Mbërthyer në një karrige me rrota, pa mundësinë e lëvizjes lirshëm, po me shpirtin e mendjen plot për të sfiduar politikisht jo vetëm veten, por dhe shoqërinë që duhet të kthejë sytë nga kjo kategori e qenësishme, që është pjesë e saj dhe duhet pranuar e respektuar si e tillë. Adivije Hoxha, një grua e re me aftësi të kufizuara në Durrës guxoi. Në zgjedhjet vendore të 14 majit sfidoi fort dhe pse u përball me një fushatë të padrejtë, pa mundësi për të prezantuar platformën e saj dhe të bëhej pjesë e debatit politik. Ngeli thjesht një emër në listë, në një pozicion jofitues, pa mjete dhe mundësi për të bërë fushatë dhe kaloi pa zhurmë.

Ajo sfidoi veten, mentalitetin dhe të gjithë shoqërinë në zgjedhjet vendore 2023. Donte të thyente një tabu në Durrës, të jepte një mesazh dhe të kthehej në një zë të fortë në kuvendin vendor të bashkisë Durrës. Nuk gjeti mbështetjen e duhur. Edhe vetë forca që e kandidoi nuk rrezikoi për t’i dhënë hapësirën e duhur dhe përcjellë një mesazh të rëndësishëm gjithëpërfshirës përmes kandidimit të Hoxhës, një qytetare e angazhuar dhe që synonte t’i jepte zë jo vetëm vajzave dhe grave si ajo, po çdo kategorie vulnerabël dhe komunitetit që përfaqëson.

Në pozicion jofitues, reshti së bëri fushatë kur u përball me përçmimin, gjuhën e shëmtuar, që shoqëron rëndom çdo grua në përballjet elektorale. Dhe kaloi pa vëmendje publike kjo sfidë, e para në 32 vite pluralizëm në garën për të fituar elektorat dhe një vend në Këshillin Bashkiak të Durrësit. Guximi i saj u fik, po vetëm përkohësisht.

“Si person me aftësi të kufizuar kisha sfidën e parë me stigmën, mentalitetin, teksa m’u desh një punë, komunikim i fortë për të bindur subjektin për të na mbështetur (si pjesë e aftësisë së kufizuar. E dyta, mbështetja nuk ishte aq sa meritonim, pasi ne ishim potencial për të zgjedhur një kandidat (përfaqësues) në Këshillin Bashkiak. Po të isha pjesë e Këshillit, do të isha një zë i fuqishëm, jo vetëm për aftësinë e kufizuar, por e të gjithë komunitetit të cilit i përkas. I kam dhënë provat si njeri pakompromis në lidhje me gjithcka që rëndon jetën e qytetarit. Qëllimi im ishte të përfaqësoja grupet vurnerabël, sic është dhe aftësia e kufizuar, por do të isha zë dhe për gjithë problematikat që shoqërojnë përditshmërinë e çdo qytetari.”- thotë Adivije Hoxha.

Ajo apelon për një proces të hapur dhe të barabartë për të gjithë, për mbështetje dhe inkurajim nga ana e politikës dhe shoqërisë për kandidimin e këtyre grave në këshillat bashkiakë si e vetmja mundësi për të përfaqësuar interesat e tyre dhe për të siguruar që zëri i tyre të dëgjohet gjatë procesit të vendimmarrjes vendore, gjë që do të përmirësojë bindshëm përfshirjen dhe diversitetin në politikat vendore duke rritur ndërgjegjësimin për çështjet e grave me aftësi të kufizuara.

Shoqëria shqiptare dhe forcat politike të saj shfaqen të papërgatitura për të dhënë mesazhe të forta lidhur me pabarazinë gjinore në proceset zgjedhore, e cila mbetet një çështje komplekse. Ndaj është e rëndësishme që të gjitha përpjekjet të jenë të orientuara drejt përmirësimit të situatës së grave me aftësi të kufizuara për të siguruar që ato të kenë mundësi të barabarta për të ndikuar në procesin zgjedhor dhe në politikën vendore dhe kombëtare.

