Ndarja nga kjo jetë e Hirësisë së Tij, Janullatos është një ngjarje komplekse dhe një humbje për besimtarët ortodoksë që ai i udhëhoqëi si bari i mirë në këto vite të vështira. Siç ndodh gjithnjë në historinë e Shqipërisë, figura të mëdha, hyjnë në skenën e saj me një profil e dalin me një tjetër. Ne, ndoshta jemi ndër të rrallët vende në Europë që nuk kemi figura historike që t’i shpallim si të panjollë. Për Skënderbeun, Heroin dhe Burrin më të Madh të shtetit për të cilin Europa përulet me respekt, ne, shqiptarët, nuk jemi në një mendje.

Fanatikët myslimanë shqiptarë nuk e shohin si të tillë. Ka shumë arsye përse ne, sot, nuk kemi një piedestal ku të ulim heronjtë apo ata që ndërtuan imazhin e Shqipërisë dhe të përulemi para tyre, por kryesorja është se ne asnjëherë nuk e kemi treguar historinë tonë ashtu siç ka ndodhur. Pra, përderisa edhe për Skënderbeun e Madh, për Heroin dhe Njeriun më të Shquar të Europës Mesjetare, ne, shqiptarët, nuk biem në një mendje, nuk ka se përse të mos diskutojmë edhe për figura të tjera që zënë një vend të posaçëm në jetën e shqiptarëve të Shqipërisë.

Ndarja nga jeta e Hirësisë së Tij, Z. Janullatos, është një ngjarje që duhet të na bëjë të reflektojmë me qetësi dhe pa asnjë pasion. Unë nuk dua të merrem me mënyrën se si erdhi në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, si u bënë zgjedhjet dhe roli i Ramiz Alisë e Sali Berishës në këtë aferë. Fakt është që Hirësia e tij, z. Janullatos e mbajti pozicionin e tij me korrektesë dhe ndihmoi në ngritjen e Kishës Ortodokse Shqiptare pa krijuar asnjë konflikt të dukshëm. Me personalitetin e tij të lartë teologjik e kulturën e thellë, ai diti të ruajë një profil të arrirë, aq sa, këto ditë, me të drejtë, dikush shkroi se ai erdhi si grek dhe po largohet nga kjo botë si shqiptar. Mirëpo edhe ana tjetër është po aq e dallueshme.

Historia e Kishës Autoqefale Shqiptare që nis në vitet e para të shekullit XX, shënohet nga martirët e gjuhës shqipe dhe nga një agresion i egër i Kishës Greke mbi priftërinjtë që guxonin të meshonin në shqip. Mjaft të kujtojmë Papa Kristo Negovanin. Vepra e madhe e Fan Nolit është dëshmia më e qartë se çfarë rreziku i kanosej Shqipërisë nga Kisha Greke dhe nga ultranacionalistët grekë. Ide të tilla si Vorio Epiri janë të gjalla edhe sot dhe, për fat të keq, Hirësia e Tij, z. Janullatos nuk arriti ta pajtonte Kishën Autoqefale Shqiptare me atë greke. Kisha greke nuk ka arritur kurrë dhe as që e shkon ndërmend as sot të kërkojë falje për krimet që ka kryer mbi martirët shqiptarë për nxitjen që i ka bërë shovinizmit dhe nacionalizmit të egër grek, që ushqen edhe sot e gjithë ditën ndjenja armiqësore mbi ata shqiptarë që hedhin poshtë Vorio Epirin.

Për fat të keq, edhe në rastin e konfliktit të qeverisë shqiptare me qeverinë greke për shkak të Belerit, Autoriteti apostolik i Janullatosit në Tiranë bëri një deklaratë në mbrojtje të minoritetit dhe të vorioepirit duke u reshtuar kështu në anën e ekstremistëve grekë dhe duke e përfillur Kishën Autoqefale Shqiptare si pjesë të Kishës Greke ose si të asimiluar prej saj. Hirësia e tij, z. Janullatos, megjithatë, u përpoq që këtë kontradiktë të thellë të mos e shfaqte dhe të paraqitej para shqiptarëve si një autoritet pa histori.

Fshirja e kujtesës kolektive dhe mospërmendja e Nolit dhe kontributit të tij, fakti që në Elbasan është edhe një Kishë që nuk e njeh atë autoritet do të thotë se vepra e Hirësisës së tij, z. Janullatos nuk është kryer ende, se Kisha Ortodokse Shqiptare, tani, pas largimit të tij nga kjo botë, gjendet para sfidave të mëdha. Ne, shqiptarët, vuajmë nga komplekset e inferioritetit dhe në politikën me fqinjët kemi një ngërç të madh. Vetëm te ne ndodh që kur vjen për vizitë presidenti turk dhe kur ai hyn në Pallatin e Brigadave aty ku ndodhet busti i Heroit tonë Kombëtar ne e mbulojmë atë që mos t’u kujtojmë turqve që ne jemi pasardhës të tij, siç bëri Berisha gjatë vizitës së parë të Erdoganit në Tiranë.

Vetëm në Shqipëri ndodh që në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare zgjidhet një autoritet që vjen nga ajo Kishë dhe nga ai institucion që i ka duart të lyera me gjak shqiptarësh dhe që edhe sot e gjithë ditën promovon teorinë nacionaliste të Vorio Epirit. Ishte fat për shqiptarët që në krye të kësaj Kishe u vendos një personalitet dhe një njeri i madh si z. Janullatos. Ndaj, ne, sot, të gjithë lutemi për të dhe bëjmë edhe një përshpirtje për të. Por kjo nuk do të thotë se ne duhet ta fshijmë historinë tonë për shkak se të gjithë na marrin për mendjeshkurtër e pa dinjitet.