Shanset për ta zgjedhur drejtorin e ri të BKH brenda 31 gushtit janë zero. Sepse Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Posaçëm të Figurës dhe Pasurisë nuk ka nisur ende kontrollin e shtatë kandidatëve që do të thotë ende nuk janë përcjellë shkresat drejt shërbimit sekret dhe institucioneve të tjera të ngarkuara me ligj, që do të japin përgjigje për figurën e garuesve.
Dhe për të kontrolluar pasuritë e tyre bazuar mbi deklaratat që pretendentët Gledis Nano, Gentian Ndoj, Elton Kërluku, Andi Pogace, Gentian Shehu, Artur Beu, Joni Keta i kanë dorëzuar pranë ILDKPI.
Nga përfundimi i testeve (datë 28 korrik) me një komision të posaçëm të përzgjedhjes (tre prokurorë që udhëhoqën këtë gare), tashmë komisioni i dytë duhet të kryejë vlerësimet e mëtejshme. Në përmbajtje të tij janë një gjyqtar antikorrupsion, dy prokurorë të SPAK, dhe dy hetues të BKH, njëri siç përmend ligji vjen nga seksioni financiar dhe ai ishte Z.Elton Kërluku. Por hetuesi rezulton të ketë dhënë dorëheqjen nga komisioni i kontrollit, mbasi si një aspirant për drejtimin e BKH nuk mund të kontrolloje veten dhe 6 konkurrentët e tjerë.
Megjithatë nuk ishte kjo arsyeja se përse BKH do ta ketë shefin e ri me vonesë. I gjithë ingranazhi reagoi përgjumësh për të treguar ( mbase) se edhe nëse ngrihen institucione të reja siç u pagëzua BKH si FBI shqiptare, është e vështirë të kultivosh një mendësi të re me rregulla që nuk e tejkalojnë ligjin
Ishte reagimi i vonuar i KLP në ngërcin Hajnaj dhe beteja që ajo pati prej muajit dhjetor 2024 në një letërkëmbim të gjatë që ekspozoi krizën e komunikimit brenda strukturës së posaçme.
Po ashtu gara u çel me vonesë, por edhe kur u mbyll zyrtarisht afati për dorëzimin e dokumenteve të të interesuarve, u shty me kohë shtesë të pajustifikuar dhe përtej protokollit.
Sikur të mos mjaftonte kjo, u tha se për shkaqe preferenciale ndaj ndonjë garuesi, një debat mes tre prokurorëve të SPAK (pjesë e komisionit të parë) ishte mbyllur me përplasje dyersh.
Komisioni i dytë i kryesuar nga z.Eneid Nakuci përpara se të largohej me pushime mundi të mbajë vetëm një mbledhje në fund të korrikut , gjatë kohës kur shkresat nuk ishin ende gati.
Ndaj u dha kohë tjetër shtesë.
Për drejtorin e ri që qartësisht do vonohet, dhe kjo nuk është një vonesë pesë minutëshe autobuzi, në datë 6 gusht SPAK më dha këtë përgjigje:
”Procesi i përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) është në fazën e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë, në përputhje me nenin 6 të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Pas këtij procesi, Komisioni i Përzgjedhjes përcakton kandidatin më të mirë, i cili do t’i nënshtrohet një programi trajnimi. Pas përfundimit të tij, emri kandidatit të përzgjedhur i dërgohet për miratim Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).”
Pra kur komisioni i dytë të përfundojë kontrollin, do ja kaloje komisionit të parë të përzgjedhjes ( 3 prokurorëve Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra) që pa i paragjykuar do gjejnë më të mirin.
Kohë do i duhet dhe KLP të mendohet kur t’i kalohet ky emër , por jo gjatë nëse të preferuarit mbeten të preferuar.
Sidoqoftë. Derisa kjo të ndodhë, zgjidhjet se nga kush do te drejtohet BKH do të jenë sipas inercisë së ligjit.
E dyta, KLP e presin dy mbledhje, asnjëra për të shpallur drejtorin e ri të BKH.
Njëra do jetë me rend dite: përfundimin e mandatit pesë vjeçar të znj. Hajnaj që me gjasë duhet të ndodhë brenda datës 1 shtator.
Dhe mbledhja tjetër, në datë 15 shtator për çeljen e garës për drejtuesin e ri të SPAK, duke qenë se z. Altin Dumani i përfundon mandati i kryeprokurorit të posaçëm në muajin dhjetor.
Në mes të këtyre procedurave që po ndodhin paralelisht, nuk është çudi që me ikjen e Dumanit i cili nga dhjetori kthehet në prokuror të thjeshtë në SPAK, të lërë pas një drejtor BKH që ose do ketë fatin e gruas së parë në krye të FBI shqiptare duke u anashkaluar nga SPAK. Që do të thotë edhe drejtori i ri i BKH do jetë në luftë me drejtuesin e ri të SPAK. Ose do jetë po aq i fuqishëm.