Shoqëria jonë në tërësi është ende larg inkurajimit real të këtyre grave që të marrin pjesë aktivisht në proceset zgjedhore, duke nisur nga përfshirja e tyre si votuese, monitoruese zgjedhjesh dhe kandidate. Mundësia për të shprehur qëndrimet e tyre dhe për të kontribuar në vendimmarrjen politike është e pakët. Madje kjo kategori nuk merret në konsideratë as si zgjedhëse. Infrastruktura e munguar në vendvotime nuk mbetet vetëm tek mungesa e rampave në një pjesë të mirë të tyre, por edhe tek përdorimi i materialeve të papërshtatshme të votimit.

Forca politike nën logon e së cilës kandidoi hezitoi ta vinte në një pozicion fitues, pasi synonte të kishte sa më shumë këshilltarë të sigurtë në bashkinë e Durrësit. Kryetari i Partisë Agrare Ambjentaliste Agron Duka pohon se Advije Hoxha ishte e 6-ta në listën e këshilltarëve bashkiakë të PAA-së në Bashkinë Durrës dhe ky ishte rasti i parë që një grua me aftësi të kufizuara përfshihej në listën e kësaj force politike e cila fitoi 3 këshilltarë në zgjedhjet vendore të këtij viti në Durrës.

“Sfida jonë ishte që të merrnim sa më shumë këshilltarë dhe znj. Hoxha u pranua në listën e kandidatëve të PAA-së si përfaqësuese e personave me aftësi të kufizuara, Nuk hezitova aspak, pasi ajo është një zonjë me integritet, ambicie dhe aftësi për të komunikuar me njerëzit.”, deklaroi kreu i PAASh-së Agron Duka.

Por pozicionimi në listë ishte i pamjaftueshëm. Mbështetja në fushatë, në një garë të ashpër politike, thuajse zero. Qëndrimi i shoqërisë ndaj pjesëmarrjes së grave me aftësi të kufizuara në politikë është ende larg pritshmërive të kësaj kategorie që ndjehet e papërfaqësuar dhe e pambështetur nga politika në nivel vendor e qendror. Po për Adivijen qe një sfidë e bukur dhe i është mirënjohëse subjektit politik nën logon e të cilit kandidoi. U vendos në një numër jo fitues. Megjithatë ajo u përfshi plot entuziazëm, duke besuar te forcat e saj, aftësitë për të përfaqësuar komunitetin të cilit i perket dhe duke menduar se ka ardhur koha për t’u përfaqësuar denjësisht në organet vendimmarrëse vendore e qendrore.

Futja e saj në listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë në shkallë vendi kaloi pa u vënë re. Askush nuk e mori mundimin të informojë se një grua me aftësi të kufizuara, kryetarja e shoqatës së para dhe tetraplegjikëve në Durrës, Adivije Hoxha ishte në garë.

Drejtuesja e fondacionit “Së bashku” Suela Lala në Tiranë, ndër të tjera prek dhe terrenin e ashpër politik në Shqipëri dhe përfshirjen e të fortëve, personave me precedent kriminalë që hedhin para në fushatat elektorale.

“Ndryshe nga barazia gjinore dhe të rinjtë që partitë politike kanë struktura dhe programe për të nxitur përfshirjen e tyre, në rastin e grave me aftësi të kufizuara nuk ka asnjë parashikim në statuset dhe rregulloret e brendshme të tyre. Pengesë tjetër është që partitë politike nuk kanë një kuptueshmëri të mirë të çështjeve të aftësisë së kufizuar dhe përmes një studimi të bërë në 2021-n. Është pengesë qasjeje, mendësie dhe aksesueshmëria, pasi zyrat e partive politike nuk janë të aksesueshme për PAK. Problem tjetër është që këto parti duan kohë që të emancipohen që të përfshijnë të gjitha grupet e të jenë sa më divers në përfaqësimin e tyre duan kohë. Ata janë të lidhur aktualisht me biznesin për shkak të parave që injektojnë në fushatat zgjedhore, me krimin e të fortët, sepse kanë ndikim në komunitete për të mbledhur vota. Ndaj gjasat që partitë politike të emancipohen vetiu janë të pakta. Ndaj ajo që kërkohet, si në rastin e grave, për të sheshuar një lloj diskriminimi historik është që të ketë kuota për grupet e margjinalizuara në Kodin Zgjedhor.”

