Nuk do të lodhemi të shpjegojmë se çdo veprim i yni i gabuar në natyrë, herët a vonë, kthehet si një faturë karmike për t’u paguar, shpesh me kosto tepër të larta. Respekti dhe ndjeshmëria jonë ndaj faunës dhe florës lidhet drejtpërdrejtë me cilësinë e respektit që Natyra na e kthen disafish.
Po ndjehemi “Supernjerëz” që po ndërhyjmë brutalisht në lumin Shkumbin pa asnjë kokëçarje. Një nga lumenjtë më të rrëmbyeshëm e më të rëndësishëm të Shqipërisë nuk mund të trajtohet si një xhep inertesh dhe një thes mbeturinash. Nuk do të doja t’u besoja fjalëve që kush po gërrmon sot Shkumbinin e bën i pashqetësuar dhe i pakontrolluar sepse “kontrolluesit” kanë marrë atë që nuk duhej ta merrnin nga një firmë që ndërton rrugë, lëvizje, siguri. Por një gjë është fakt: Banorëve të zonës, pas marrjes së inerteve, tokat po u rrëshkasin në lumë dhe askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për një alarm të tillë. Dhe pas tokave të tyre tashmë edhe rruga, edhe pjesë të hekurudhës.
Kur “kafshojmë” Shqipërinë në emër të progresit, të zhvillimit dhe të mirëqënies duhet ta bëjmë duke u matur mirë. Tragjeditë e veprimeve të nxituara, të paparashikuara kanë pasur kosto të mëdha edhe në vende më të zhvilluara se ne, mendoni, në fshatrat mes Elbansanit, Librazhdit e Pogradecit, çfarë mund të bëjë dikush që i pakontrolluar autorizohet të masakrojë lumin Shkumbin.
Autorizimi që u jepet ndërtuesve për të transformuar bregdetin, për të lidhur qytete, rajone e vende, duhet të mbikqyret rreptësisht nga ekspertë, pasi, përvit e më shumë, të papërgatitur dhe shpërfillës edhe ndaj ndryshimeve klimatike, nëse do të vazhdojmë të ndërtojmë në gryka përrenjsh e lumenjsh, në zona të mbrojtura, nëse ndjehemi më të fortë se natyra jonë e të autorizuar “ta hamë” atë, mos të çuditemi nëse ajo, më e shkathët, na gëlltit ne.



