Edhe pse është fare afër zgjedhjeve për Tiranën, opozita shqiptare nuk ka një kandidat.

Dy muaj protesta para bashkisë së Tiranës, 7 muaj në burg të Erion Veliaj dhe dy muaj që na ndajnë nga zgjedhjet e reja, pra pothuajse një vit, dhe kjo opozitë nuk e di se çfarë ka dashur të bëjë që nga dita kur rrinte para dyerve të bashkisë. Njëmbëdhjetë muaj dhe ende nuk dinë pse e nisën këtë punë dhe si do ta bitisin.

E ndërkohë vendi i mbetur bosh në bashki u ka dhënë shkas nga radhët e PD-së, por jo vetëm, gjithfarë idioti dhe mitomani të vetëofrohet për kandidat të opozitës.

E gjitha tregon mungesën e organizimit të kundërshtarëve të Ramës. Nuk kanë strategji, nuk kanë lidership, nuk kanë strukturë.

Berisha është një hije e vetvetes dhe në vend se të mendojë për fitore, përpiqet të mbajë të bashkuar atë që tashmë quhet PD-ja por që i ka mbetur vetëm sigla nga e kaluara.

E nëse për Tiranën është e shpartalluar, për qytetet e tjera as që bëhet fjalë të ketë ndonjë emër, e lëre pastaj strategji.

Praktikisht vendi është pa opozitë. Ajo që quhet e tillë është vetëm një ndërmarrje sh.p.k që diku shërben për të marrë përfitime ekonomike, diku për të shpëtuar liderin nga burgu e këto të rejat asgjë më shumë sesa të vjetrat vetëm se në një shkallë 1 me 10.

Dy muaj para zgjedhjeve, opozita nuk ka 6 emra që do konkurrojnë për bashkitë e vendit. Përpiqet ta paraqesë si procedurë demokratike përzgjedhjeje, por në fakt është kaosi. Kaos që e ka pasur edhe në 2021-shin, 2025-ën, zgjedhje në të cilat vetëm muajin e fundit caktonte kandidatët dhe drejtuesit politikë të qarqeve, ndërkohë që kundërshtarët kishin filluar prej një viti punën në terren. Rezultati dihet. Humbën për herë të katërt.

I pritshmi nuk ka nevojë për fallxhore që të parashikohet.

Vendi sot nuk ka opozitë. Nuk quhet e tillë një organizatë që dikur konkurronte për qeverisjen e vendit, kurse sot kënaqet me gjashtë bashki të humbura që nuk i tregon as Google Map. Dhe pastaj qahen pse pasagjerët zbresin nga autobusi i saj dhe kërcejnë tek ai i tjetrit. Nuk duhen shumë mend në kokë për të kuptuar se me një mjet që i punon vetëm boria, nuk shkohet askund. Ndaj ca kërcejnë tek autobusi i Ramës e ca të tjerë nisen me këmbë. Të paktën nuk do gremisen bashkë me ca që më shumë sesa parti politike ngjajnë me pacientë të urgjencës ku secili bërtet për hallin e vet, por s’ka doktor që t’u bëjë derman