Pas asaj që ndodhi në Këshillin Bashkiak të Tiranës, kur këshilltarët e PS-së votuan shkarkimin e Erion Veliajt, natyrshëm do të lindnin debatet mbi atë çfarë ka ndodhur.

Një pjesë thonë që lidershipi i PS-së, përkatësisht Edi Rama e ka lëshuar Veliajn dhe e ka lënë të vetëm në fatin e tij. Opozita nga ana tjetër, me plot arsye dhe të drejtë kërkon të përfitojë nga kjo situatë, por po heziton të bëjë një betejë politike për Tiranën, e cila në realitet është kryebeteja e çdo partie në Shqipëri.

Çfarë ka ndodhur në të vërtetë sot, në akt jo thjeshte sot pasi sot ju vu vula, por natyrshëm vjen pyetja përse PS po bën shkarkimin e Erion Veliajt nga detyrat e kryebashkiakut të Tiranës?

Përtej teorive që mund të lindin e kanë lindur, ku natyrisht ka edhe mjaft devijanca konspirative, çështje duket më pak e komplikuar. PS, pas burgosjes së Veliajt, nisjes zyrtare të akuzës dhe veprimeve të tjera proceduriale nga ana e SPAK, është e detyruar të marrë një vendim politik.

Një vendim politik, që disa raste të mëparshme, përkatësisht të ngritjes së akuzave ndaj zyrtarëve të mazhorancës, çështja është zgjidhur me dorëheqje. Ndërkohë nga ana tjetër PS-ja ka marrë një vendim politik për të ngrirë funksionet partiake, në mënyrë që të tregojë një distancim të qartë në mos mbrojtjen politike të zyrtarit.

Ndërkaq, rasti i Erion Veliajt nuk ngjan aspak me të tjerët, pasi kemi të bëjmë me politikanin e dytë pas Edi Ramës që është votuar më shumë në Shqipëri, qoftë për numër votash, qoftë për numër mandatesh, plot tre të tilla.

Në vitin 2013, kur PS sapo kishte ardhur në pushtet, pati një çështje penale të Prokurorisë së Përgjithshme të asaj kohe të drejtuar nga Adriatik Llalla, kundrejt kryetarit të bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Me hapjen e çështjes, PS e liroi Gjikën nga detyrat e anëtarit të kryesisë së partisë, por kryebashkiaku i Vlorës e vijoi detyrën e tij deri në ditën e fundit, jo vetëm të mbarimit të procesit ndaj tij, por edhe të detyrës, të cilën ja dorëzoi pasardhësit.

Në vitin 2014, një vit pas shpalljes së akuzës gjykata e shpalli Shpëtim Gjikën si të pafajshëm. Ndërkaq, pas lënies së detyrës, ndaj tij pati sërish telashe gjyqësore, të cilat ish-kryebashiaku i përballi vetë personalisht pa kërkuar ndihmë politike e sot është një qytetar pa probleme ligjore, socialist i angazhuar, por politikisht i distancuar nga lidershipi i PS, përkatësisht Edi Rama.

Rasti Gjika është një precedent që tregon se ekziston një model të sjelljes së akuzës ndaj një zyrtari të zgjedhur në mënyrë direkte, kur ndaj tij ka një akuzë edhe më të rëndë se kjo që rëndon ndaj Erion Veliajt. Por gjithsesi kjo është çështje tjetër.

Politikisht Partia Socialiste, përkatësisht Edi Rama, bëri të ditur se do të përballet me çështjen e bashkisë së Tirnës, duke dalë në një betejë elektorale, e shpallur kandidaten Ogerta Manastirliun. Rama tha se do të zbatojmë shtigjet ligjore për ta shkarkuar Veliajn. Gjë që sot ndodhi vetëm akti i parë, e rruga është ende e hapur dhe jo aq e lehtë.

Megjithatë politikisht PS ka vendosur kështu, sepse nuk ka pasur një dorëheqje të Veliajt nga detyra. i cili, arsyeton se jo vetëm nuk ka asnjë arsye që të dorëhiqet, por ka marrë përsipër të mbajë përgjegjësinë e të bëjë një betejë gjyqësore për akuzën ndaj tij dhe sulmet e pritshme politike. Dorëheqja e Erion Veliajt, kur ai është në terminin e tij të mandateve si kryebashkiak të kryeqytetit, administrativisht është hapi më i lehtë, por nga ana politike, nëse Veliaj do të kishte firmosur dorëheqjen, ai jo vetëm do të bënte vetëvrasje politike, porn ga ana tjetër do të kishte kryer edhe një atentat politik ndaj PS-së, pjesë e të cilës ka treguar se qëndron fort, përkundrejt të gjithë ortekut që e ka goditur.