A pati Adivije të tjera që guxuan të kandidojnë në Zgjedhjet Vendore 2023?

Për fat të keq, asnjë statistikë në shkallë vendi nuk ka për gratë me aftësi të kufizuara të cilat u përfshinë në procesin zgjedhor. As si kandidate për t’u zgjedhur dhe as si zgjedhëse. Janë një kategori e shpërfillur. Interesimi për të mbledhur sa më shumë të dhëna në lidhje me to në institucionin më të lartë zgjedhor, pranë aktorëve të shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore e gjenerojnë të dhëna, por dhe atyre që përfaqësojnë këtë kategori sociale ishte zhgënjyes.

Kërkesës për të dhëna në lidhje me numrin e grave me aftësi të kufizuara të përfshira në listat e kandidatëve për këshillat bashkiak, apo dhe si kandidate për kryetare bashkie në zgjedhjet vendore të 14 majit dhe atyre të zhvilluara më vonë në disa bashki të vendit përgjatë këtij viti, KQZ iu përgjigj se nuk është administruar asnjë e dhënë, qofshin me karakter sasior, apo cilësor, lidhur me gratë PAK. Kërkesa nuk ndalej vetëm te numri i kandidateve, apo votueseve me aftësi të kufizuara që morën pjesë në zgjedhjet vendore të cilat lidhen drejtpërdrejt me fatet e komuniteteve të tyre, por dhe problematika të tjera të tyre.

Asnjë e dhënë, asnjë fond i posaçëm për të nxitur partitë politike që të kandidojnë gratë me aftësi të kufizuara në mënyrë që dhe ato të përballojnë me dinjitet fushatën elektorale dhe shpenzimet e saj.

Gjithçka që prek këtë kategori sociale nga KQZ përfshihet në një program edukimi të zgjedhësve, ku përfshihen dhe PAK.

“Në lidhje me informacionin e kërkuar ju bejmë me dije se nga ana jonë nuk është administruar asnjë e dhënë lidhur me grate PAK. Ne zgjedhjet vendore 2023 KQZ hartoi programin e edukimit te zgjedhesve ku perfshihet dhe PAK. Për më shumë informacion referojuni linkut më poshtë: https://kqz.gov.al/wp-content/uploads/2022/12/Vendim-nr.-220-date-7.12.2022-Per-miratimin-e-programit-te-edukimit-informimit-dhe-ndergjegjesimit-te-zgjedhesve.pdf”, thuhet në përgjigjen zyrtare të KQZ-së e cila lë pa përgjigje dhe pyetjen e bërë mbi sfidat aktuale të sistemit zgjedhor për këtë kategori.

I vetmi autoritet shtetëror që mbikqyr çdo aspekt të proceseve zgjedhore e ka lënë jashtë vëmendjes këtë kategori,

Në muajin shtator, Rrjeti për Fuqizimin e Gruas në Shqipëri me mbështetjen e Institutit Demokratik Kombëtar prezantuan gjetjet e një raporti në lidhje me përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e grupeve të nënpërfaqësuara në proceset zgjedhore në vendin tonë. Në gjetjet e raportit theksohet mungesa e dispozitave të dedikuara në statuset e partive dhe mungesa e strategjive për fuqizimin e këtyre kategorive, pavarësisht se nuk ka pengesa ligjore për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Sipas raportit, personat me aftësi të kufizuara nuk përfshihen në asnjë statut zgjedhor të partive politike. Qasja e grave në financa konsiderohet një nga pengesat kryesore që pengojnë pjesëmarrjen e grave në politikë. Ato kanë më pak akses në rrjetet që ngrejnë fonde për fushatat. Kultura patriarkale dhe gjuha e urrejtjes e ajo seksiste që rëndojnë mbi gratë shqiptare marrin përmasa të shumëfishta te gratë me aftësi të kufizuara që duan të përfshihen në politikë.

