Laer Kurti është i riu, 32-vjeçar i cili ka humbur jetën një natë më parë në Tiranë, ndërkohë që ishte shoqëruar nga autoritetet policore.
Në tymnajën e informacioneve mediatike, njoftohet se 32- vjeçari Kurti pasi është shoqëruar në komisariat, ka shfaqur probleme shëndetësore, dhe për pasojë ka ndërruar jetë në spital.
Ndalimi i të riut, Lear Kurti u bë rreth orës 23:07, në rrugën “Riza Cuka”. Ndonëse të riut iu bë thirrje që të ndalonte, ai nuk iu bind policisë dhe tentoi të largohej, por me pas u ndalua.
“Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L.K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policies janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.
Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur problem shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.”– sqaron ndër të tjera Agjencia e Mbikqyrjes Policore mbi ngjarjen.
Teksa dyshimet mbi veprimtarinë e policisë janë po aq të hapura sa edhe mundësia që 32-vjeçari Laer Kurti të ketë ndërruar jetë nga shkaqe natyrore, përdorimi i lëndëve narkotike apo mbidoza, kjo nuk është ngjarja e parë e cila ka “përgjakur” ambientet e Komisariatit nr.3 në Tiranë.
Kujtojmë se në 22 maj të po këtij viti, Komisariati nr.3 në kryeqytet është bërë sërish pjesë e kronikës së zezë, ku polici 25-vjeçar Ludian Zaimi ka qëlluar për vdekje 6 herë me armën e shërbimit kolegun e tij 55-vjeçar Çaush Saliasi, të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme.
Përtej këtyre ngjarjeve dhe këtij komisariat, sjellim në vëmendje se Klodian Rasha, Arben Mici, Jonada Avdia dhe së fundmi Laer Kurti janë të gjithë qytetarë të Republikës së Shqipërisë që u është marrë jeta me apo pa qëllim nga duart e personave me detyrë aktive pranë Policisë së Shtetit.
Kush është “vrasësi” brenda Policisë së Shtetit që hera- herës trondit opinionin publik me ngjarje të tilla?
JO NJË EMËR KONKRET, në të tilla raste “vrasësi” është fenomeni që duhet të shqetësojë autoritetet përgjegjëse dhe duhet të bëhet këmbanë alarmi për lëvizjet e menjëherëshme.
Vettingu në Polici, i cili së fundmi është marrë përsipër nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore mund të jetë një zgjedhje e mundshme që puna e palodhur e të gjithë policëve të ndershëm që punojnë me vullnet dhe i kanë dhënë jetën këtij profesioni të mos përligjet nga disa fenomene të “kriminalizuara” brenda llojit të tyre.
Ndonëse për ngjarjen e Laer Kurtit autortietet kanë treguar se i riu ka humbur jetën pasi ka gëllitur një qese me drogë dhe kjo e fundit iu ça në stomak, vrasjet e mëparëshme kanë treguar se Policia e Shtetit ka nevojë të dekriminalizohet dhe të kryej detyrën ashtu si duhet pa i marrë jetën asnjë qytetari në Republikën e Shqipërisë, qoftë ky dhe krimineli më i madh.
Se kush është vrasësi brenda Komisariatit nr.3 apo edhe vetë Policisë së Shtetit, vettingu në radhët e policëve mund ta tregoj fare mirë!