Edi Rama po përgatitet të shpallë kabinetin e tij të ri në prag të çeljes së sesionit dhe të legjislacionit të ri të Kuvendit të Shqipërisë. Në një intervistë të gjatë në emisionin «Opinion» ai, në vija të përgjithshme, paraqiti modelin që do të ndjekë qeverisja e tij, e cila do të mbështetet edhe këtë radhë kryesisht te turizmi, por edhe të industria e luftës dhe të tjera prioritete.

Kohë më parë, e sidomos pas kthimit nga pushimet e gushtit, ai u shfaq në opinion si një publicist i zemëruar me shtetin që ai e drejton prej tri mandatesh.

Në fillim u tregua i ashpër dhe cinik me masakrën e territorit dhe me paaftësinë e bashkive për ta qeverisur atë. Pak më vonë preku një problem tjetër- ujin dhe menaxhimin e burimeve ujore. U shty edhe më tej në një prononcim tjetër, duke e rimarrë edhe njëherë porblemin e territorit dhe duke shpallur se këtej e tutje mbrojtja dhe ruajtja e zonave të mbrojtura me ligj do të jetë prioritet absolut i kabinetit të tij të ardhshëm.

Nëse e vëren me kujdes, për shkak edhe të mungesës së alternativës opozitare, narrativa politike në Shqipëri nuk përfshin tema të nxehta si ato të vendeve të tjera europiane. Ne, fjala vjen, nuk kemi në asnjë axhendë problemin e emigrantëve, sepse vetë jemi një vend që prodhojmë ende emigrantë.

Në Shqipëri nuk diskutohet për sigurinë kombëtare dhe të drejtat e njeriut. Problemet gjinore, ato të orientimit seksual apo të abortit nuk ndjehen si shqetësim për shoqërinë shqiptare. Edhe narrativa e fundit e zotit Rama ishte e përqëndruar më shumë te administrimi i Shqipërisë, por jo të ndërtimi i shtetit demokratik. Që të jemi realistë. Edi Rama, në krye të shtetit shqiptar në këta vjet ka arritur suksese spektakolare, të paimagjinueshme disa vjet më parë.

Ai është kryeministri që e futi Shqipërinë në familjen europiane ende pa u bërë vendi ynë anëtar i atij klubi. Imazhi që ka krijuar vendi ynë sot të Europë si një vend i sigurtë, i zhvilluar, i hapur dhe si oaz paqeje, me një dinamikë zhvillimi të paimagjinueshme, janë meritë e drejtimit të Edi Ramës dhe ekipit të tij, ndër të cilët do veçoja Erion Veliajn për ndryshimet e mëdha në Tiranë. Mirëpo, duket se edhe kjo nuk mjafton. Shqipëria nuk po arrin të ndërtojë shtet të fuqishëm që administrohet me anën e ligjit dhe të procedurave ligjore. Me një të rënë të lapsit, u desh vetëm një ndërhyrje e Ramës për të kuptuar se pushteti vendor është i pafuqishëm, se njësitë administrative që menaxhojnë ujërat e pishëm në Shqipëri janë të korruptuara dhe tërësisht të paafta.

Dhe është e paimagjinueshme se si në tridhjetë e ca vjet nuk arritëm të bëjmë dy gjëra themelore- të menaxhojmë ujin e pishëm dhe të rregullojmë pastaj ujërat e zeza. Një vend i zhvilluar nuk duket vetëm te rrugët apo te hotelet e te plazhet e bukura. Nëse Tirana, Vlora, Shkodra apo qytetet e tjera të mëdha të vendit nuk arrijnë t’i mbledhin, t’i filtrojnë dhe t’i pastrojnë ujërat e zeza e më pas edhe t’i riciklojnë, atëherë kjo është shenja që ne jemi ende një vend primitiv.

Pikërisht atë ditë që Rama paraqiste prioritetet e veta mbi qeverisjen e ardhshme, opinioni nisi të ziejë përsëri nga shfaqja e dy personazheve që po shenjohen gjithnjë e më shumë si mediokriteti vanitoz i drejtësisë e që janë Arben Rakipi e Ulsi Manja. Edi Rama nuk po prononociohet për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe për draftin e ri të kodit penal që është bërë objekt homori në media. As në intervistën e gjatë të tij ai nuk foli për këtë. Shqipëria ka një paradoks të madh.

Ndërton spitale po nuk ka shëndetësi. Ndërton shkolla po nuk ka arsim. Si mund të zgjidhet kjo kontradiktë ? Është përmendur në ndonjë rast shembulli i Singaporit dhe atëherë kur Shqipqria është krahasuar me të, është bërë vetëm një vërejtje, që Singapori nuk është një shtet demokratik, ndërsa Shqipëria po. Nuk dua të hyj në këtë analizë sepse sot koncepti për demokracinë po ndryshon dhe vende formalisht demokratike, pra që bëjnë zgjedhje që lejojnë pluralizmin politik dhe fjalën e lirë, prodhojnë dhunë ekonomike, pabarazi dhe varfëri. Mrekullia e Singaporit dhe e katër tigrave të Azisë qëndron diku tjetër- te reforma e thellë arsimore dhe të nxitja dhe investimi në shkencë.

Singapori nuk ka asnjë burim, madje nuk ka as ujë, por fëmijët që në klasë të parë mësojnë shkencën, matematikën dhe disiplina të tjera me një regjim të rreptë. Dhe kjo ka bërë që krahu i punës në atë vend është ndër më të kualifikuarit dhe kompanitë më të mëdha të teknologjisë së informacionit janë vendosura atje. Ndërsa në Shqipëri mungesa e reformave të tilla të thella në arsim e në shkencë po na bëjnë një vend primitiv që nxjerrim vetëm kamarierë banakierë, infermierë për në Gjermani e pastrues hotelesh.

Edi Rama bëri mirë që u kujtoi të gjithë atyre që duan ta betonizojnë këtë vend se tani kupa u mbush dhe natyra e zonat e mbrojtura do të ruhen me ligj e me kujdesin maksimal. Mirëpo vetëm kjo nuk mjafton. Nëse vendi nuk përfshihet në reformën e thellë në arsim e në shkencë dhe nëse për këtë qëllim nuk kërkohet ndihma e personaliteteve të shquara nga diaspora që gjenden në universitete e institucione kërkimore shkencore në Perëndim, vendi mund të jetë përsëri një hapësirë tërheqëse për të huajt, por do të bëhet i huaj për shqiptarët sepse ata nuk do të ndjehen zotër të pasurive të tyre, por shërbëtorë.