Vullneti i Gjykatës së Hagës, u dha: Burg 81 vjet për katër burra.
Hashim Thaçi kur të dalë, 25 vjet më vonë, mund të jetë pa sy. Nuk do të mund shikojë më ata që e paditën, ata që e tradhtuan, as ata që e burgosën, as ata që ia gërryen themelet shtetit të ri që solli Lufta e tij me shokë.
As Jakup Krasniqi, si zor se do të mund t’i shikojë sy më sy disa nga këta që po jargaviten nëpër ekrane. Ai është një studiues i shquar në fushën e historisë. Ka parë gjithnjë prapa në kohë, koha e ardhshme e pengon.
Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, me më pak vite- 18 dhe 13 vjet burgim, mund t’i shikojnë dritën e diellit dhe ‘të pikëlluarit e mëdhenj’, një ditë.
Nuk mbeti politikan pa u mekur para vendimit të Hagës për dënimin e katër heronjve të UÇK, çlirimtarë të Kosovës. Po çfarë ndodhi?
Vendimi i Hagës nuk ishte kaq i papritur sa ç’ishte i papritur ‘pikëllimi’ i kolegëve me ‘gaca mullës’. U mahnita. Të gjithë zunë radhën për të shprehur ‘mirësi’ dhe lot për katër liderët e Ushtrisë Çlirimtare.
-Po çuditem, bre, se si edhe Albulena ( Albulena Haxhiu- presidente në detyrë e Kosovës) u bashkue me ne dhe foli fjalë të mira për këta!
Kështu tha një burrë i ri, shtatgjatë, i prekur e me lot në sy, i lodhur nga rruga. Një natë më parë kishte qenë në turnin e punës, kishte udhëtuar nga larg për në Fushë- Kosovë. Qytetarë të Kosovës u mblodhën dje para selisë së EULEX dhe protestuan për dënimet biblike ndaj Çlirimtarëve të Kosovës. Shumica e qytetarëve nuk pranuan të flisnin para mikrofonave të gazetarit.
-Shko se flasin ata!- thanë të zemëruar, duke nënkuptuar ‘udhëheqësit’.
Presidentja në detyrë e Kosovës kishte folur ‘kundër çlirimtarëve’ tre ditë më parë. Sot u mek.
Vjosa Osmani, ish presidente, kishte qenë e egër kundër Thaçit pasi kishte lënë zyrën si asistente e tij. Sot Vjosa doli me deklaratë ‘pro Luftës’.
Konjufca, ministër i VV që nuk e njeh luftën e Kosovës, u shfaq në Hagë. Si për të acaruar katër liderët që po dënoheshin me nga një jetë burgim.
Edhe Sali Berisha në Tiranë u sëkëlldis për të ‘mbështetur’ Thaçin. Kur ishte president i Shqipërisë, Berisha i kishte burgosur Hashimin, Zahir Pajazitin dhe Adem Jasharin- të tre heronj të Kosovës.
Vetëm Albin Kurti i qëndroi të vetës deri në fund. Ai as e ka dashur çlirimin, as Ushtrinë Çlirimtare, as shtetin e Kosovës, as flamurin dhe himnin e Republikës. Madje i ka kundërshtuar me tym e zjarr. I qëndron edhe sot e kësaj dite qëndrimit ‘anti’. Për heronjtë e Hagës nuk foli asnjë fjalë. Thonë se edhe armiku më i egër ditën e fundit i lëshon frenat, por Albini jo.
Të gjithë u dukën se po flisnin në varrimin e katër liderëve.
Është një zakon i paprekshëm, njerëzor, që në ditën e fundit zgjedhin fjalët e mira ajrore. Zakon njerëzor, por jo politik. Deri ditën e fundit, veç Ramush Haradinaj në Kosovë dhe Edi Rama në Tiranë, tjetërkush nuk u përball me të vërtetën e ndaluar që çlirimtarët ndodheshin para Padrejtësisë në një Gjykatë ‘Drejtësie’. Haradinaj e propozoi Thaçin edhe si president i Kosovës.
A do të jetë në gjendje Kosova politike që ta bëjë realitet këtë propozim që vjen nga UÇK, ta zgjedhë Hashim Thaçin president të Republikës edhe pse në qelitë e Hagës?!
Para aktit politik të vlerës nuk vlejnë lot e mekje. Me sa duket edhe ‘lotët’ ishin sot mjete politike. Po i qajnë katër liderët e Çlirimit me qëllim që të mbyllet ‘në varr’ kapitulli i tyre. Tani e tutje nuk do të jenë më as president, as kryetar Kuvendi, as gjeneralë, as studiues e zëdhënës.
Harresa vjen me lot e psherëtima.
