AFRIM IMAJ

“Për Policinë Politike të Tiranës, çështja i pafajshëm apo fajtor, nuk kishte rëndësi. I pafajshëm, do të thoshte ende i paarrestuar. Fajtor do të ishte gjithkush që gjendej në burg. Dhe fajtorin e tillë e priste plumbi”. Në vijim të kujtimeve të tij nga Shqipëria e pasluftës, mjeku italian që u bashkua me partizanët në vitet e luftës, Fraco Benanti, i cili u bë banor i burgjeve politike pa asnjë shkak, përshkruan tmerrin e përjetuar në qelitë e ngritura nga policia sekrete qysh në ditët e para të çlirimit të vendit.

Nga të mbijetuarit e tyre, rrëfimet e Benantit përbëjnë ndër dëshmitë e rralla të realitetit tragjik të burgjeve të para politike, të ngritura në godinat që përshtati administrata fashiste në Shqipëri për gijotinën shfarosëse. “Një ferr i vërtetë, me tortura nga më çnjerëzoret, me njerëz që bërtisnin si kafshë dhe dhunonin kafshërisht viktimat e përzgjedhura nga policia e fshehtë”.

Me këtë përcaktim Benanti mundohet të tipizojë “gijotinën e ngritur rishtazi pas kapitullimit nazifashist”, duke sjellë ngjarje e fakte të shumta nga kalvari i vuajtjeve e keqtrajtimeve në burgjet komuniste në Shqipëri. Siç shprehet ai, njerëzit që shërbenin aty, hetuesit e gardianët ishin aq të egër e barbar sa do t’i kishin zili edhe xhelatët e nazizmit. “Ndoshta nuk do ta kisha njohur këtë anë të errët të realitetit shqiptar, vë në dukje mjeku italian, po të mos kisha ndarë të njëjtin fat me dhjetëra e qindra bashkëvuajtës të tjerë që mbetën viktima të këtij mekanizmi barbar”.

Nga gjithë ai kalvar represioni, mjeku italian që ju bashkua partizanëve në vitet e luftës, veçon një episod të tmerrshëm kur është përballur me skuadrën e pushkatimit. “Ishte mesnatë, kujton ai. Në dhomë hynë disa ushtarë të armatosur. M’i lidhën duart dhe më nxorën jashtë në oborrin e burgut. Aty na priste një makinë, bashkë me gjykatësin. Makina u nis menjëherë. Ishte ora 3 e natës. Pas disa minutash u ndalëm para murit të varrezave. Zbritëm poshtë, përshkuam njëzetë hapa në këmbë. Më mbështetën me shpatulla pas murit. Ushtarët u rreshtuan para meje, rreth 15 m larg. Kaluan kështu disa minuta.. Me vete mendova gjithçka që kisha dashur, gjithçka që duhej ta lija pas përgjithmonë. Mu kujtua rinia, ime shoqe, fëmijët e mi. U inskenua një skenë ekzekutimi. Vetëm disa minuta kjo. Pastaj gjyqtari i dha fund ‘lojës’, duke u bindur më në fund se nuk kisha fshehur ndonjë gjë të rëndësishme…”.

Po si u gjend Benanti banor i qelive të errëta, si mundi t’i shpëtojë pushkatimit pas shpalljes agjent e reaksionar dhe në cilat kushte mbërriti klandestin në shtëpinë e vet pas 10 vjetësh syrgjynosje në vendin tonë..

SI U BËRA BANOR I BURGUT POLITIK

Ndërsa isha në Gjirokastër, mëngjesin e 10 prillit më thirri komisari. Pa më parë në sy, më dorëzoi një urdhër transferimi dhe një fletë udhëtimi. Destinacioni: Spitali Ushtarak i Tiranës. Më tha se duhej të nisesha menjëherë. Pas një udhëtimi me një makinë të postës përgjatë më shumë se 200 km, arrita në mbrëmje në kryeqytet. Vijuam rrugën për në hotelin “Continental”.

Ende s’kisha zbritur valixhen time, kur mu afruan dy ushtarakë. “Doktor, ju lutem të vini në komandë për të plotësuar disa formalitete”. Më befasoi kjo, po nuk kundërshtova. Bashkë me ta dolëm nga hoteli dhe hipëm në një xhip amerikan. Pas 10 minutash ndalëm para një ndërtese njëkatëshe, me dritare me kangjella hekuri. Makina u fut në oborrin e saj. Nëpërmjet një korridori dolëm në një dhomë të madhe, ku qëndronte ulur pranë një tryeze drejtori i Sigurimit të Tiranës.

