Në një gjysmë dite, krimi shënon 4 të vrarë në Shqipëri. Në aksin Vlorë-Levan, dy vetë u vranë nga një breshëri plumbash, në Elbasan, një djalë vetëm 18 vjeç vrau 33-vjeçarin rreth orës 22.00 të së mërkurës, ndërsa 4 orë më herët dy vëllezër kamarierë do t’i merrnin jetën një 41-vjecari për një parkim hoteli në Sarandë.
Çfarë do të sjellin orët që pasojnë, askush nuk mund ta thotë! E vetmja gjë që mund të shihet qartë e mund të thuhet me siguri është fakti se Shqipëria po përgjaket rregullisht thuajse në çdo cep të saj; në rrugë, në parkingje, në sheshe, në lokale, dhe në rrugicat midis pallateve, apo edhe në periferitë rurale të saj kur herë pas herë jo vetëm vrasjet, por edhe vetëvrasjet shtojnë bilancin e jetëve të humbura.
Por mbi të gjitha, ne vrasim për një fjalë goje, për një sherr në facebook, për një zhurmë kali në rërën e plazhit, për një sharje që e shkruajmë në rrjetet sociale, vrasim edhe për të treguar edhe pushtet, si oficeri në Himarë, që i mori jetën vajzës 7 vjeçares Jonada Avdia.
Gama e mjeteve të përdorura për ekzekutime qofshin këto të tipit mafioz apo për motive të dobëta, përfshin kallashnikovë, eksploziv, pistoleta, thika e kur është e nevojshme edhe grushta. Rrugëve mbeten skena krimi me kufoma të mbuluara, sirena ambulancash e zjarrfikësesh ndërsa në ekrane, ngjarjet plotësohen nga raportime terreni dhe njoftime policie me iniciale, numra dhe targa apo një dinamikë të zbehtë të krimit.
Një ditë tjetër vjen dhe realiteti i brishtë shqiptar qëndron brenda rrethit vicioz të vrasjeve pas të cilave zbulohen histori nga më të pamenduarat deri tek ato për larje hesapesh, ku rëndomë viktimat janë me precedentë penalë dhe të skeduar më parë. Rituali vijon me vrasjet nëpër akse rrugore ku kamerat nuk janë, me makina të djegura që nuk lënë pas prova dhe atetantorë që qëllojnë në lëvizje e sipër nga makina e tyre shënjestën e përcaktuar.
Tragjikisht një jetë njeriu merret për një sherri banal, më së shumti një parkim dhe pas një mbrëmjeje të qetë, kushdo mund të gjendet fare pranë një skene potenciale krimi. Pranë një gëzimi mund të godasë një tragjedi dhe jeta e dikujt shndërrohet në një numër që i shtohet statistikës së zezë të vdekjeve. Po të llogarisim këtu edhe viktimat e aksidenteve, në rrugë, trotuare apo dhe dete, pasiguria arrin kulmin. Në pikun e sezonit turistik gjurmët e gjakut njollosin statistikat optimiste të turizmit, duke minuar në pak sekonda cdo përpjekje për promovim e një vendi të bekuar nga natyra.
Të gjitha janë vrasje të paralajmëruara, edhe në rastet kur ato mund t’I atribuohen një individi, apo një motivi të dobët. U takon të gjitha institucioneve, të veprojnë për të parandaluar jo vetëm krimin e oganizuar, por edhe çdo shkak tjetër që shtyn njerëzit të përplasen mes tyre deri në vdekje. Aty ku ligji sundon dhe zbatohet rreptësisht, aty ku zbatuesit e ligjit janë vigjilentë dhe të rreptë, aty krimi ka më pak të ngjarë që të ndodhë.
Po përse është tronditur siguria publike? A ka ndonjë arsye specifike ndodhia e këtyre krimeve me ekzekutime plot mllef, me shumë siguri dhe me precizion të lartë? Në fakt, nuk duhet të kërkojmë gjilpërën në kashtë. E gjithë kjo ka vetëm dhe vetëm një arsye: Ose segmente të rëndësishme të policisë janë të paaafta, ose janë të lidhur kokë e këmbë me krimin dhe organizatat kriminale. Dhe ajo që besohet se ka ndodhur është pjesa e dytë. Nuk mund të fshihen pas gishtit as agjentë e shefa krimesh, e as drejtorë policie, madje as politikanë që merren me politikat e sigurisë.
Mungesa e rendit brenda rendit është tashmë një gjë e hapur në sytë e publikut dhe situata është alarmante. Arsyetime të tilla se tani është verë dhe krimi importohet nga sherre dhe mosmarrëveshje të trafiqeve të drogës jashtë vendit duket sa qesharake dhe jo profesionale.