Veliaj nuk është një aktor i vogël, periferik, apo margjinal i mazhorancës. Është një nga figurat më të rëndësishme të saj, sepse është tre herë më i votuari në Tiranë që është Shqipëria në miniaturë.

Natyrisht që kjo betejë edhe brenda mazhorancës do të ketë nuancat, madje edhe pasojat e saj, e këtu duket ka shumë ngjarjen që do të presim të ndodhim.

Fakt është se Veliaj e mbylli mandatin e tretë të tij në krye të Tiranës jo me lavdi, i goditur rëndë, por deri tani ka mbijetuar politikisht, edhe pse i plagosur.

Mazhoranca ka dalë me një kandidate tjetër së paku për 2 vitet e tranzicionit, siç është Ogerta Manastirliu, e cila sipas sondazheve të para, edhe pse pa një kandidat apo kandidate përballë udhëhiqte përkrahjen popullore me 41% të qytetarëve me të drejtë vote. Një rezultat që nëse bëhen zgjedhjet nesër, e shpall fituese. Por nga sondazhi te votimet ka mjaft ujra për të rrjedhur dhe zhvillime për të ndodhur, ndërkohë që në mes është një fushatë. Tani jemi krejt në fillim, por mazhoranca e ka bërë të veten, edhe pse këto veprime duket sikur janë të sikletshme apo sadomazokiste politikisht. Gjë që në fakt është në një farë mënyre apo shumë mënyra.

Nga ana tjetër, në krahun tjetër, pra nga opozita duhet të kishim zhvillime të vrullshme pasi realisht u ka rënë telebingoja. U është hapur një punë e madhe për të rivitalizuar energjitë brenda saj, pore dhe për të harruar traumën e rëndë të humbjes të 11 majit.

Opozita e re e ka kapur çastin dhe po bën një politikë mjaft aktive. Partia e Agron Shehajt që ka ardhur nga PD, po kërkon një kandidat të përbashkët nga e gjithë opozita, kurse Arlind Qoraj, me një lëvizje inteligjente po bën politikën e tij duke sulmuar jo Veliajn por qeverisjen dhe mazhorancën.

Kurse PD nga ana e saj deri tani nuk po i afrohet një identikiti normal të një kandidati. Dy emrat më të kuotuar se mund të hynin në garë si Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku, që janë edhe më të votuarit në qark, kanë bërë të ditur se nuk do të kandidojnë. Në fakt nuk është aspak e lehtë beteja në Tiranë, pasi kryeqyteti i Shqipërisë është me të gjitha komponentët e saj një bastion i Partisë Socialiste që nga tetori i vitit 2000, kur Edi Rama u zgjodh për herë të parë kryetar i Bashkisë së Tiranës.

PD në realitet ka fituar në Tiranë për herë të fundit vetëm në tetorin 1996, me Fatos Nanon në burg, me firmat piramidale dhe me sistemin represiv të Berishës së parë të armiqësuar me Perëndimin.

Në vitin 2011, hyrja e Lulzim Bashës në bashkinë e Tiranës nuk ishte fitore por një marrje me forcë, kjo e njohur nga të gjitha organizmat ndërkombëtare.

PS sot, kryeson në të gjithë njësitë administrative të Tiranës së madhe, ndërkohë që në 11 njësitë e bashkisë së vjetë është me diferencë të thellë. Rikuperimi i 45-55 mijë votave diferencë nuk është bukë e djathtë, por është një betejë politike që mund të fitohet vetëm në një situatë përmbysjeje dhe të favorshme. Gjë që nuk jemi realisht.

Megjithatë, në një bastion, secila palë ka njerëzit e vet, të cilëve duhet tu drejtohet dhe përfaqësojë sa më mirë. Por Sali Berisha, siç duket heziton të nxjerrë një kartë të fortë në garën e Tiranës, pasi e di se nëse ajo figurë lidhet me demokratët, kthehet në figurë politike.

Ndaj Berisha nuk do të bëjë betejë, port ë prishë sa më shumë betejën e kundërshtarit, i cili siç duket do të fitojë sërish, por me rezultat të thellë. Thjesht Berisha kërkon të shënojë ndonjë gol, e më pas të thotë se Luli u mund nga Lali Eri me Zero, kurse unë e bëra një gol. Nga ana tjetër, duke nxjerrë një kundërshtar tjetër të fortë politik si Ogerta Manastirliu. E cila nëse fiton, rrit edhe më frikën në atmosferën e opozitës së Tirana nuk është zona ku PD ka pasur bastionin e saj dikur, por “Skrapari” i vitit 1992.