Më lanë vetëm për vetëm me të, ashtu në këmbë. Pasi më këqyri nga koka te këmbët, ai dha disa porosi për një rreshter, i cili më çoi në një bodrum, ku më mori orën, disa sende personale, rripin e pantallonave dhe më mbylli pas një porte me një dry të madh, duke më shtyrë e duke më thënë: “Futu brenda, kriminel fashist!” Qelia më ngjau me një ferr: katër mure prej graniti, dysheme prej çimentoje, dritare me hekura. Truri im nisi të punojë me shpejtësi.

Përse u gjenda në këtë burg? Cilat prova ishin kundër meje? Pas një farë kohe, një polic jevg trupmadh më solli pak bukë misri dhe një supë bizelesh pa yndyrë, ku mezi gjeje ndonjë kokërr brenda. Ushqimi vinte dy herë në ditë. Tërë natën dëgjoja ulërimat shtazarake që vinin nga ana tjetër e korridorit, për shkak të torturave që kryheshin aty dhe që më mbushnin plot frikë. Më në fund më morën në pyetje të rregullta. Donin të dinin gjithçka; çfarë kishte bërë im atë, ku banonte familja ime, si i kishte kushtet ekonomike, përse e zgjodha profesionin e mjekut, ku kisha studiuar etj. Vazhdoi kështu më shumë se tre orë.

“Mjaft, shoqërojeni për në qeli!”, urdhëroi hetuesi. Më thirrën sërish në dy të natës. U përsëriten të njëjtat pyetje. Më pyetën se çmendoja për luftën, për kryeministrin De Gasperi. “E urrej luftën”, i thashë. “De Gasperin nuk e njoh”. Hetuesi shënonte. Pastaj shqiptoi diçka në formën e akuzës për lidhje me reaksionin dhe priftërinjtë. Fliste me duar e shenja, i eksituar. E kuptova akuzën, lidhje me priftërinjtë dhe reaksionin. Kjo do të thoshte, dënim me vdekje!

HETIMET VAZHDUAN

Të nesërmen, para se të haja mëngjes, më thirrën në hetuesi dhe më kërkuan përsëri lidhjet me reaksionin dhe priftërinjtë. Nuk dija çfarë t’u thosha. Ata këmbëngulnin për orë të tëra, pastaj më fusnin prapë në qeli. Hetimet vazhdonin po kështu. Më merrnin në orën 17:00 dhe më mbanin mbi tre orë së pyeturi. Me merrnin edhe në dy të natës, jo më pak se dy orë. Më kishin gjetur një fotografi që e mbaja në valixhen time, ku kisha dalë së bashku me patër Raffaele Muçno, që e kisha njohur në Korçë.

Po ashtu edhe disa tesha me yje dhe grada që i mbaja kur isha bashkuar me partizanët. Mezi ia mbusha mendjen hetuesit që nuk bëhej fjalë për emblemën fashiste. Më kërkonin të deklaroja përse isha futur në ushtrinë italiane. Më kërkonin të dëshmoja për krimet që kishte kryer divizioni im. Kur më shoqëronin për në qeli, më kalonin qëllimisht pranë disa të burgosurve të tjerë, që i kishin rrahur paq me hu dhe i kishin bërë tërë gjak, që të kuptoja se i njëjti fat mund të më takonte edhe mua.

Pas dy javëve gjykatësi më bëri të njohur akuzën; spiunazh në favor të Vatikanit dhe lidhje me reaksionin e brendshëm. Për drejtësinë shqiptare çështja i pafajshëm, apo fajtor nuk kishte rëndësi. Përkohësisht i pafajshëm, do të thotë ende i paarrestuar, fajtor po qe se të kanë futur në burg…

KALVARI I MUNDIMEVE VAZHDON

Por, të nesërmen gjykatësi më thirri dhe më informoi se eprorët e tij e kishin urdhëruar të më dërgonin në Gjirokastër. Asgjë nuk bëhej dot pa miratimin e Sigurimit të Lartë! Aty më priti një kapiten i Policisë Ushtarake, që e pata njohur në fund të luftës, Omer Osmani.

