turma proteste. Mu duk se në Kosovë ka rënë një sëmundje ‘majtiste ekstreme’, ose ‘albiniste’, ose thjesht kompleks inferioriteti. Me çdo kusht të ngrenë pluhur, gurë, linçim, parulla vdekjeje, këtu në Tiranë!.
Çudi e madhe! Mu bë sikur Kosova ka një fëmijë që quhet Shqipëri, e ka kopil dhe e ka strehuar në një jetimore buzë Adriatikut. Atëherë duhet të vijnë kosovarët si prindër të paligjshëm, që sa herë duan t’i bëjnë namin kujdestarve të fëmijës Shqipëri.
Shqipëria ndodhet në ‘mahie’, siç thuhet në Kosovë për mahnitjen. A të presë artin e madh dhe spektatorë nga 80 vende, apo vëllezërit me barut nga Kosova? A të shpëtojë bizneset nga sulmi i këtyre ‘gangsterëve’ politik të bulevardit, ku bëjnë pjesë edhe kosovarë, apo çfarë? A të mbrojnë paqen dhe stabilitetin e vendit, apo të durojnë terrorin e majtistëve të bulevardit dhe sulmet mbi gjithçka.
Por para së gjithash interesi i Shqipërisë për stabilitet dhe prosperitet europian e perëndimor.
Shqipëria të mbrohet nga armiku i ditës që ushqehet nga jashtë e nga brenda, apo jo?
Armiku është ballë për ballë, po tenton rrënimin e shtetit. Por s’e lufton dot; s’e lufton dot për shkak se jemi në Demokraci.
As kosovarët nuk i përball dot; nuk i përball sepse jemi në Vëllazëri.
O duhen korrigjuar këto dy vegla të vjetra, o s’ka rrugë tjetër. Shqipëria është mbi të gjitha.
