Që nga shtatori i vitit 2013, kur Edi Rama mori për herë të parë drejtimin e qeverisë, ndryshimet e shpeshta në kabinetin qeveritar janë bërë element i pandashëm i filozofisë së tij. Sipas të dhënave të publikuara në media, numri i emrave që kanë mbajtur poste ministrore nga 2013 deri në nisjen e mandatit të katërt llogaritet rreth 65, një shifër e pazakontë për një periudhë kaq të gjatë qeverisjeje në Shqipëri. Me lëvizjet e fundit, kjo shifër rritet më tej, duke e bërë rotacionin një instrument të vazhdueshëm politik.

Rifreskimi si metodë

Rama ka përdorur ndryshimet në qeveri në momente të caktuara tensioni publik apo konsumimi politik, ku rasti më i fortë mbetet dhjetori i vitit 2018, kur pas një klime protestash dhe pakënaqësish, u shkarkuan njëherësh disa ministra. Ndërkohë që edhe në vitet pasuese, çdo mandat është shoqëruar me “restart” simbolik, me hyrje figurash të reja dhe dalje të emrave të vjetër.

Ndryshimet që u bënë publike në media të enjten në mbrëmje, ku spikasnin zëvendësime të thella në disa dikastere kyçe, janë vazhdimësi e së njëjtës logjikë politike.

Kontrasti me modelin Berisha

Në krahasim me qeverisjen e mëparshme të ish-kryeministrit Berisha (2005–2013), është e qartë se ndryshimi është shumë më i madh gjatë qeverisjes Rama. Në atë kohë, edhe pse ka pasur lëvizje dhe dorëheqje, perceptimi publik është se përbërja bazë e kabinetit mbeti më kohezive përgjatë dy mandateve, madje dukej sikur Berisha me ata që e nisi në 2005 po me të njëjtë e mbylli në vitin 2013. Ndryshimi thelbësor mes dy modeleve nuk është mungesa e lëvizjeve, por intensiteti dhe përdorimi i tyre si mjet politik.

Pse funksionon kjo strategji?

Një nga arsyet pse ndryshimet e shpeshta në kabinet mund të konsiderohen efektive nga pikëpamja politike është aftësia e tyre për të shpërndarë koston e pakënaqësisë. Largimi i ministrave të konsumuar nga kritikat publike krijon një distancë të dukshme mes kryeministrit dhe dështimeve sektoriale. Në këtë mënyrë, figura e kreut të qeverisë ruan njëfarë amortizimi politik, ndërsa ndryshimi paraqitet si akt korrigjues. Njëkohësisht, riformatimi i kabinetit funksionon si sinjal reagimi. Ai perceptohet nga opinioni publik si reflektim ndaj kritikave, si një pranim implicit se diçka nuk ka funksionuar si duhet dhe se kërkohet një energji e re. Edhe kur politikat mbeten të njëjtat, ndryshimi i emrave prodhon efekt psikologjik dhe komunikues.

Megjithatë, ky model ka edhe mangësitë e tij, ku paqëndrueshmëria institucionale është një prej tyre, për shkak se ministritë që ndryshojnë shpesh drejtim rrezikojnë të humbasin vazhdimësinë strategjike dhe koherencën e politikave afatgjata. Projektet strukturore kërkojnë kohë dhe konsistencë, ndërsa rotacioni i shpeshtë mund të fragmentojë procesin vendimmarrës. Po ashtu, zbehet përgjegjësia individuale. Kur rotacioni është i shpejtë, bëhet më e vështirë të matet realisht performanca e një ministri apo të nxirren përfundime për efektivitetin e politikave të ndjekura.

Një model i konsoliduar

Fakti që Rama është sot kryeministri më jetëgjatë në historinë pluraliste të Shqipërisë nuk shpjegohet vetëm me faktorë elektoralë, por edhe me aftësinë e tij për të përdorur kabinetin si instrument fleksibël politik është një komponent i rëndësishëm i këtij qëndrueshmërie. Në këtë kuptim, ndryshimet e shpeshta nuk janë thjesht riformatime administrative, por janë, gjithashtu, pjesë e një modeli qeverisjeje ku dinamika e kabinetit shërben si mekanizëm për të absorbuar pakënaqësinë, për të rifreskuar narrativën dhe për të ruajtur ekuilibrat e pushtetit./TemA