Sfidat kryesore

Në muajin tetor, në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit u ngjit monodrama “Nuk dua të vdes e virgjër”, një monodramë që mbart realitete të forta të jetës së përditshme dhe sfidave me të cilat përballen vajzat dhe gratë paraplegjike dhe tetraplegjike. Monodrama u ndoq me interes të lartë, por asnjë vajzë, asnjë grua, por edhe asnjë burrë me karrocë nuk mundi ta ndjekë atë në sallë. Ndjehen të privuar nga kënaqësia e ndjekjes së një shfaqeje artistiko-kulturore.

Teatri i Durrësit, ashtu si shumë objekte të tjera ku ofrohen shërbime publike, nuk është i aksesueshëm për njerëzit që lëvizin mbi dy rrota. Dramë brenda dramës për ta dhe familjarët e tyre.

“Le të marrim rastin më të mirë, nëse do të kisha fituar dhe isha pjesë e Këshillit Bashkiak të Durrësit, sërish do të ishte e pamundur pjesëmarrja në mbledhjet e tij. Kjo ishte sfida më e madhe, pasi jo vetëm godina, por edhe salla e rikonstruktuar së fundmi është krejt e paaksesueshme për PAK. Duket si një përpjekje e dështuar që në nisje.”, shprehet jo pa keqardhje Adivije Hoxha.

Megjithatë ajo guxoi të kandidojë për ta ndryshuar këtë mentalitet që ajo e njeh mirë dhe përballet çdo ditë me të. Mirënjohëse ndaj subjektit që e përfshiu në listë dhe pse jo në pozicionin që mendon se meritonte, Hoxha premton se nuk do të tërhiqet nga të qenit një zë për të gjitha gratë në kushtet e saj.

“Ishte një eksperiencë që më dha forcë për të qenë këmbëngulëse dhe e sinqertë me qytetarin që të meritosh besimin e tij, përjashto politikat që ndiqen për “nënderë”, prandaj ishte e domosdoshme që ne të ishim pjesë e Këshillit bashkiak të Durrësit. Mbase herën tjetër.”

Në Shqipëri, sipas censusit të vitit 2011, 6,2 përqind e popullsisë në moshë madhore ka deklaruar se ka të paktën një aftësi të kufizuar. Një armatë njerëzish, mbi 135 mijë persona me aftësi të kufizuara, që nuk ndjehen të përfaqësuar në nivelet e qeverisjes vendore dhe qendrore. Me gishtat e dorës numërohen ata që patën fatin të përfshihen në vendimmarrje dhe ekzekutiv e ndonjë prej tyre nuk pranoi as të konsiderohet person me aftësi të kufizuara dhe aq më pak

Lidhur me përfaqësimin e grave me aftësi të kufizuara në procesin e fundit zgjedhor, Suela Lala, drejtuese e fondacionit “Së bashku” thotë: “Në zgjedhjet vendore as që bëhet fjalë për kandidate për kryetare bashkie, por as për këshillat bashkiakë nuk vumë re asnjë kandidat që të promovohej me aftësi të kufizuara dhe të përfaqësonte në arenën e këshillit bashkiak çështjet e aftësisë së kufizuar, shumë të rëndësishme. Jemi ende shumë larg përfaqësimit politik të PAK, çfarë shpjegon dhe situatën ku ndodhemi. Çështjet tona janë çështje politike dhe pikë së pari duhet të na dëgjohet zëri në tavolinat ku merren vendime. Demokracia direkte është forma më e lartë se ajo që kemi aktualisht, ndaj dhe në të gjitha raportet e monitorimit të OSBE/ODIHR-it dhe raportet e tjera ndërkombëtare theksojnë nevojën për përfaqësimin politik të PAK në mënyrë që ata të përfshihen e të kenë zërin e tyre.”

