Motorët e fushatës elektorale janë ndezur për të gjitha partitë politike, teksa në 11 Maj të gjithë qytetarët  e Shqipërisë do të votojnë për të zgjedhur 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare që mbahen çdo katër vjet.

Disa me këngën e Noizy-t, të tjerë me kapele stil Trump-isti, partit e reja në orvatje për identifikim me fletushka, çanta me emra kandidatësh e bluze më lloj- lloj stampimesh e numrash për të votuar dalin rrugëve të qyteteve, fshatrave të braksitur e thuajse të harruar e puthin e përqafojnë çdo të moshuar, çdo fëmijë që ndoshta deri dje s’do e vinin re që kalonte në rrugë apo u futen qytetarëve në bizneset e tyre, pa i pyetur duke i fotografuar e bërë video.

Nëse bën një vëzhgim të shpejt në rrjetet sociale, mund të ngatërrohesh lehtësisht nëse ke hyrë në TikTok-un e një komediani apo në profilin zyrtar të një partie politike nga ku nis cirku e teatri, në mungesë të të vërtetëve.

Politikanët janë bërë më “kreativë” se kurrë, me një përpjekje të dëshpëruar për të fituar vëmendjen dhe votën e të rinjve, e duke e bërë rrjedhimisht fushatën në rrjetet sociale, më kërcime, dublime, video motivuese, emocionuese dhe animacione nga trendet e fundit.

PS – Politika si reality show e kuruar në detaj

Partia Socialiste pa harruar premtimet për ujë të pijshëm, drita e rrugë ende edhe në 2025, poston videot e kuruara deri në detaj, me mitingje të mëdha, njerëz që nxjerrin pëllëmbën e dorës e bëjnë numrin 5, pamje HD të kuruara e ngjyra të bukura.

Rama, i njohur për aftësinë e tij teatrale, këtë herë ka zgjedhur të dalë në rrugë, sheshe, qytete e së fundmi të mbidhte fëmijët për t’i instruktuar si të kërkonin në Google fotot e tij nudo.

Në videot e publikuara me të rinjë që duartrokasin në mënyrë të sinkornizuar duket se energjia po vjen, në një vend që dritat ikin akoma!

PD – E ngritur nga hiri në kërkim të identitetit

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e ringritur nga hiri me një kryetar që kërkon sërish drejtimin e vendit po mundohet forcërisht të “futet në treg”.

Pa një program konkret, shpesh duke u bërë pjesë e rrjetit të MEME-ve për çmimin tavan dhe jo vetëm, PD është ende në kërkim të identitetit.

Edhe pse kandidatët janë munduar të bëhen pjesë e trendeve virale, duket që nuk janë për TikTok, nëse do ishin, shumë prej tyre do bëheshin deputet kohë më parë.

Megjithatë derisa të gjejnë identitetin, PD ende do të mbajë si imazh të saj kryetarin aktual i dalë në skenën publike që para rënies së komunizmit.

PSD – Show, selfie dhe shumë zhurmë… për asgjë?!

Partia SocialDemokrate e Tom Doshit, çudia dhe e papritura e këtyre zgjedhjeve tashmë me fytyra të reja dhe një përpjekje për të rikrijuar identitetin e saj, është shndërruar në një makinë selfie-sh.

Kandidatët janë parë duke shpërndarë fletëpalosje, duke takuar njerëz e pyetur për hallet që kanë, a thua se para kësaj fushate s’kanë jetuar në këtë vend. Sa mundësi ka Tom Doshi për përfaqësim në Kuvend kjo mbetet të shihet pas 11 Majit, por se cila është mbështetja për të rinjtë nuk është parë ende.

Cili është programi veç “shtetit social” dhe votave të kërkuara familjarëve të pacientëve me kancer (pjesë nga fjala e Tom Doshit gjatë hapjes së fushatës) nuk është parë e dëgjuar!

Duket se kjo parti nuk ka arritur ende të dalë nga shprehejt klishe të Instagramit me fjali frymëzuese e pa zgjidhje reale.

Partia Mundësi – e reja që nuk tingëllon e re

Me një emër që premton shumë, Partia Mundësi ka zgjedhur të luajë kartën e fjalimeve emocionale duke u ulur gju më gju me qytetarët e “qarë hallet”.

Kryetari kësaj partie, Agron Shehaj, i veshur me një xhaketë prej biznesmeni shpesh bëhet furrëtar, shitës në market apo mekanik në servis për të ‘joshur qytetarët’ t’i bashkohen kësaj force.

Në rrjet, videot e tyre janë shpesh të montuara me muzikë motivuese dhe pamje të natyrës shqiptare, ku kandidatët flasin për “ëndrrën shqiptare” dhe “rinisjen e sistemit”. Mos ndoshta sistemi do riniset, po me të njëjtën USB?!

Partia “Shqipëria Bëhet” – slogane shumë, përmbajtje pak

Kjo parti është ndoshta më kreative me sloganet, e larmishme edhe në përmbajte të kandidatëve.

“Shqipëria Bëhet” me slogane të reja dhe ideologji të vjetër. Kopje fytyrash pa orgjinalitet dhe risi, me fjalime emocionuese dhe “të bindur” për fitore të thellë me shpresë dhe pak prespektivë.

“Shqipëria Bëhet” por s’është e qartë nëse e ka fjalën për vendin, partinë apo vetë anëtarët?!


Në gjithë këtë vorbull klisheje dhe kreativiteti të kopjuar apo sforcuar të rinjtë duken më të lodhur dhe më skeptikë. Kjo duket në pjesëmarrjen e tyre në tubimet elektorale, pjesëmarrjen e tyre si përbërje të partisë. Ata janë të ndarë mes indiferencës dhe ironesë, një pjesë ndjek për show-n, një tjetër hesht për zhgënjimin.

Fushata në rrjetet sociale ka arritur nivele argëtimi, por jo bindjeje. Politika duket se po imiton trendin, por votuesit e rinj kërkojnë më shumë sesa filtra, batuta dhe MEME apo animime. Ata kërkojnë më pak cirk e teatër, e më shumë sinqeritet e përgjegjësi!