-Mirëdita! Më vjen keq që të zotët e shtëpisë nuk janë. Se të gjithë spiunët i kemi dërguar në vendin e tyre, më tha me cinizëm.

Pastaj urdhëroi një roje për të më futur në dhomën numër nëntë. Aty gjeta një mysafir tjetër. Pas disa ditësh më transferuan në një dhomë tjetër me 12 vetë. Siç e kuptova më vonë, këto transferime bëheshin në përputhje me një strategji policore, sipas shkencës së mësuar nga jugosllavët dhe sovjetikët. Aty na sollën këmbë e duar lidhur Nesti Papajorgjin, që e pata njohur kohë më parë. Tetë policë po e rrihnin duke e sharë: More dobiç, bir i priftërinjve, nip i Papës! Një ditë më pas e dërguan në burgun e kështjellës së Gjirokastrës. Pak e nga pak mësova nga shokët e dhomës historitë e tyre; arrestime arbitrare, tortura, dëshmi të rreme, dënime pa proces gjyqësor, ose procese pa asnjë garanci mbrojtjeje. Shumë syresh ishin dënuar me vdekje, të tjerët me punë të detyruar.

Një natë, aty nga mesi i qershorit, më thërret Osmani, dhe kërkon t’i tregoj fill e për pe biografinë time. Nëse komunizmi është një lloj feje, kjo çështja e biografisë është një nga ritet e tij.

-Pse ke thënë se ne komunistët e kemi asgjësuar lirinë?, m’u drejtua ai.

Kundërshtova. Aty për aty ai më zgjati një letër deklaratë nënshkruar nga dy informatorë, që dëshmonin se unë i kisha thënë ato fjalë.

-Mos doni ta mohoni edhe këtë? E dimë mirë që je agjent i Vatikanit, je edhe spiun i anglezëve!

-E kam takuar atë zotërinë anglez, sepse ishte i sëmurë. Pasi e vizitova i dhashë një letër për familjen time në Itali, pasi do udhëtonte ato ditë. Kjo që thoni është çmenduri, vërejta unë.

-Si thatë, çmenduri? Ja ku e ke deklaratën e kamerierit të hotelit.

Vazhduan të më marrin në pyetje çdo natë. Sado që u përpoqa t’i bindja se jam i pafajshëm, ishte pa dobi. Më në fund një natë më dhanë një letër ku duhet të firmosja për bisedat e bëra.

-S’është e vërtetë, u thashë. Më ballafaqoni me dëshmitarët.

Natën tjetër ma sollën Nesti Papajorgjin. Atë e mbanin për krahësh dy policë, ngaqë ishte ligështuar pa masë nga torturat.

-A është e vërtetë që doktori ka marrë nga priftërinjtë libra që propagandojnë kundër qeverisë?

-Jo, s’e kam thënë këtë gjë. Kam thënë se ka marrë libra fetarë për lexim, vijoi Nesti, edhe pse Osmani e goditi në qafë fort, duke e kërcënuar. Ditët që pasuan Osmani më mbante në zyrë, duke më pyetur nga ora nëntë deri në gjashtëmbëdhjetë, duke shpresuar të nxirrte diçka. Me sa duket kështu e kishin urdhëruar eprorët në Tiranë. Shkoi në Tiranë dhe kur u kthye më tha, merre këtë letër, shkruaj çfarë të duash, por veç me sinqeritet dhe firmos. Pas disa ditësh më transferuan në burgun e kështjellës. Kjo kishte qenë rindërtuar nga Ali Pashë Tepelena.

Kishte disa korridore të gjata dhe labirinte si një kullë e Babilonisë. Shumica e atyre që pashë aty dukeshin të sëmurë, të dobësuar, të shpërfytyruar nga ato që hiqnin çdo ditë. Isha mysafir në atë kështjellë deri më 12 gusht. Nëna ime ç’më kanë parë sytë aty. Gardianët dhe hetuesit do t’i kishin zili edhe vet xhahilët e nazizmit. Midis të burgosurve kishte ish-anëtarë të partive balliste e të legalitetit, të ashtuquajtura sabotatorë apo diversantë, kundërshtarë të kolektivizimit në bujqësi.