Sipas saj, gjatë monitorimit të proceseve zgjedhore në vitet 2021 dhe 2023 u vu re se në 2021-n pati 2 kandidatura PAK, të dy burra, njëri në Lezhë për nismën “Thurje” pa asnjë mundësi reale për t’u zgjedhur, ndërsa kandidatura tjetër ishte në Durrës. Kandidati i Durrësit u bë deputet, por pasi ai u kontaktua nga organizata u shpreh se nuk kishte dëshirë të identifikohej si person me aftësi të kufizuara.

“Kaq në mijëra kandidatë.”, shprehet jo pa keqardhje Lala.

Një terr informativ mbulon plotësisht përfaqësimin e grave me aftësi të kufizuara në proceset zgjedhore. Pak, ose aspak dihet për to. Hallkat e zinxhirit informativ e mbështetës janë të këputura. Nëse guxojnë dhe përfshihen në lista janë të vetme. Pa mbështetje financiare. Larg fushatave promovuese, larg vëmendjes mediatike. Fushata kthehet në një hapësirë interesash të fuqishme, ndërsa vëmendja e institucioneve zgjedhore, organizatave që monitorojnë zgjedhjet është zero. Gjithçka përqëndrohet vetëm në financimin e fushatave edukuese për zgjedhësit, ndërsa aksesi për këtë kategori në procesin zgjedhor mbetet tejet i kufizuar dhe konsiderohet një mision thuajse i pamundur.

Gratë me aftësi të kufizuara përballen me një sërë vështirësish në pjesëmarrjen në këshillat bashkiake dhe ngjarjet e tjera. Vështirësitë përfshijnë një sërë faktorësh, siç janë barrierat e aksesit, mungesa e mbështetjes politike, sociale dhe financiare, mungesa e kuotave, qëndrimet negative dhe mungesa e përfaqësimit.

“Aftësia e kufizuar ka problematika të shumta që presin zgjidhje prej vitesh nga institucionet vendore, si përgjegjës të drejtpërdrejtë. Kuadri ligjor i vë ata para përgjegjësisë për të bërë një qytet gjithpërfshirës; për të bërë institucione gjithëpërfshirëse; për të lehtësuar cilësinë e jetës së çdo qytetari dhe atë të personave me aftësi të kufizuar në veçanti.”, thotë Adivije Hoxha, ish-kandidate për Këshillin Bashkiak Durrës dhe kryetare e shoqatës së para dhe tetraplegjikëve në Durrës.

Rastet pozitive të përfshirjes në politikëbërje kufizohen vetëm tek emri i Bardhylka Kospirit që në vjeshtën e vitit 2013 u emërua zv.ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ishte dhe mbetet rasti i vetëm që një grua me aftësi të kufizuara u përfshi në strukturat e larta të Qeverisë, e emeruar, por jo e zgjedhur.

Pabarazia gjinore në proceset zgjedhore është një çështje që duhet të adresohet në mënyrë të kujdesshme për të siguruar barazi të plotë për të gjitha individët, përfshirë gratë me aftësi të kufizuara, të cilat përballen me sfida dhe diskriminim të veçantë në këto procese. Ndaj vendosja e kuotave për gratë me aftësi të kufizuara duhet të gjejë rrugën për t’u kthyer në një realitet social-politik gjithëpërfshirës. Duke adresuar këto sfida, shoqëria shqiptare mund ta bëjë më të lehtë për to pjesëmarrjen në këshillat bashkiake që zëri i tyre të dëgjohet, pasi ato kanë një perspektivë unike për të ofruar dhe pjesëmarrja e tyre mund të ndihmojë për t’i bërë këshillat më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese të komuniteteve të cilave u shërbejnë.