SPAK raportoi edhe këtë vit para Parlamentit. Njësoj si vitin e kaluar. Në fakt, njësoj si çdo vit tjetër. Asgjë e re. Të njëjtat fjalë. Të njëjtat reagime. Të njëjtat pyetje dhe të njëjtat përgjigje. Madje edhe në të njëjtat vende e në të njëjtat karrige.
Një ritual i lodhur, i parashikueshëm dhe i mërzitshëm deri në palcë.
I mërzitshëm jo vetëm vizualisht, por edhe në përmbajtje. Mendim ka pak, analizë edhe më pak. Ka vetëm një lumë fjalësh që nuk çojnë askund.
Pyetjes për një çështje konkrete i jepet përgjigjja standarde: “Po hetojmë. Nuk mund të japim të dhëna hetimore.”
Në teori tingëllon si respektim i ligjit. Në praktikë tingëllon si tallje me Parlamentin.
Sepse të njëjtat “të dhëna hetimore”, që nuk mund të thuhen në sallën ku ushtrohet sovraniteti popullor, gjenden me një lehtësi të habitshme në WhatsApp-et e gazetarëve të kronikës, në portale dhe në studio televizive. Deputetëve u thuhet “sekret”, ndërsa publikut i serviren rrjedhje të përditshme.
Ky është, ndoshta, vlerësimi më i sinqertë që raportuesit-prokurorë u bëjnë ligjvënësve: as sa një grup WhatsApp-i gazetarësh nuk vlejnë deputetët.
Në republikën e prokurorëve, duket se gazetarët informohen më shumë se Parlamenti.
Edhe më shqetësuese është heshtja e vetë Parlamentit. Deputetët rrinë si spektatorë. Asnjë reagim për këtë anashkalim të rolit të tyre kushtetues. Asnjë kërkesë serioze llogarie. Asnjë debat mbi faktin që informacioni qarkullon kudo, përveç institucionit që përfaqëson qytetarët.
Asnjë diskutim për fenomenin e gjyqeve popullore që ushqehen nga rrjedhjet selektive të dosjeve. Asnjë reflektim për përhapjen masive të materialeve hetimore jashtë çdo procedure.
Po aq e zymtë është heshtja edhe për problemet reale të sistemit të drejtësisë.
Asnjë analizë për hetimet që zgjasin pafund. Asnjë debat për procedimet penale që nisin e mbyllen pa standarde të qarta. Asnjë shqetësim për kriminalizimin kuturu të veprimtarisë tregtare. Asnjë fjalë për politikën penale pa busull. Asnjë reflektim për kufizimet disproporcionale të lirive dhe të drejtave themelore. Asnjë diskutim serioz mbi rastet kur pushteti hetimor duket se shtrin ndikimin përtej kufijve të vet kushtetues.
Hiç.
Tema kryesore mbeten personeli, godinat, buxhetet dhe pagat. Sikur Parlamenti të ishte zyra e logjistikës së SPAK-ut dhe jo institucioni ku ushtrohet kontrolli demokratik mbi pushtetin.
Nga këto raportime nuk del asnjë diagnozë e sistemit. Nuk kupton çfarë po funksionon, çfarë nuk po funksionon dhe çfarë duhet ndryshuar.
Përkundrazi, nëse i lexon me kujdes raportet dhe dëgjon diskutimet, të krijohet përshtypja se mesazhi është i thjeshtë: “Zot, na lër kështu si jemi.”
Punë e mirë. Rrogë e mirë. Statistika të bukura. Populli na do. Çdo gjë shkon për mrekulli.
Nëse është vërtet kështu, atëherë lind pyetja e natyrshme: pse lodhen të raportojnë?
Ata bëjnë sikur raportojnë. Deputetët bëjnë sikur kontrollojnë. Publiku bën sikur informohet.
Një teatër institucional që përsëritet çdo verë me të njëjtin skenar, të njëjtët aktorë dhe të njëjtin fund.
Të paktën të na e kursenin shfaqjen.
Ose, fundja, le të vazhdojnë ta luajnë. Televizorët sot kanë telekomandë. Mjafton një klikim dhe ndryshon kanalin.
Thonë se edhe disa prokurorë funksionojnë me telekomandë.
Por kjo është temë tjetër.
