Lulzim Basha ka autorizuar 3 ditë para dorëheqjes publike, Gazment Bardhin, Enkelejd Alibeajn dhe Indrit Sefën, për ta përfaqësuar atë dhe PD-në, ligjërisht. Kjo u zbulua nga dokumentet e dorëzuara për regjistrim në KQZ, pas 1 viti, duke ngritur me të drejtë shumë pikëpyetje.

Teksa dukej si një marrje përgjegjësie pas humbjes në zgjedhjet lokale të 6 marsit, dorëheqja e Lulzim Bashës rezulton të ketë qenë e mirëmenduar dhe mirë orkestruar. Dorëzimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i dokumentacionit për regjistrimin e PD në zgjedhje, në emër të Alibeajt, ka zbardhur të gjithë skenarin e përdorur nga Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj, për drejtimin e partisë.

Teksa Statuti i PD parashikon që pas dorëheqjes së kryetarit, ky pozicion i kalon një prej nënkryetarëve, më konkretisht Agron Gjekmarkaj, Jorida Tabaku, Grida Duma e Enkelejd Alibeaj, pas një votimi në Këshillin Kombëtar, menjëherë këta të fundit, me përjashtim të Alibeajt u tërhoqën nga e drejta e kandidimit për këtë post. Vetë Grida Duma u dorëhoq nga posti i nënkryetares, më datë 9 mars, pas humbjes së zgjedhjeve.

Por autorizimi i përgjithshëm lëshuar nga Lulzim Basha vetëm 3 ditë para dorëheqjes së tij publike, për të përfaqësuar atë dhe PD, përfshin vetëm 3 emra, konkretisht Sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi, Nënkryetarin Enkelejd Alibeaj dhe si përfaqësues ligjor Indrit Sefa. Për këtë arsye, ngrihet pyetja, si e dinte Lulzim Basha se vetëm Enkelejd Alibeaj do të ishte i gatshëm për të qenë ‘kryetar me autorizim’? A është e gjithë ‘loja’ me tërheqjen nga interesimi për të garuar para Këshillit Kombëtar të PD të 3 nënkryetarëve të tjerë, e dirigjuar?

Por jo vetëm kaq, rezulton se me të drejtë Këshilli Kombëtar nuk është mbledhur, pasi Lulzim Basha edhe pse ‘ de facto’ ishte dorëhequr publikisht, ‘de juro’ vijon të jetë kryetar.

Për më tepër, përfaqësuesi ligjor Indrit Sefa, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, u shpreh se të hënën do të dorëzohej në Gjykatën e Tiranës zyrtarisht dorëheqja e Lulzim Bashës. Por përse një gjë e tillë nuk ka ndodhur nga përfaqësuesit e autorizuar të Lulzim Bashës, prej thuajse një viti nga dorëheqja publike?

Lulzim Basha, edhe pse i dorëhequr publikisht, vijon të drejtojë nëpërmjet Enkelejd Alibeajt Partinë Demokratike, dhe këtë e faktojnë dokumentet e dorëzuara në KQZ nga Indrit Sefa.

Këto pyetje do të jenë edhe për një kohë të pacaktuar pa përgjigje, për aq kohë sa të autorizuarit nga Lulzim Basha, si në rastin e Indrit Sefës, nuk do të pranojnë të përgjigjen para gazetarëve.