FARSAT E GJYQEVE KOMUNISTE Javën e parë të gushtit na nxorën para gjyqit. Një natë para, njeri prej nesh e humbi arsyen, e nisi të lehë si qen. Erdhën dhe e morën dhe s’e pamë më kurrë. Thanë që e vranë. Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura. Thirrën në fillim një kriminel të luftës.

“E pranon fajin?”. “Jo, nuk e pranoj!”. “Nuk ka rëndësi, të gjitha provat flasin kundër teje”. “Provat janë false”… “Qetësi, përgjigju vetëm kur të pyesim!…”. Më pas prokurori dha dënimin; me vdekje! Këtë e miratoi edhe gjykata. Kështu brenda 15 minutave, gjykata dënoi me vdekje një njeri pa të drejtë apelimi. Më erdhi radha mua. Akuzohesha për spiunazh dhe për lidhje me Vatikanin e propagandë reaksionare…

-I akuzuar, a ke për të thënë diçka përse akuzohesh? Pasi e kuptova, që vendimi për mua ishte marrë tashmë, thashë:

-Faleminderit që ma dhatë fjalën. Akuzat ngjajnë me trillime të fantazisë së dikujt. Këtij i thoni gjyq ju? Nuk kam çfarë të them…

Më quajtën si njeri pa respekt për gjykatën, thanë se janë të bindur për fajësinë time dhe më dënuan.

“Më mbështetën në murin e varrezave dhe gjykatësi urdhëroi pushkatarët ‘Zjarr!’”

Kur hetimet intensive, ditën dhe natën, nuk jepnin rezultatin që prisnin xhelatët komunistë, përdorën masën ekstreme: Simulimin e pushkatimit! Më zgjuan në orën 2 të natës dhe më dërguan menjëherë te gjykatësi.

-Nuk do të flasësh, nuk do të tregosh veprimtarinë tënde armiqësore kundër pushtetit tonë? Kam këtu urdhrin për t’ju çuar në plumb. E kuptove? Në çast! Kemi dëshmi që je spiun i Vatikanit. Lexoje! Ndjeva të më lëvizë gjaku me shpejtësi.

Kundërshtova dhe kërkova që nëse këta dëshmitarë ekzistojnë, të ballafaqohesha me ta?

-S’kemi më kohë për të diskutuar. Nëse nuk m’i jep tani në çast emrat që të kërkojmë, do të kalosh para skuadrës së pushkatimit!

-Keni tri minuta kohë për t’u menduar, urdhëroi gjykatësi.

Kaluan tri minutat dhe unë nuk kisha çfarë të tregoja.

– Atëherë mjaft, tha gjykatësi, do ta shikosh se nuk bëjmë shaka.

Në dhomë hynë disa ushtarë të armatosur. M’i lidhën duart dhe më nxorën jashtë në oborrin e burgut. Aty na priste një makinë. Bashkë me gjykatësin, ishin edhe tre oficerë të tjerë. Makina u nis menjëherë. Ishte mbase ora 3 e natës. Pas disa minutash u ndalëm para murit të varrezave. Zbritëm poshtë, përshkuam njëzetë hapa në këmbë, deri në rrëzë të murit. Më mbështetën me shpatulla pas murit. Ushtarët u rreshtuan para meje, rreth 15 m larg. Kaluan kështu disa minuta në heshtje varri. Me vete mendova gjithçka që kisha dashur, gjithçka që duhej ta lija pas përgjithmonë. Mu kujtua rinia, ime shoqe, fëmijët e mi…

-Për herë të fundit, po të ftoj të flasësh. Mjafton të na thuash disa emra dhe gjithçka do të zgjidhet.

-Më vjen keq, por s’kam asnjë emër për të treguar, nuk i njoh emrat që doni ju. A nuk e keni kuptuar pas kaq shumë seancash në hetuesi që jam i pafajshëm?

Në këtë çast, erdhi ajo që s’e prisja, ndryshoi krejt skena. Gjykatësi mu afrua, më kapi dorën dhe ma shtrëngoi duke thënë:

-Tash të besoj, por na u desh të sigurohemi deri në fund, se nuk kishe ndonjë gjë të rëndësishme për të na thënë!

Komedia mbaroi. Më hipën sërish në makinë dhe më kthyen në burg. Gjykatësi më buzëqeshi miqësisht. Më kthyen në qeli. Në mëngjes më thanë se mund të lirohesha shpejt, çështje orësh. Prisja me padurim të prekja lirinë.