Lamtumire Polici i Shtetit Saimir Hoxha.
Lamtumirë nënkomisari që udhëtoje përditë drejt Lezhës dhe kurrë për dreq nuk ti pa askush ato grada se përse ti dhe shumë si ti nuk ngriheshin në detyrë, por përherë përdoreni “mish për top”. Megjithëse ishe gati për vendin tend ti merrje ato plumba në gjoks.

Lamtumirë Saimir, i vrarë disa herë përpara se dora e Aldi Ramas të të “dekoronte” për vdekje me dy plumba në gjoks.

I vrarë mbasi të nisën për asgjësim droge vetëm 3 veta, pa asnjë grup mbështetës të Policisë, ose të FNSH.

I vrarë për procedurë shefash që ngjitën në detyrë me operacione që nëse mbyllen suksesshëm ata mbushin supet me sakrificën tuaj, e nëse dështojnë ATA shfryjnë tek ju. Derisa nëpër natë, apo ditë një krismë dëgjohet dhe një plumb mbillet në gjoksin e një polici tjetër.

Por vrasja më e rëndë eshte kur të vret i yti!

Lamtumirë 5 oficerëve të RENEA-s që u vrane nga shteti i tyre të premten.
Pa plumba.
S’pati krisma.
Ata u vranë ndryshe, me atë fishekun e mediokreve që ata lëshojnë mes luftërave të bërrylave “për nevoja pune”!

Për nevoja pune Saimir u vranë me firmë shefash Agim Lleshi, 25 vjet oficer i Reneas, Shkelzen Brahaj 23 vite oficer i Reneas, Besnik Lala 24 vite oficer i Reneas, Marient Hoti, 7 vjet oficer i Reneas dhe Ardian Pikli 7 vjet oficer i këtij Reparti.

Ata mund të ishin dërguar diku tjetër, të jepnin njohuritë e tyre mbase për të stërvitur puonjësit e policisë se si përdoret arma, si ndërhyhet, si reagohet.

Por jo!
Pa asnjë faleminderit, minimumi t’i nxirrnin para kolegëve të tjerë e t’ju thoshin po ju lëvizim për nevoja pune.
Atyre ju mbyll dera e RENEA-s, brenda të premtes “për nevoja pune” se duhet të patrullojnë në terren por troç-troç ata u qarkulluan për të hapur vende të reja pune, qoftë sikur edhe duke paguar nën dorë.

Kjo është vrasja që të bën i joti, të mohon çdo gjë ke dhënë për vendin, çdo gjë ke bërë, s’ka më rëndësi a ke rrezikuar apo jo, sa i kualfikuar je dhe në çfarë trajnimesh është shpenzuar për të të rritur. Ti duhet të flakesh sikur je një çiban, pa ceremoni, duke mos thënë as më të paktën fjalë FALEMINDERIT!

Qoftë sikur t’u thuhet faleminderit, sepse kur u vra shoku i tyre Ibrahim Basha, mblodhën kontribute dhe për shkak të mungesës së fondeve ja bënë ata “shtëpinë e fundit”.

Por ka të tjerë që janë vrarë pa krisma, të parët u vranë mbas rënies së Lazaratit, u hoqën për nevoja pune. Të dytët po për nevoja pune, sepse në kohën e Sandër Lleshit u zbulua se ishin në moshë të madhe dhe ky ishte kriter që të degdiseshin nëpër komisariate e FNSH. Mes tyre në këtë valë u vra me këtë firme, EDHE oficeri i RENEAS, Gjergj Ujka, vëlla i dëshmorit të atdheut Arben Ujka.

“Shikoje kredinë që kam ende për ta paguar. Isha trupë operacionale dhe kur numëroj aksionet e rrezikshme dhe mënyra si u flaka, ndihem i vrarë. Unë oficeri i RENEA-s , nuk e konceptoj dot se si pa asnjë mirënjohje hidhem poshtë kur mund t’i jepja ende policisë. A mund të patrullojë një oficer i RENEA-s dhe të shërbejë në një komisariat?”, pyet njëri ndër ta.

Ai është brumosur për aksion, me taktika që bartin rrezikun dhe do t’i duhet se paku tre vjet që të mësojë se taktikat e tij nuk janë më për neutralizimin e personave me rrezikshmëri të lartë, por për të kontrolluar rripin e sigurisë, apo për të matur alkoolin.

Kur u vranë këta pesë të fundit, të vetmit që e dëgjuan vrasjen pa krisma ishin kolegët e tyre. Ata ulën kokën teksa shokët po parakalonin në heshtje të mohuar nga atdheu i tyre.

Ata që këmba-këmbës më pas ju qepen vrasësit të Saimir Hoxhës dhe me maskë të zezë i bënin apel të dorëzohej.
Me siguri duke menduar e pyetur nën atë maskë që ndalon identifikimin e tyre: “Po mua kur do më vrasin të mitë?”