Një grua nga periferia del në rrugë për të protestuar, me fotografinë e burrit të vdekur në minierë, në dorë. Nuk ka pamjen e zonjave firmato të parlamentit, qeverisë, opozitës që flasin për fuqizimin e gruas nga sallat me ajër të kondicionuar. Sytë e saj janë të lodhur, gishtat të rrudhur, flokët të parregullt, si fjalët që thotë. Por pamja e saj flet më shumë se çdo fjalim apo konferencë për media.

Ajo është fytyra e padrejtësisë sociale në një vend që qeveriset nga socialistë.

Prej disa javësh, minatorët e Spaçit në veri kërkojnë legjitimimin e sindikatës dhe siguri në punë; ndërsa naftëtarët e Marinzës në jug kërkojnë një pagë që t’i mbajë gjallë mes tymit dhe helmeve të naftës.

Dy realitete, dy skaje të vendit, por e njëjta gjuhë: gjuha e njeriut të papërfaqësuar, të lënë pas, që kërkon pak vëmendje nga një Tiranë ku çdo ditë shfaqet luksi i pacipë i atyre që i drejtojnë: Përgjime ku milionat e eurove zhduken si pesëleksha, makina që kushtojnë sa një galeri e tërë kromi, orë që vezullojnë mbi kyçet e korrupsionit, darka ku gromësijnë të vetëkënaqur ata që firmosin koncesione të paguara me djersën e atyre që nuk kanë as oksigjen.

Ironia është therëse: Shqipëria qeveriset prej vitesh nga një parti që e quan veten të majtë. Tetëdhjetë e tre deputetë majmen me etiketën “socialistë”. Asnjë prej tyre, hiq ndonjë postim jo zyrtar, nuk pipëtin për Spaçin dhe Marinzën. Kanë harruar thelbin e së majtës: mbrojtjen e klasës punëtore, barazinë sociale, dinjitetin e punës. Në vend të tyre, kemi ligje speciale që i shërbejnë kapitalit.

Punëtori, dikur shtylla morale e së majtës, është kthyer në një fjalë të bezdisur që nuk përdoret më as në fjalime. Pasunarët tanë të rinj i sikletos mjerimi. Por mjerim i vërtetë nuk janë ata që luftojnë për frymëmarrje. Mjerim është të kapardisesh në luks dhe t’i thuash vetes socialist. Nuk ka mjerim më tragjik dhe më qesharak se falsiteti.

Fatkeqësisht, edhe pjesa tjetër e shoqërisë sonë, e marrosur pas lekut, ka zgjedhur të mos i hedhë sytë aty ku jeta shkurtohet për pak euro në ditë. Ka mungesë ndjeshmërie dhe solidariteti. Një shoqëri që nuk mbron dinjitetin e atyre që punojnë, jo vetëm e majtë apo e djathtë nuk është, por nuk është më fare shoqëri.

Është një treg i ndotur, ku shitet e blihet çdo gjë. Edhe shpirti.