Sot na erdhën dy emaile në redaksi në emër të “dy shoqatave”.  Njëra quhej Këshilli Shqiptar i Medias, tjetra quhej Aleanca për Media Etike. Nuk i kisha dëgjuar kurrë.

Më ankoheshin për dy persona që kanë bërë thirrje për review të këqija mbi bizneset që ka shpallur armik Revolucioni .

Ankesa e parë ishte për një Sonila Sota, që ka bërë thirrje të hapur tek grupi i WhatsApp-it, formuar nga Fatos Lubonja, ku e thotë qartë që të lënë review të këqija. Ankesa ishte se ne i kemi ekspozuar kësaj emrin, fotografinë dhe numrin e telefonit. Me atë thirrje që ka bërë mund t’i dekonspironim dhe vendin e punës dhe “punët” që ka bërë në jetë, se e meriton, por jemi mjaftuar vetëm ta prezantojmë se kush ia ka borxh biznesit të turizmit shqiptar këtë makth njëjavor, derisa ndërhyri Google.

Ankesa e dytë ishte për një tip që quhet Enea Doku. Ky drejton një agjenci që trajnon të rinj si të përdorin rrjetet sociale dhe, në zbatim të direktivave të revolucionit, ka lënë gjashtë review negative për disa minuta, nga veriu në jug. Një prej tyre e ka lënë për biznesin e një pronari media, Artan Dulakut, që ka Vizion Plus, ndërkohë që në faqen e tij të biznesit ka reklamuar se trajnon stafin e një prej bizneseve të Dulakut, atë të Ford. D.m.th., mes të tjerash është dhe njeri i ndyrë, pasi sulmon atë që i ka dhënë punë biznesit të tij.

Tanimë ky është i kallëzuar në polici nga një prej subjekteve të dëmtuara. Do të ketë mundësi të mbrohet para prokurorit dhe gjykatës. Provat janë dokumentuar nga policia pas kallëzimeve, kështu që mund të rrijë i qetë.

Për të dy përdhunuesit e bizneseve thjesht kemi bërë detyrën që duhet të bëjë çdo media, e cila duhet të mbrojë interesin publik dhe jo emrin e një përdhunuesi në një ngjarje kriminale. Tani këta dy përdhunuesit duan edhe të përdhunojnë bizneset, edhe t’u ruhet anonimati, ndërkohë që me profile anonime përdhunojnë bizneset e shqiptarëve.

Problemin e kam me këto dy shoqata. Kërkova në ChatGPT se kush i drejtonte. Më doli që të dyja i drejtonte dikush që quhet Koloreto Cukali, me sa duket  dhe ky pjesë e kolorit revolucionar.

D.m.th., ndryshe nga këta përdhunuesit e bizneseve që me një emër vënë tetë review, ky me një emër mbulon dy organizata dhe të këshillon në emër të organizatave që të ruajmë etikën dhe të mos i ekspozojmë këta përdhunuesit.

Në çdo rast, organizatat që kanë lidhje me mediat dhe që vjedhin fonde gjoja për të mbrojtur median, duhet të jenë në anën e medias dhe interesit publik. Ky Koloretoja, me dy shoqata pa asnjë anëtar, është me përdhunuesit dhe kërkon që ne të mos i ekspozojmë se u shkaktojmë shqetësime.

Mendo lotët e drejtuesve të biznesit që kaluan ditë të tëra ankthi nga sulmi brutal i këtyre njerëzve të ndyrë. Përfytyro njerëz që kanë kredi, kanë familjarë të punësuar dhe rrezikojnë të falimentojnë, pse këta i kanë futur në listë të zezë meqë nuk mendojnë si Andi Bushati, Gjergj Erebara, Arlind Qorri dhe gjithë llumi që shkon pas tyre. Këta nuk i interesojnë. U intereson vetëm që objektivi i revolucionit të mos preket dhe revolucionarët të mos dekonspirohen.

Nuk jam kundër pse ky tip me dy shoqata është revolucionar dhe mbështet këtë aksion përdhunuesish. Liria e zgjedhjes së tij duhet respektuar. Por ai duhet të respektojë lirinë e të tjerëve për t’u mbrojtur prej tij dhe përdhunuesve të tij. Mbi të gjitha, ai nuk mund të flasë në emër të medias, në emrin tim dhe të shumë gazetarëve të tjerë, që nuk jetojmë me lekë shoqatash, por në tregun e shtypit me punën tonë.

Shpresoj që të shkojë dhe ky në gjyq kur të fillojnë të gjykohen aktet e këtyre përdhunuesve ndaj biznesit dhe të shpalosë atje talentin, duke i treguar gjyqtarit që të shkatërrosh një biznes është një ideal i lartë që të mbush me krenari, kurse të dekonspirosh një revolucionar përdhunues është mungesë etike.

Bota është e mbushur plot me shoqata parazitësh që përdoren për trafik influence dhe nuk përfaqësojnë kurrë gazetarët, por askund në botë nuk ka shoqata që regjistrohen për të mbrojtur gazetarët dhe mbrojnë përdhunuesit dhe anonimitetin e tyre. Tek ne ka dhe shoqata të tilla dhe gazetarë të tillë.

Për shembull, BIRN është i shqetësuar se kush janë disa gazetarë që u dalin emrat si pseudonime, kurse këta të OJF-ve të BIRN janë të shqetësuar pse zbulohen pseudonimet e përdhunuesve të biznesit nga media.

Kjo marrëzi, mes të tjerash, tregon se kush bën dhe review të këqija për shtypin shqiptar: ata që të vetmet shkrime në jetë quajnë review negative mbi gjithkënd që urrejnë.