Ne e duam policin kur bie dëshmor. Prekemi, vendosim kurora me lule, mbajmë një minutë heshtje dhe flasim për sakrificën e tij. E duartrokasim kur shpëton një jetë, kur sakrifikon të tijën për të shpëtuar një tjetër. Atëherë ai është hero dhe uniforma blu bëhet simbol krenarie.

Por çfarë ndodh kur ai është thjesht në krye të detyrës?

Çfarë ndodh kur polici nuk ka përballë një kriminel të armatosur, por një turmë të zemëruar që ka zgjedhur të protestojë e mllefosur pë 1001 padrejtësi dhe gjëra që nuk shkojnë siç duhet në këtë vend? Kur nuk shpëton një jetë, por përpiqet të mbajë rendin publik? Për fat të keq, prej disa ditësh një prej personave që mban veshur uniformën e Policisë së Shtetit është kthyer në objekt sharjesh, talljesh, poshtërimesh e linçimi publik. Kjo është ajo që pamë gjatë protestave të fundit të zhvilluara përpara Kuvendit të Shqipërisë, teksa brenda zhvillohej seancë plenare.

Një vezë e hedhur në drejtim të një punonjësi policie mund të duket për disa si një gjest simbolik proteste. Por kur ajo pasohet nga një lumë fyerjesh, meme-sh, videove tallëse dhe komenteve që çnjerëzojnë njeriun pas uniformës, nuk kemi më të bëjmë me protestë.

Në vendet demokratike, fëmijët edukohen që, nëse humbasin rrugën, t’i drejtohen një polici. U mësohet ta respektojnë uniformën, jo sepse polici është i pagabueshëm, por sepse ai përfaqëson rendin, ligjin dhe mbi të gjitha sigurinë. Pikërisht për këtë arsye, kritika ndaj policisë nuk ngatërrohet me urrejtjen ndaj policit.

Rasti i shefit të Komisariatit nr. 1 në Tiranë, Ervin Hasrama, është një shembull domethënës. Gjatë protestës ai ishte në vijën e parë të detyrës. U godit, u filmua dhe më pas u kthye në objekt ironie dhe talljeje në rrjetet sociale.

Përpara se të jetë shef komisariati, Hasrama është një punonjës policie me një karrierë të gjatë. Si shumë kolegë të tij, ai ka kaluar detyra të ndryshme, sfida profesionale dhe momente të vështira, duke vazhduar të kryejë detyrën që i është ngarkuar.

Kjo është arsyeja pse debati nuk duhet të jetë thjesht për individin!

Debati duhet të jetë për mënyrën se si një shoqëri sillet me njerëzit që mbajnë përgjegjësi publike dhe mbajnë veshur një uniformë.

Po, protesta është një e drejtë kushtetuese!

Po, policia duhet të kritikohet kur gabon!

Po, çdo tejkalim kompetencash duhet të hetohet dhe të ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi!

Por po aq e vërtetë është se polici që qëndron në kordon nuk harton ligjet, nuk merr vendime politike dhe nuk përfaqëson një parti. Ai është punonjësi që ka detyrimin ligjor të zbatojë urdhrat e ligjshëm dhe të ruajë rendin publik pavarësisht situatës apo rrethanave.

Kur ne e zhveshim atë nga dinjiteti njerëzor, humbet diçka shumë më e madhe sesa një debat politik. Humbet respekti për institucionin, respekti për njeriun.

Sot emri është Ervin Hasrama, nesër mund të jetë një tjetër efektiv i veshur me uniformën e policisë.

Një shoqëri nuk matet vetëm nga mënyra se si nderon heronjtë e saj kur bien në krye të detyrës. Ajo matet edhe nga mënyra se si trajton njerëzit e zakonshëm që çdo mëngjes veshin uniformën dhe dalin në punë.

Respekti për uniformën blu nuk është bindje politike dhe as nënshtrim ndaj autoritetit.

Është respekt për shtetin ligjor!

Është respekt për njeriun!