
Epidemiologu Ilir Alimehmeti, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka sqaruar se çfarë janë 4 variantet e Covid që po qarkullojnë në botë.
Shumë kemi dëgjuar mbi variantet e reja të SARS-CoV-2 miqtë e mi!
Gati gjithnjë fjala “të reja” shoqërohet me fjalë panikmbjellëse si “më të rënda” dhe “më vdekjeprurëse”.
Le t’i shohim vetë më nga pranë katër prej varianteve më të përfolura:
britanikun,
afrikano-jugorin,
brazilianin dhe
kalifornianin.
Por nuk do të ndalemi këtu!
Sir Charles Lyell në shekullin XIX shprehej “Shko dhe shih (kërko)” sa herë bëhej fjalë për diçka të re apo të panjohur.
Këtë do të bëjmë edhe ne!
Do të shohim së bashku të dhënat epidemiologjike zyrtare të të katër këtyre shteteve, duke u fokusuar mbi rastet e reja dhe vdekshmërinë në bazë javore.
Kujdes:
Përpara se të vendosim çdo të dhënë në një thes duhet të pranojmë që kemi të bëjmë me shtete shumë të ndryshme mes tyre në nivel popullate, ekonomie, shëndetësie, stine, masash shtrënguese, vaksinimesh dhe jo vetëm.
Popullsitë:
Brazili: 211.0 milionë
Britania e Madhe: 66.7 milionë
Afrika e Jugut: 58.6 milionë
Kalifornia (SHBA): 39.5 milionë
Nuk besoj se ka nevojë të analizojmë kush ka shëndetin dhe ekonominë më të fuqishme mes tyre.
Stina: Anglia dhe Kalifornia janë në dimër, Brazili dhe Afrika e Jugut janë në verë.
Masat shtrënguese: Anglia dhe Kalifornia janë nën gjendje lockdown, kurse Brazili dhe Afrika e Jugut janë nën masa më të lehta.
Vaksinimi: më i përparuar në Angli, Kalifornia në vend të dytë kurse shtetet e tjera janë shumë më poshtë.
Tani le të shohim të dhënat në figura:
Të katërta shtetet janë në rënie.
Në rënie janë rastet e reja.
Në rënie janë vdekjet.
Dita me më shumë raste të reja nga kur fillon rënia (në rend alfabetik):
Afrika e Jugut: 11 Janar 2021 – 19.042 raste/ditë
Brazili: 12 Janar 2021 – 54.804 raste/ditë
Britania e Madhe: 10 Janar 2021 – 59.563 raste/ditë
Kalifornia: 13 Janar 2021 – 44.087 raste/ditë
Dita me më shumë vdekje nga kur fillon rënia (në rend alfabetik):
Afrika e Jugut: 15 Janar 2021 – 578 vdekje/ditë
Brazili: 30 Janar 2021 – 1.071 vdekje/ditë (relativisht konstant, mund të ketë zhvillime)
Britania e Madhe: 23 Janar 2021 – 1.248 vdekje/ditë
Kalifornia: 27 Janar 2021 – 562 vdekje/ditë
Nuk ju habit asgjë?
Katër shtete në katër kontinente të ndryshme, me katër variante të ndryshme të reja, me katër situata krejtësisht të ndryshme popullatash kapin pikun fiks në të njëjtat ditë?
Le t’i hedhim një sy edhe nivelit të vdekjeve të standardizuar sipas popullatës (në ditën e pikut të vdekshmërisë):
Afrika e Jugut: 0.99 vdekje / 100.000 banorë
Brazili: 0.51 vdekje / 100.000 banorë
Britania e Madhe: 1.87 / 100.000 banorë
Kalifornia: 1.42 / 100.000 banorë
Kujdes: mund të ketë diferenca në procedurat e vërtetimit dhe raportimit të vdekshmërisë në shtetet e ndryshme.
Por, edhe sikur Brazili të ketë një nënraportim 3-4 herë më të ulët se realiteti, përsëri vjen i krahasueshëm me shtetet e tjera.
Si përfundim, miqtë e mi?
Nëse katër shtetet ku kanë lindur katër variantet e reja të virusit janë në rënie pak a shumë të koordinuar në kohë pavarësisht të gjitha diferencave që kanë, është tregues që variantet e reja nuk kanë luajtur një rol aq të madh sa pasqyrohet në media.